Eduard Halimi: Plehrat, Rama tradhtoi popullin për paratë e mafias

445
Sigal

Gazeta Telegraf/


Fjala
në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi

 

Partia Demokratike ka depozituar javën e kaluar kërkesën për
miratimin me ligj të Parlamentit të zhvillimit të një referendumi popullor,
nëse Shqipëria duhet të importojë apo jo plehra, mbetje. Populli duhet të
vendosë me po ose jo.

 

Opozita kërkon që për këtë çështje madhore, të vendosë sovrani në
mënyrë të drejtpërdrejt. Që demokracia të jepet drejpërdrejt, nga ata që na
kanë sjellë këtu, votuesit tanë dhe jo. Sepse çështja është e një rëndësie të
veçantë jetike, për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e fëmijëve dhe brezave.
Për importimin ose jo duhet të vendosin ata që na kanë sjellë në këtë ngrehinë,
dhe jo ne që jemi këtu. 

 

Çështja që shtrohet në këtë ngrehinë, është nëse do t’i lejojmë
ata që na kanë votuar të vendosin apo meqë i morëm votën nuk kemi nevojë t’i
pyesim. Nëse qytetarët duhet të votojnë dhe të vendosin apo duhet të triumfojë
filozofia, ju morëm votën, tani për 4 vjet mbylleni gojën se vendosim ne për
ju.

Opozita kërkon që të vendosë populli. Por proçedurat në rregullore
janë fleksibël, mund t’i nënshtrohet ky ligj për diskutim sot apo brenda 3
javëve. Për shkak të afateve opozita kërkon që çështja të futet në rend dite
sot. Qytetarët ta marrin vesh sot, nëse kjo ngrehinë, do të jetë ngrehinë e
demokracisë, e popullit, e sovranit që na ka zgjedhur, apo do jetë ngrehinë e
mashtrimit, ngrehina e hipokrizisë, ngrehina e tradhëtisë ndaj qytetarëve.

 

Konferenca e kryetarëve vendosi që kjo çështje mos futej sot por
të shtyhej. 

Shtyrja doemos që favorizon kompanitë, ata të cilëve iu bë favori
2 javë më parë në dëm të qytetarëve.

 

Unë nuk dua të ribëj diskutimin e javës së kaluar të cilën e bëri
qartë doktor Berisha dhe kolegët e mi, por ama duhet të them se para 5 vitesh
edhe ne ishim skeptikë nëse shteti do e mbante nën kontroll importimin e
mbetjeve, plehrave. Por ama ka një të vërtetë të madhe. Ne pranuam që për këtë
çështje të vendoste populli. Ne i dhamë të drejtë sovranit të vendosë për
fëmijët e tij, për brezat. Që kjo ngrehinë mos jetë me ngrehina e mashtrimit,
hipokrizisë dhe tradhëtisë ndaj qytetarëve. Që ky KM, apo ata që do vijnë pas
tij, mos i mashtrojnë dhe tradhëtojnë qytetarët, i marin votën dhe pastaj t’i
thonë shihemi pas 4 vjetësh. 

‎Referendumi u vendos në dhjetor në 2013. Dhe e vendosëm ne, sepse
ne kishim shumicën në KQZ. Faktet flasin qartë. 

Por çfarë bëtë pasi erdhët në pushtet në shtator 2013?  Ju i
tradhëtuat qytetarët. I pretë në besë, ia anuluat referendumin, vendimin
përfundimtar dhe të prerë të sovranit. Ia punuat pas shpinë, i futët thikën në
shpinë demokracisë direkte. E bëjmë ne tha Rama, nuk i tradhëtojmë
qytetarët. Referendumi u anulua. Nuk u bë në dhjetor, nuk ia hoqën dorën
shtetarëve për të firmosur për importim plehrash.

 

Sot  ne kërkojmë pikërisht demokracinë direkte. Referendumin.

 

Por përveç proçedurës, problemi më i madh i çështjes së plehrave
është thelbi dhe qëndrimi politik që duhet të mbajnë palët këtu, të zgjedhurit
e popullit. Çështja nuk është tek  përpunimi i plehrave këtu, por
importimi i mbetjeve nga jashtë. Është kaq retorike dhe mashtrim teoria se
Shqipëria me demek do jete më e pastër nëse na vijnë plehra nga jashtë. Kjo
teori e ka të shkruar në ballë: është mashtrim, është hipokrizi, është tradhti
në funksion të parasë, lobimit, mafias padyshim.

 

Kjo është importimi i helmit, është importimi i vdekjes. Pak ditë
më parë, sërish në rrethin vicioz të mashtrimit dhe hipokrizë Rama tha se nuk
ka bërë sa duhet për të informuar qytetarët. Dhe me demek kërkoi falje. 

