” Edi Ramës i mungon alternativa e bashkimit të së majtës”

432
Sigal

INTERVISTA/Moikom Zeqo, shkrimtar dhe publicist: “Kjo gjendje e mbijetesës së qeverisjes është pasojë edhe e dobësisë së pafalshme të opozitës”

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Moikom Zeqo në intervistën për “Telegraf”, skanon politikën e PS-së, pikërisht, pas Asamblesë Kombëtare, që akoma nuk u mor vesh përse u bë dhe çfarë alternativash politike shtroi përpara elektoratit shqiptar, meqë jemi futur në fushatën elektorale. Zoti Moikom duke analizuar aktualitetin politik, arrin në konkluzion se mbijetesa e qeverisjes Berisha është pasojë e dobësisë së pafajshme të opozitës, ngaqë, sipas zotit Moikom, në politikën e PS-së ka dilentatizëm, sepse opozita merret  më shumë me anën spektakulare dhe deklarative dhe nuk merret me thelbin e gjërave.

– Zoti Moikom, a nuk është e dyshimtë heshtja dhe anashkalimi nga PS-ja ndaj  mënyrës se si përgatitet festimi i 100 vjetorit të Pavarësisë, derisa ka kaq shumë kontestime, qoftë politike, qoftë edhe historike?

– Unë i përkas opozitës dhe i takoj tërësisht, edhe kur kjo opozitë të jetë në qeverisje, unë prapë do t’i takoj opozitës, sepse opozita ka të bëjë me oponencën dhe kriticizmin që iluminon politikën. Një nga kritikat që i kam bërë opozitës, është se opozita e ka kuptuar jo në mënyrë shkencore politikën, por e ka shpërdoruar në mënyrë më dilentante. Nuk kishte kauzë më të madhe politikë për  opozitën, sesa të bënte 100 vjetorin e Pavarësisë. 100- vjetorin e Pavarësisë, jo ta bënte në kuptimin banal politik, por si një kauzë politike për të ndriçuar arritjet kombëtare dhe për të bërë kriticizmin e mangësive të sotme.  Politika  e vërtetë nuk është e shkëputur nga shkenca. Dilentatizmin nuk e njeh shkenca. Habitem sesi PS-ja ia la të drejtën e festimit të 100 -vjetorit të Pavarësisë thjesht qeveritarëve dhe nuk u mor edhe me këtë çështje vetë, për të treguar nderimin e madh ndaj ngjarjes epokale të Pavarësisë. Për të treguar që Pavarësia nuk i takon një partie, apo disa partive, por i takon gjithë kombit shqiptar. Opozita, e cila ka pushtetin vendor, pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Vlorën, mund ta kishte shndërruar një proces meditimi e reflektimi çështjen e 100 -vjetorit të Pavarësisë  dhe ta kishte qendërzuar Vlorën në një vatër dhe laborator të ideve të progresit e të zhvillimeve të reja  politike në Shqipëri. Opozita nuk e bëri këtë, sepse ka vepruar në mënyrën më të plogët të mundshme, plot gabime dhe pa vizione të mëdha politike. Më habit fakti që PS-ja, jo vetëm ka heshtur për 100- vjetorin e Pavarësisë, por nuk ka bërë atë që i takon. Duket sikur Pavarësia i takon një kahu dhe nuk i takon pjesës më të madhe, elektoratit të majtë. Kjo është një marrëzi konceptuale e opozitës socialiste.

 – Edhe pse PS-ja deklaroi, që pas Asamblesë Kombëtare, ka një strategji e platformë politike për fitoren e 2013-s, a bindi se ka alternativa për të sjellë ndryshimin e premtuar?

– Kush e di tamam- saktësisht, detajisht programin, se nuk është akoma në  një njohje publike maksimaliste ky program. Shumë-shumë janë disa deklarata, janë disa kritika për gjendjen ekonomike, kritika, natyrisht, për qeverinë e Berishës. Po a është e mjaftueshme kjo për të treguar një alternativë? Unë mendoj që nuk është shumë e mjaftueshme. Natyrisht, që opozita ka në favor  të saj kohën,  madje edhe momentin historik,  se qeveria është konsumuar, se qeverisja e sotme është shumë problematike, madje disa herë edhe katastrofike, por kjo gjendje e mbijetesës të qeverisjes, është pasojë edhe e dobësisë të pafalshme të opozitës. Nuk besoj se me deklarata mund të bësh opozitë, ose mund të ndërtosh një alternativë politike.

