Edmond Panariti: Fondet për subvencione të vihen në dispozicion të fermerëve të vegjël e të mesëm

697
Deputeti i LSI-së
E nderuar drejtuese e seancës, të nderuar kolegë deputetë! Padyshim që i gjithë Kuvendi sot do të miratojë ratifikimin e marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Austrisë për mbrojtjen shoqërore për këtë nuk ka pikë dyshimi. Është një lajm i mirë që i intereson një mase të gjerë qytetarësh të vendit tonë në radhë të parë që jetojnë, punojnë në Austri dhe anasjelltas, për të përfituar në raport me kontributin e tyre në një spektër të gjerë mbështetje. Dhe sigurisht ky është një lajm i mirë. Për sa i përket pjesës tjetër të popullsisë, popullit shqiptar, ai rri dhe vështron dhe buzëqesh hidhur për arsye se në kuadrin e asaj që ne cilësojmë si mbështetje shoqërore, ai nuk ndjen asgjë. Përkundrazi, po përjeton përditë e më shumë një rrudhje të mbështetjes shoqërore, në kuptimin e privimit të një numri të madh familjesh. Nga ajo asistencë sociale që ata i kishin përfituar deri tani e cilësuar dhe si pjesë e reformës së mbështetjes shoqërore. Përpos faktin që po ndodh diçka që nuk është përjetuar ndonjëherë në historinë e këtij vendi, një asfiksi totale fillake rritje e paimagjinueshme e taksave, tatimeve. Nuk bëhet fjalë për 10, 20, 30, 100, por bëhet fjalë për 3,5,10-fishim, që është diçka e paimagjinueshme. Sidomos në një vend që përballet sot e kësaj dite me sfidën e varfërisë. Dhe u përmend këtu se pjesa e parë e ditës, u diskutua për taksën e Kombit dhe është shumë sinjifikative. Dhe këtu u përmend nga një deputet, që është një utopi e madhe, kur pjesa më e madhe e popullsisë jeton me 2, 3 $ të ardhura në ditë, ngarkohet me 6 $, se aq i bie me kursin, vetëm për një kalim. 
TVSH për bizneset
Dhe ky është vetëm një element i taksimit, sepse kemi taksën e pronës, TVSH që do fillojë të aplikohet me bizneset, duke filluar që nga prilli. Dhe pyetja shtrohet: çfarë emri t’i vëmë këtij sistemi dhe në kuptimin e një doktrine ekonomike? Sepse u përmend pak më përpara, të pyesim profesorët thatë se çmendim kanë për taksën e rrugës së kombit. Është vonë për të pyetur profesorët sepse ajo është bërë fakt dhe profesorët duheshin pyetur në proces. Unë mendoj që profesorët, stafi akademik duhet pyetur për formësimin e politikave të zhvillimit, për investimet. Le të pyeten profesorët e ekonomisë dhe ta thonë ata se çfarë sistemi ekonomik është ky? Dhe unë e kam diskutuar këtë me shumë profesorë të ekonomisë, të cilët ngaqë nuk përfillen, opinionin e tyre e japin nëpër rrjete sociale. Dhe dikush më thoshte që, kur shikoj këtë model të zhvillimit të ekonomisë më ngjason me ekonominë e Reganit. Pra, ekonomia që i targetohet një numri të caktuar sipërmarrësish. Më ngjason, por në fakt nuk është. Në fakt kjo do të ishte një përqasje e djathtë që do ti bënte nder një formacioni të qendrës së djathtë dhe nuk mund të përqafohet nga një forcë e majtë. Por ta lëmë ngjyrën. Popullit shqiptar i intereson që një model zhvillimi të prodhojë mirëqenie, të krijojë investime, të hapë vende të reja të punës, gjë që për fat të keq nuk rezulton nga ky model zhvillimi, i cili jo vetëm nuk ka një dimension social, pra nuk mbron shtresat në nevojë, shtresat e pambrojtura nga lëvizjet tektonike të zhvillimit, por as nuk frymëzon, as nuk ispiron, as nuk lehtëson investimet e huaja, as nuk stimulon biznesin vendas për të rritur investimet, për të zgjeruar bizneset dhe çdo gjë orbitën rreth një rrjeti klientelist, që nuk zgjerohet, por vetëm fryhet, madje kohët e fundit ka filluar të lartësohet, nga 9 kate, 15 kate, 24 kate etj. Dhe ky sistem i përngjan një flluske, e cila po fryhet dhe në procesin e fryrjes po merr ngjyra, si ajo flluska e sapunit që fryhet, ngjyroset dhe pastaj plas, shpërthen dhe sigurisht çon në katastrofë ekonomike, në katastrofë financiare. Pra, ky është sistemi i ekonomisë shqiptare. 