Ka po aq hipokrizi në këtë teori të Ramës. Sepse ligjin nuk pati
guximin ta bënte vetë. T’i dilte para shqiptarëve dhe t’i thoshte se i kish
mashtruar. E bëri në fshehtësi, tha se me demek nuk dinte gjë për ligjin se po
e bënte një deputet. Se qeveria dhe ai nuk kishin dijeni, por disa deputetëve u
kishte shkrepur në koke të importonin plehra dhe ai nuk kishte ç’t’i bënte
deputetëve.

Kjo është hipokrizia lapidare e një kryeministri. Dhe kulmi i saj
u arrit javën e kaluar kur tha se nuk kishte bere mjaft për të informuar
qytetarët, kur në të vërtetë kish futur kokën si struci.

Ai ka bere po aq mjaft, në favor të importit të plehrave sa dhe
arriti të bëjë antimiting kundër shoqërisë civile. I hoqi zërin protestës dhe
doli te fliste siç bëjnë të gjithë liderët delirantë dhe arrogantë me popullin.

 

Deliri i përzier me frikën nga protesta bëri që t’i hiqte zërin
protestës dhe në orën që do flisnin qytetarët bllokoi foltoren me fjalimet e
tij historike para partisë.

 

Sot nuk pranoni qe t’i japim zërin qytetarëve për t’u shprehur
vetë. Po çfarë jemi këtu ne? Ne jemi asgjë. Ata që na kanë zgjedhur kanë
pushtetin, kanë votën, kanë forcën për të përmbysur çdo regjim, çdo delirant,
çdo arrogant me pushtetin, çdo tradhëtar të votës, çdo mashtrues të vullnetit
të popullit. 

 

Unë nuk e di si ndiheni ju deputetë socialiste kur ecni në rrugë.
Çfarë u thoni ju votuese në zonën tuaj për importimin e mbetjeve dhe plehrave?
I gënjeni se do ua bëni më të pastër zonën? Po qytetarëve kur ju pyesin pse
votuat të importoni plehrat, të importoni vdekjen?  Si i gënjeni. I thoni
se e kërkuan disa kolegë dhe nuk ia prishnit dot? Se nuk ia kthenit dot fjalën
kryeministrit, apo i gënjeni se importimi i plehrave është si importimi i
sheqerit siç tha Rama javën e kaluar?

 

Po kur hyni në lagje, çfarë u thoni fqinjëve që votuat importimin
se lagjia do jetë më e pastër? Po kur hyni   dhe dilni nga shtëpitë? Çfarë
u thoni fëmijëve tuaj. Ju pyesin juve ata? Mua më pyesin të mitë.

 

Çfarë u thoni, se jeni përdorur për të helmuar të ardhmen,
fëmijët?

Janë fakte të njohura botërisht  se sëmundjet e rënda, në
gjak vijnë 90% nga lëndët toksike në ajër, që digjen nga mbetjet, plehrat dhe
futen në trup. Se djegia e plehrave nga riciklimi, është helm është vdekje.
Ndaj kompanitë dhe qeveritë nuk i duan pranë familjeve të tyre dhe i
eksportojnë në vende ku gjenden qeveritarë të korruptuar dhe i shkelin syrin
mafies në shkëmbim të parave me vdekjen.

Shume prej jush këtu mendojnë se ndoshta helmi i mbetjeve nuk
troket ne derën tuaj, dhe se fati ndoshta nuk do e bëjë që të trokasë. E
sinqerisht nuk ia uroj askujt.

 

Por kjo, nuk është e vërtetë. Unë jam shembulli, por ne nuk duhet
të presim që të trokasë tek vetja që pastaj të mendojmë për qytetarët. Jo
absolutisht. Një fjalë e lashtë latine, thotë: o njeri me mend, provoje në
trupin tënd, nëse ty të dhemb, edhe tjetrit i dhemb. 

 

Ndaj që mos jetë vonë nesër, kur ndonjë tjetër të ngrihet në
vendin tim këtu, para se të votoni kundër kërkesës së opozitës për t’i dhënë
sot popullit, votuesve që na kanë zgjedhur të vendosin për fatin e të ardhmen e
vendit, mendoni dy herë. Mendojeni si detyrë për votuesit qe na dhanë karrigen
dhe na i heqin prapë, na dhanë zhgunin e deputetit dhe na i heqin prapë, dhe mendoni
si prindër, si bij, si familjarë për të ardhmen; a doni të importoni plehrat,
mbetjen, helmin dhe mendojeni dy herë jo si politikanë, por në trupin tënd,
nëse juve ju dhemb tek familja juaj, edhe atyre që janë jashtë ju dhemb tek
familja e tyre, tek fëmijët e tyre. 

 

Që të vendosin qytetarët dhe që kjo ngrehinë, salla e parlamentit,
mos jetë ngrehina e mashtrimit, hipokrizisë dhe tradhtisë ndaj qytetarëve.
Jepini sot qytetarëve të drejtën për demokraci direkte, mos ia mohoni të
drejtën e jetës së tyre dhe fëmijëve të tyre, por dhe familjeve tuaja dhe
fëmijëve tuaj.