-Çfarë kërkon dhe çfarë duhet të përmbajë  alternativa politike, që të bindë në programin që afron për ndryshimin e kërkuar? Mos vallë vizitat e Edi Ramës nëpër ferma bujqësore dhe biznese të vogla janë alternativat politike?

– Alternativa kërkon tjetër gjë. Nuk besoj që, duke bërë kritika me fermerët, duke bërë biseda me fermerët, mund të ndryshosh çështjen e bujqësisë të shqiptarëve, sepse bujqësia shqiptare është fenomen kombëtar, është institucion kombëtar. Ky institucion kombëtar është shkatërruar prej vitesh dhe kërkon një punë titanike, jo thjesht nga një parti, por, ndoshta, nga gjithë shoqëria, që të ribëhet. Kështu që opozita merret  më shumë me anën spektakolare dhe deklarative dhe nuk merret me thelbin e gjërave, me atë që quhet politikë gjithëpërfshirëse , programore, cilësisht e ndryshme dhe vizionare Pra, me bindjen që alternativa e PS-së, e cila kërkon të marrë pushtetin,  është diçka  krejt e besueshme , bindëse dhe logjike tërësisht, që  do të jetë krejt e ndryshme  dhe shpëtimtare për Shqipërinë.

– Ju si do ta cilësonit politikën e dyerve të mbyllura të forumeve të PS-së, sikurse ishte edhe Asambleja Kombëtare, kur, ndërkohë, Ramiz Alia hapi dyert e forumeve të PPSH-së, në 1990?

– Nga media dëgjova këtë punën e dyerve të mbyllura të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku u ndaluan edhe valët e celularëve. Një gjë nuk jam në gjendje të kuptoj. Thjesht si qytetar. Në qoftë se opozitarët bëjnë një Asamble të një partie të madhe, ca më tepër të partisë  së majtë, për programin elektoral, nuk supozohet që ky program elektoral të jetë i mbyllur për një grup njerëzish, por të jetë i hapur për gjithë shqiptarët, papërjashtim. Pra, duhet të kishin bërë  të kundërtën. Të kishim konceptualizuar dhe fuksionalizuar maksimalizimin e informacionit dhe përhapjes së ideve politike elektorale. Dhe nuk mund të  bëhej së prapthi, pra në konspiracion arkaik të, siç ndodhi, të një debati të mbyllur të PS-së.  Të mbyllur për çfarë? Partitë, me  konceptin e sekreteve, janë rudimente  të organizimit të tejkaluar dhe pa kuptim. Asgjë nuk fitohet me një organizim okult, që nuk i shërben askujt, as partisë, as elektoratit, as Shqipërisë.

– Gramoz Ruçi në Parlament e quajti fitore të PS-së, pamundësinë e Berishës që të përgjojë…debatin në Asamble. Mos vetë PS-ja është futur në një qerthull politik?

-Pse duhet përgjuar një debat? Si mund të përgjohet një debat? Debat për çfarë? Për politikën fituese elektorale? Për taktikat? Strategjinë politike? Në demokraci është  absolutisht  e kundërta, shfrytëzimi i çdo mundësie , i shumëfishimit mediatik i të gjitha ideve kundërshtuese ndaj qeverisjes, pra i argumentimit ideor pse PS-ja i kundërvihet publikisht, në rrafsh demokratik, qeverisjes së mbrapshtë dhe që i ka ikur koha. Jo fshehja, por shpalosja e  luftës mendore, është plotfuqishmëria e një partie serioze dhe moderne.

– Çfarë tregon debati i mbyllur politik brenda PS-së?

