Eduard Halimi: Reforma në drejtësi të garantojë pavarësinë nga politika

419
Partia Demokratike falënderoi të premten ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Tiranë, për fillimin e tryezave publike për diskutimin e reformës në drejtësi.
Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PD-së Eduard Halimi shprehu falënderimin për mundesinë që iu dha ekspertëve të opozitës për të shpjeguar qëndrimin e tyre konstruktiv dhe racional për reformën në drejtësi. “Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet plotësisht reformën në drejtësi, luftën pa kompromis ndaj korrupsionit në drejtesi, e bindur se vetëm gjyqtarët e ndershëm, profesionistë e të pavarur, do të mund të hetojnë e gjykojnë korrupsionin qeveritar”, tha ai.

Sipas Halimit, fillimi i tryezave dhe diskutimi publik kanë qënë kërkesë e hershme e opozitës për të gjetur zgjidhjet me racionale dhe më të dobishme që përshkruhen nga 3 parimet kryesore: luftë ndaj korrupsionit në drejtësi, luftë ndaj koorporativizmit në gjyqësor, dhe pavarësi e plotë nga politika, nga kjo mazhorancë dhe nga mazhoranca që do vijë pavarësisht se kush është në pushtet.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike është parimor, oponenca dhe propozimet e saj janë tërësisht racionale dhe në funksion të parimeve ndërkombëtarisht të pranuara, për një drejtësi të pakorruptuar, të aftë profesionalisht dhe njëkohësisht të pavarur nga politika. Tryezat duhet t’i shërbejnë sensibilizimit sa më të madh që drejtësia të bëhet më e pavarur. E kundërta, kapja dhe marrja nën kontroll, është vetëm asgjësim i drejtësisë, i shërben partisë, por jo qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, përfundoi Halimi.
Sigal