Ekonomia
Unë përmenda `Regano-miks`, por kjo ka një emër që quhet `Putinamiks`, pra një ekonomi që orbiton dhe ushqen vetëm një rrjet oligarkësh, të cilët nuk mund të mbijetojnë, jo vetëm që nuk krijojnë oportunitet për shtresën e varfër që t`i bashkohen kësaj iniciative sipërmarrëse, por vetëm fryhen dhe nuk dinë të ndalen. Pra nuk ndodh efekti `Trickle down`, që është karakteristik për politikat e zhvillimit, pra për ekonominë e targetuar drejt një grupi sipërmarrësish. E gjithë kjo situatë çon në një dëshpërim të thellë të gjitha shtresat e popullsisë, të cilat ndihen të braktisura, të pa begenisura, po lënë vendin dhe po e çojnë popullin në një dëshpërim dhe mungesë perspektive. Pra, kjo është ajo se si unë dhe një pjesë e popullit shqiptarë e perceptojmë dhe pyesim me shqetësim se çfarë është ky model zhvillimi që ne kemi krijuar dhe që po zbatojmë. Ku shkojmë me këtë, kush është dimensioni social apo zhvillimor? Nuk ndihet në asnjë dimension të këtij modeli të zhvillimit ekonomik, as investimet e huaja që po ulen dhe as nga ana shoqërore. Pra, kemi varfëri, njerëz që privohen nga asistenca sociale, tatimet dhe TVSH-ja. Do vijë një ditë që do shkruhet për këtë histori e këtë çudi, por le të kalojmë edhe një herë te thelbi i kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje duhet të frymëzonte në fakt pasi ka një frymë pozitive dhe duhet të na bënte të mendonim se si ne duhet të rrisim mbështetjen shoqërore për grupet vulnerabil. 
Përmbytjet
Le t’i referohemi rastit më të fundit, përmbytjeve e mëdha që preken veriun e shtetit. Natyrisht përmbytje ka ndodhur dhe do ndodhin, janë fatkeqësi natyrore pavarësisht se u hezitua, por unë kurrë nuk e kam kuptuar se pse nuk e shpallën gjendjen e jashtëzakonshme apo emergjencën kombëtare. Çfarë po ndodh atje? Duhet thënë që ka dëme të pallogaritshme, nuk ka më bujqësi dhe kjo ka ndodhur edhe në kohën kur unë kam qenë ministër. Atëherë, si do dalim nga kjo situatë? Është e vërtetë që qeveria ka alokuar fonde për subvencione të bujqësisë, por tashmë bimët aty janë asfiksuar. Ujë ka qëndruar 4 apo 5 ditë, fushat e mbjella janë me prodhim totalisht të asgjësuar. Unë kam një propozim dhe për këtë jam konsistent, nuk po e them ngaqë jam në opozitë. E kam thënë dhe është realizuar për fat të mirë falë mirëkuptimit që kemi pasur, kjo edhe në kohën kur kam qenë në qeveri. Në kohën kur ka katastrofa natyrore dhe është shkatërruar sistemi bujqësor, fondet që jepeshin për subvencione do kalonin për kompensimin e dëmeve bujqësore dhe blegtorale, shkatërruar nga përmbytja. Prandaj, të mblidhet qeveria me propozimin e ministrit të Bujqësisë, të merret kjo vendimmarrje siç ndodhi atëherë fatkeqësia natyrore e sëmundjes së dermatozës nodulare. Ne ndërhymë, por ngordhën kafshët atje. Nuk e njihnim këtë sëmundje, e frenuam infeksionin, por megjithatë patëm dëme. Natyrisht më kujtohet kur mu desh të shkoja tek familjet e varfra, ku qanin. Morëm një vendim që nuk ka qenë i lehtë, por e morëm me kurajë. 
Subvencionet
Me propozimin tim i kërkova qeverisë që ato fonde kombëtare për subvencione të blegtorisë, të kalonin për kompensimin e dëmeve nga kafshët e ngordhura nga sëmundje dhe u blenë kafshë të shëndetshme. Sot ato kafshë janë ende, madje janë në proces laktacioni. Kjo është ndihma, e bëni dot? Unë nuk e di se si do bëhet vlerësimi sepse tani nuk ka as drejtori për bujqësinë. Prandaj jua them miqësisht që të mos nxitoheni, por të ndërmarrim një reformë. Pra, kush duhet të bëjë vlerësimin e dëmeve, në mënyrë që pastaj t`i paraqitet qeverisë dhe për të marrë masat. Ky është një sugjerim miqësor dhe është një veprim kompansioni, begenisje dhe mbështetje shoqërore ndaj atyre fermerëve të dëmtuar. Kjo është ndjeshmëria dhe ky është subtrati i shtetit social, i shtetit, i cili ndodhet përkrah fermerëve dhe blegtorëve. Mendoj që kjo i bën nder edhe qeverisë. Madje, mund ta kapitalizoni edhe politikisht, por këtu nuk bëhet fjalë për kapital politik, këtu bëhet fjalë për të ndihmuar atë shtresë e cila tashmë është katandisur keq, ka të dëmtuar prodhimin bujqësor, në një masë të madhe edhe blegtorinë dhe kërkon që të kompensohet për investimet që ka bërë, për kostot e punimeve