Eduard Halimi, ish ministri i Drejtësisë/ “Venecia” ndryshon mendimin, pezullon vetingu në Maqedoni, modeli në Shqipëri është shembulli më i keq

860
Sigal

BE ka ndërprerë fillimin e procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Maqedoninë e Veriut

Dështimi i Vetingut, ‘Venecia’ ndryshoi mendimin e parë: Nuk kemi njerëz të zëvendësojmë

Eduard Halimi, ish-ministër i Drejtësisë

BE ka ndërprerë fillimin e procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Maqedoninë e Veriut deklaroi Zoran Zaev, kryeministër. Ata na thanë –citoj Zaev- se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh. Në tetor 2015, në përpjekje për të qenë racionalë, i shprehëm Komisionit të Venecias (KV) shqetësimin se ishim vend i vogël dhe se ecja horizontale (shkrirja e institucioneve të vjetra dhe ngritja e të rejave njëherazi) do krijonte kaos, se nuk do kishim burime për të plotësuar vendet vakante që do krijoheshin nga shkrirja në tërësi!

4 dhjetor 2015- Opinion Interim

  1. “Komisioni i Venecias vëren se … krijimi i kaq organeve të reja do të kërkojë rekrutim masiv të profesionistëve ligjorë, ndërkohë që numri i kandidatëve që zotërojnë arsimin, trajnimin, përvojën dhe pavarësinë e nevojshme mund të jetë disi i kufizuar në një vend kaq të vogël sa Shqipëria.”

12 mars 2016- Opinion final, Venecia ndryshon paragrafin 65 të mësipërm:

  1. Gjatë vizitës në Tiranë relatorët u siguruan që në Shqipëri ka një numër të mjaftueshëm personash të kualifikuar për të plotësuar këto vende me qëllim që sistemi i ri të mund të funksionojë.

Nëntor 2019, i vetmi vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykate Supreme (Gjykatë të Lartë), kaos në plotësimin dhe funksionimin e gjykatave në të ardhmen. Arsyeja (jo e vetme): NUK KEMI BURIME njerëzore që zotërojnë përvojë integritet dhe pavarësi. Gjykata e Apelit në prag kaosi. Ajo që dua të përcjell sot lexuesit, pra qëllimi primar është thelbësisht teknik lidhur me këtë lajm. Nuk dua të përmend as debatin politik si sot 4 vjet më parë, as se kush “e siguroi relatorët e Komisionit të Venecias” dhe as argumentet pro dhe kundër vetingut. Ajo që kryeministri Zaev përmend si deklaratë të BE për Maqedoninë e Veriut është thelbësisht e njëjtë me deklaratën e Komisionit të Venecias 4 vjet më parë, paragrafi 65, që ishte pranimi i një shqetësimi racional dhe të arsyeshëm. Unë nuk mendoj se BE dhe Zaev kërkon të mbrojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar në Maqedoni, dhe as se BE ka ndërruar qëndrimin për luftën ndaj korrupsionit në drejtësi, në Shqipëri, Maqedonia e Veriut, apo vendet e tjera kandidate. Sepse, ndërsa i kërkon Zaev të stopojë vetingun, Shqipërisë në të njëjtën kohë është duke i kërkuar ndëshkim penal të mëtejshëm! Por ajo që unë kuptoj nga deklarata e Zaev është se qëndrimi i BE në 2019 është racional dhe i arsyeshëm. Po aq racional sa qëndrimi Komisionit të Venecias në 4 dhjetor në paragrafin 65.

Konkluzionet për vetingun

Në konkluzion të qëllimit primar të këtij shkrimi dua të përcjell disa mendime thellësisht teknike për lexuesin në reflektim të lajmit të mësipërm:

E para, BE nuk do të mbrojë gjyqtarët/prokurorët devijante nga vetingu as në Maqedoni dhe as në Shqipëri. Ajo deklaratë është në përputhje të plotë të shqetësimit tërësisht racional të para 4 viteve të certifikuar nga KV në 4 dhjetor 2015.

E dyta,se qëndrimi racional kundër draftit të ndryshimeve kushtetuese para 4 vitesh nuk ka qenë kurrë qëndrim kundër reformës! (Se i bie që sot BE është kundër reformës, gjë që nuk është e vërtetë) por ka pasur si shume të tjera, shmangien e kaosit sot.

E treta: kur bëhen reforma të rëndësishme, me qëllime afatgjata, ka nevojë të dëgjohen zërat racionale, zërat e profesionistëve (KV) dhe po ashtu të mbështeten ata.

E katërta: Maqedonia e Veriut dhe BE, po mësojnë nga gabimet tona dhe ndoshta ata janë në rregull, sepse e ndërprenë rrezikun, por për ne ka një kleçke, siç thotë A. Robbins tek “Unlimited Power”, KOHA. Sado të mësojmë nga gabimet, nuk e zhbëjmë dot KOHEN, 3 vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë dhe as KOHEN për vitet e tjera që na presin për të krijuar dhe shqyrtuar mijëra dosje stok nëpër gjykata. Por nga ky lajm dhe reflektim prej tij mund të mundohemi që mos e zhysim drejtësinë akoma më shumë në kaos. Atë që bëmë duke rrafshuar horizontalisht Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe pastaj të mendojmë për ta plotësuar duhet të mos na ndodhë me Apelet. Por duhet ecur në mënyrë vertikale, skano (kalo në veting) gjej burimet, dhe plotëso, pjesë- pjesë. Pastaj vijo me pjesën tjetër po në mënyrë vertikale. Kjo mënyrë veprimi racionale mund ta shpëtojë nga kaosi i ardhshëm pasi të shpëtojmë nga kaosi aktual.