Edmond Panariti: Investimi dhe fitimet për oligarkinë, ndërsa taksat e tatimet për vegjelinë

516
Sigal

Deputeti i LSI, Edmond Panariti ka reaguar me anë të një postimi në Facebook ku shprehet se në një vend si Shqipëria, pa bursë dhe pa tregje të aksioneve, ulja e tatimit mbi dividentin është tërësisht fitim i pastër dhe i dhuruar vetëm për një kastë oligarkie dhe ultra të pasur

Postimi i plotë:

Investimi dhe fitimet për oligarkinë, ndërsa taksat e tatimet për vegjelinë! Në një vend si Shqipëria, pa bursë dhe pa tregje të aksioneve, ulja e tatimit mbi dividentin është tërësisht fitim i pastër dhe i dhuruar vetëm për një kastë oligarkie dhe ultra të pasur. Kjo sepse aksionet e korporatave nuk hidhen ne treg për shitblerje , që të mund të blihen nga kushdo që ka kursyer ca para dhe dëshiron që ti investojë ato për të fituar diçka. Për këtë arsye, njerëzit e thjeshtë dhe shtresa e mesme nuk kanë asnjë mundësi që ti investojnë kursimet e punës së tyre në burse dhe aksione. Sepse aksionet dhe dividentët janë vetëm për elitën dhe jo për ta. Ato dhe qarku i interesave janë hermetikisht të mbyllur me vetëm dy aktore, Qeveri – Oligarki. Këtë e di mirë qeveria, e cila nuk heziton por shkel mbi kushtetutë, ligj dhe parlament dhe ja përgjysmon brenda natës tatimin mbi fitimin, kastës me të cilën ajo ndan paratë e taksave tona nëpër skema abuzive koncesionare. Ndërsa nuk ndalet së rrituri barrën e taksave dhe tarifat për shtresën ne nevojë dhe atë të mesme. Dhe madje në mënyrë skandaloze i jep këtij ndryshimi ligjor në favor të ultra pasanikëve edhe efekt prapaveprues. Pra ju zbret korporatave dhe ju lë pa vjelë atyre dhe ato para tatimesh që ata na detyrohen para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve në ligj. Pra një dhuratë e majme për ta por edhe për veten e tyre për Vit te Ri. Sa hap e mbyll sytë, falen me miliona euro detyrime tatimore, që duhet të shkonin në fakt si investime për arsim, shëndetësi, bujqësi dhe infrastrukturë . Kështu fryhen kontot e oligarkëve dhe xhepat e pushtetit, por vazhdojnë të treten paratë për studentët, fermerët, minatorët, pensionistët. Të gjithë këta, nuk kanë rrugë tjetër veç ti kyçin edhe ato pak kursime në leke apo euro, nëpër sirtarët e bankave me interes zero por që do tu ulet vlera pak e nga pak dhe ditë për ditë nga inflacioni dhe komisionet bankare.. E sikur të mos mjaftonte kjo, me paratë e kursimeve të tyre, bankat po kreditojnë oligarkët. Sepse vetëm këta disponojnë garanci sovrane qeveritare si kolateral për të marrë kredi investimi. Në këtë mënyrë ata në lojën e tyre për fitim nuk rrezikojnë fare paratë e tyre, por përdorin vetëm kursimet e të tjerëve , për tu hedhur në aventurat e PPP-ve me partner qeverinë. Për këtë arsye ikona e kapitalizmit Amerikan, Henry Ford ndërsa u drejtohej oligarkëve dhe qeveritarëve shprehej :”Të jeni të lumtur që njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojnë se çfarë behet me paratë e tyre, sepse po ta dinin do t’ju përmbysnin që pa u gdhirë dita mirë “