të tokës me traktorë, për farat, për fidanët, për plehrat kimike. Këtë kërkojnë, sepse aty nuk ka prodhim bujqësor se çfarë të subvencionosh, që të dorëzojë dhe pastaj të llogarisë, e kështu me radhë. Prandaj, ky është një sugjerim miqësor. Mendoj që të mos prevalojnë emocionet këtu, se këtë e ka thënë Panariti apo dikush tjetër. Unë këtë e kam thënë edhe në qeveri. Sepse dikush mund të thotë: E thua nga komoditeti i opozitës. Absolutisht, unë jam konsistent në atë që kam thënë dhe vazhdoj të them. Ky është rasti më i mirë për të treguar përkujdesje, dhembshuri për ata njerëz që janë dëmtuar dhe ato fonde t’i alokoni. Me marrëveshje, sigurisht. Kjo është rruga. Unë mendoj që politika e zhvillimit lëviz në dy binarë, binarin zhvillimor të incentivave të lehtësirave fiskale, të nxitjes së investimeve të huaja për të krijuar perspektivë zhvillimi, punësimi. Por është edhe dimensioni tjetër, ai social. Ato shtresa vulnerabil, të pamundura që duhen ngritur në këmbë, duhen mbajtur në këmbë, sepse vetë e kanë të pamundur që ta bëjnë këtë. Dhe meqenëse jemi në politikat e mbështetjes së bujqësisë, do t’u sugjeroja që të futet sa më parë në lojë mekanizmi i kreditit agrar. Ishte një arritje e madhe në qeverisjen e kaluar që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me qeverinë shqiptare vendosi një fond garancie pikërisht për të stimuluar kreditimin e bujqësisë me interesa të ulëta. Dhe ideja ishte që ky kredi agrar të shkojë për ‘të mëdhenjtë’, ndërsa fondet e subvencioneve të shkojnë për ‘të vegjlit’. Pra, kreditë për të fuqishmit dhe paratë e falura, grantet, për të varfrit që të ngrihen në këmbë dhe të mbahen në këmbë. Por, çfarë më rezulton? Po shikoj që krediti agrar nuk po lëviz dhe përsëri këto ‘të mëdhenjtë’ e fuqishëm po orientohen drejt fondeve të subvencioneve që në fakt duhet t’i takojnë fermerëve të vegjël dhe atyre të mesëm, sepse ata kanë nevojë vërtet për to. Një fermer i vogël e ka të vështirë të aplikojë dhe të marrë një kredi për zhvillim nga sistemi bankar, sepse ka problemet e kolateralit dhe një sërë problemesh të tjera që ia vështirësojnë punën. 
Masa e përfitimit
Prandaj ishte e këshillueshme dhe prandaj e vendosëm që në qeverinë e kaluar që grantet të shkojnë për ‘të vegjlit’ dhe gradualisht sipërmarrësit e mëdhenj të përfitojnë nga sistemi i kreditit agrar. Unë mendoj që kur ekziston vullneti, gjithçka është e mundur. Të rishikohet, të ulet pak steka e vendosur për subvencionet që masa e përfitimit dhe kriteret e aplikimit të përfshihen edhe ata fermerë të vegjël dhe të mesëm, të cilët e kanë të pamundur të përfitojnë nga krediti agrar, jo për fajin e tyre, por sepse i tillë është procesi i informalizimit, nuk kanë çfarë vendosin si kolateral. Dhe gjithmonë e më shumë, masa e sipërmarrësve të mëdhenj, atyre që kanë pika grumbullimi, frigoriferë, magazina frigoriferike, të orientohen drejt kreditit agrar. Në këtë mënyrë krijojmë balancën e nevojshme për një përfitim sa më të gjerë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve në fushën e bujqësisë. Dhe ky është dimensioni social. Kjo është mbështetja shoqërore. Unë mendoj që duke reflektuar me këtë frymë, duke bashkëpunuar pozitë-opozitë, sepse këtu nuk bëhet fjalë për luftë politike, këtu bëhet fjalë për të rritur sa më shumë masën e përfituesve në bujqësi dhe masa më e madhe e përfituesve në bujqësi janë fermerët e mesëm dhe të vegjël. Pra, duhet më tepër kompasion, vëmendje ndaj fermerëve të vegjël, natyrisht duke pasur vëmendjen e duhur, duke gjetur një mekanizëm të ri financimi për sipërmarrësit e mëdhenj, të cilët natyrisht përpara se të shikojnë mundësinë e granteve duhet të shohin forma të tjera financimi, sikurse janë kreditë bujqësore. Dhe mendoj që me atë sforco shumë pozitive që u bë me fondin e garancisë, që nuk është i vogël, paratë janë në banka, të cilat kanë super likuiditet dhe tashmë kanë edhe garancinë e fondit të garancisë, mendoj që edhe me nxitjen e qeverisë, duhet të përfitojnë nga sistemi i kreditit agrar dhe t’ua lënë grantet, paratë atyre që janë më të pamundur, janë më të vegjël, që edhe ata të ngrihen dhe të bëhen pjesë e një sistemi solid të zinxhirit të vlerave. Faleminderit. 
Sigal