Edmond Panariti:“Jeremiç përpiqet të shtrembërojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare të krimeve, ndaj Serbisë”

521
Sigal

*ish-ministër i Jashtëm

– A mundet  të pritet që nga ky debat,  duke u zhvilluar me iniciativën e Jeremiç, të ketë konkluzione objektive për historinë?

– Kjo është qartësisht një përpjekje për t’i  konsideruar vendimet e gjykatave të krimeve të luftës ndaj individëve si ndëshkuese, ndaj kombeve, apo grupeve etnike në përgjithësi. Është i njohur fakti se sa herë bëhet fjalë për krime të luftës, sigurisht nënkuptohen vetëm krime të individëve të veçantë dhe kur një individ i një komuniteti të veçantë dënohet për krime, kjo nuk mund t’i atribuohet kurrsesi komunitetit në tërësi. Jeremiç  kishte bërë kujdes që përbërja e dy paneleve të krijuara pas sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të ishte  e ndërtuar tërësisht në mënyrë të njëanshme, për të sulmuar dhe kritikuar punën e gjykatave e krimeve. Në fakt, për të qenë i ekuilibruar, ashtu siç është i detyruar të jetë në cilësinë e Presidentit të Asamblesë, ai duhej të ftonte në përbërje të paneleve, si përkrahës, ashtu edhe kundërshtarë të punës së gjykatave ndërkombëtare të krimeve.  Jo rastësore duket edhe përzgjedhja nga Jeremiç  e datës 10 prill për mbajtjen e sesionit.  Në këtë datë u deklarua nga nazistët krijimi i qeverisë ustashe kroate  (1941-1945).  Lidhur me këtë, ambasadori i SHBA-ve, për çështjet e krimeve të luftës, Stephen Rapp, u shpreh se: “Caktimi i kësaj date për debate përbën shqetësim dhe se ai nuk do të merrte pjesë në këto diskutime dhe se, në dijeninë e tij, Shtetet e Bashkuara së bashku me vende të tjera do të dalin me një deklaratë, në mbështetje të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare të krimeve”.  Të bëjnë përshtypje një sërë deklarata agresive publike të Vuk Jeremiç  për të shtrembëruar dhe minimizuar vendimet e gjykatave ndërkombëtare të krimeve të vendeve të ish- Jugosllavisë, sidomos ato të lidhura me shfajësimin e gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç dhe më pas dhe të komandantit të  UÇK-së, ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Këto janë përpjekje të qarta të Jeremiç për  t’i politizuar këto verdikte të drejtësisë kriminale. Në fakt, politika serbe,  për t’i justifikuar krimet e kryera në vitet ‘90-të, kundër popullsisë kroate, boshnjake dhe kosovare, shpesh u referohet krimeve të kryera mbi serbët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke promovuar në këtë mënyrë një pikëpamje justifikuese dhe “hakmarrëse”.  Por, sigurisht, që kjo nuk mund dhe nuk duhet lejuar. Është një fakt historik,  i njohur tashmë, që pjesa dërmuese e kroatëve, jo vetëm nuk mori pjesë në krimet e kryera ndaj serbëve, por luftoi kundër tyre dhe kjo është një arsye më shumë se përse Serbia nuk duhet lejuar për të risjellë në skenë politikën e Luftës së Dytë Botërore në mënyrë kaq spekulative dhe deformuese. Më lejoni që, me këtë rast, të citoj akademiken  kroate Prof.  Ina Vukiç, që u shpreh se: “Meqenëse Serbia, po i kthehet me kaq pasion të vërtetave historike të Luftës së Dytë Botërore, ajo bën mirë që të zbardhë edhe të vërtetën e saj gjatë kësaj lufte dhe posaçërisht të vërtetën  që lidhet me regjimin kukull nazist serb, të udhëhequr nga Milan Nediç, i cili bashkëpunoi me hitlerianët në shfarosjen e 94% të hebrenjve serbë në maj të vitit 1942. E më tej, ajo vazhdon:  “ Për fat të keq, një debat i tillë, në datën 10 Prill, po lançohet prej një njeriu me synime të qarta deformuese dhe konfonduese, si pjesë e një axhende personale ngushtësisht politike të tij. Për rrjedhojë, asgjë objektive nuk mund të rrjedhë nga një debat i tille”. Nga ana tjetër , vijon ajo, pajtimi i popujve,  që përbën edhe një nga temat e këtij debati,  nuk varet nga vendimet e gjykatave, por nga vetë vullneti dhe vendosmëria e popujve për të kapërcyer dhe zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të parë bashkërisht nga e ardhmja.

– Ky debat i organizuar nga Vuk Jeremiç, a është në konflikt të hapur interesi, ku Jeremiç, si zyrtar i lartë i OKB-së, e shfrytëzon detyrën e vet për përfitime personale dhe të vendit të tij, në dëm të së vërtetës e përpjekjeve për të falsifikuar historinë?

– Vuk Jeremiç do të mbahet mend gjatë nga komuniteti i kombeve për përdorimin e postit të Presidentit të Asamblesë Përgjithshme të OKB-së, për qëllime të ngushta politike dhe, që në shkelje të funksioneve të tij, u përpoq të sulmojë asnjanësinë dhe sovranitetin e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare.

– A mund të përdoret OKB-ja si platformë e nacionalizmit serb, duke mundësuar zhvillimin e këtij debati?

Kam përshtypjen se Vuk Jeremiç, me këtë nismë të tij jo të balancuar, paragjykuese dhe të njëanshme, në fakt po dëmton  interesat e vetë Serbisë dhe të rolit të saj në OKB.  Nuk besoj që ka më shanse aktualisht në Ballkan, as për Serbinë dhe për asnjërin prej shteteve të rajonit për të promovuar agjenda  me sfond nacionalist e aq më pak,  projekte të zhvendosjes, apo të spastrimit etnik të popullsisë.

– A mendoni se Shqipëria duhej të ishte më aktive në zgjedhjet që u zhvilluan në Mal të Zi dhe Maqedoni duke mbështetur faktorin shqiptar. Rasti i Strugës dhe disa qyteteve të tjera në Maqedoni tregon se të bashkuar maksimalizojmë votat dhe marrim drejtimin e komunave dhe bashkive?

Diplomacia shqiptare ka patur gjithë vëmendjen dhe angazhimin e duhur në raport me zgjedhjet e zhvilluara në Mal të Zi dhe në Maqedoni, duke respektuar sovranitetin e këtyre vendeve dhe frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit  të ndërsjellë. Më lejoni që me këtë rast modestisht të evidentoj edhe rolin tim personal, si kreu i diplomacisë shqiptare, në arritjen e kohezionit të faktorëve politikë shqiptarë, sidomos në Maqedoni,  si premisë kjo  e arritjeve pozitive në këto zgjedhje. Kësaj, padyshim, i shërbeu takimi im parazgjedhor  me dy krerët e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni,  Ahmeti dhe Thaçi.

SHBA-të, në mbështetje të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare të krimeve

 Lidhur me këtë, ambasadori i SHBA-ve, për çështjet e krimeve të luftës, Stephen Rapp, u shpreh se: “Caktimi i kësaj date për debate përbën shqetësim dhe se ai nuk do të merrte pjesë në këto diskutime dhe se, në dijeninë e tij, Shtetet e Bashkuara së bashku me vende të tjera do të dalin me një deklaratë, në mbështetje të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare të krimeve”.

 – Ju faleminderit!