– Karakteri diletant i politikës së PS-së ende nuk është shmangur dhe vazhdon të jetë i pranishëm dhe nuk po ndodh ai ndryshim dinamik i kritikës publike dhe  për më tepër, ngritja në një shkallë të lartë cilësore, e organizimit të gjithmbarshëm të partisë. Shihen lëvizjet ritual të kryetarit, por nuk ndihet fare masivizimi në të gjitha indet e shoqërisë shqiptare i opozitës. Politikat e vërteta janë politikat e kritikave të hapura si institucione organizimi perfekt tek elektorati dhe përgjithësisht në popull. Nuk ka politika të mbyllura. Politikat e mbyllura janë enklava, janë gjërat, të cilat nuk kanë perspektivë.

– Diktimet e politikës së Edi Ramës edhe në strukturat partiake të PS-së, siç ndodhi së fundi në zgjedhjet në qarkun e Vlorës, po ngjall reagime pakënaqësie te vetë socialistëve. Shikoni ndonjë reflektim në politikën e Kryetarit të PS-së, që të bashkojë të gjithë socialistët për fitoren e 2013-s?

– Tani, në çdo parti politike, ka të pakënaqur, edhe në partitë e djathta dhe në ato të majta, sepse janë edhe karakteret njerëzore që janë edhe kontradiktorë. Nuk mund të thuhet që një parti e suksesshme nuk ka të pakënaqur brenda saj. Nuk është problemi te të pakënaqurit, tek PS-ja. Problemi është te veprimet politike. Veprimi politik nuk është aq personal, sa mendohet, por është veprimi i një partie të tërë, që i afrohet elektoratit për një fitore të sigurt. P.sh, PS-ja alternativën më të sigurt, ose atë që nuk ka arritur ta ndërtojë deri më sot, do të  ishte  bashkimi i tërë së majtës. Nuk shoh ende një veprim të tillë të zgjuar, shumëplanësh, për të bashkuar të majtën. Përkundrazi, shikoj një Status-Quo, e cila ka zgjatur më shumë se ç’duhet. Ka 4 vjet që vazhdon kjo Status- Quo, e cila, me sa shikoj, se kjo Status- Quo do të vazhdojë dhe e majta nuk po bashkohet. Nëse do të bashkohet kur do të ndodhë më në fund një gjë e tillë kaq e dëshirueshme dhe frymëzuese ? Në kalendat greke ?

– Karakteristikë kryesore e politikës së Edi Ramës, është se, ndërsa fillimisht mban një qëndrim politik, më vonë, tërhiqet tërësisht, pa u bërë i besueshëm.  Mund ta shpjegojmë këtë me mungesë strategjie, apo është qëndrim politik konstruktiv, për hir të konsensusit?

– Në politikë, qëndrimet nuk mund të jenë këmbëngulëse deri në fund. Mund të ketë tërheqje në momente të caktuara. Por, këto duhet të jenë tërheqje taktike, jo strategjike. Mua më bën përshtypje, që PS-ja në çështjet politike të kohës nuk ka qenë  shumë e qartë se çfarë ka kërkuar. Dhe kjo e ka bërë atë më të lëkundur, të mos ketë një  dimension konsenguent dhe një qëndrim më të vendosur në atë që është më e logjike dhe që është më esencialisht politike  deri në fund, për ta kërkuar këtë atu dhe problematikë për zgjidhje deri në fund. Kjo shpjegon lëkundjet e politikës të PS-së, tregon që vizioni politik i PS-së është ende i mangët. Dhe këtë e them me trishtim të madh, sepse do të doja me gjithë shpirt që të ishte e kundërta.

 – Çfarë i mungon opozitës?

– Opozitës, nuk i mungon asgjë, përkundrazi,  në raport me PD , ka shumë më tepër potencial njerëzor për ta arritur fitoren e saj.  Ka një elektoral më të madh, ka njerëzit me kapacitete intelektuale më të mëdha, ka një pushtet kryesor urban vendor të rëndësishëm. PS-ja nuk di t’i shfrytëzojë këto kapacitete. Mungesa e shfrytëzimit të kapaciteteve tregon që PS-ja ende ndodhet në një fazë të puberteti politik, ku mendohet që lideri është gjithçka dhe pjesa tjetër është një përshtatje ndaj liderit. Në fakt, është e kundërta. Problemi i liderëve të njësuar me partinë, është një marrëzi në demokraci. Demokracia nuk e pranon një gjë të tillë.

–  Ka një mendim, që nuk duhet kritikuar opozita, edhe pse ka gabimet e saj, për hir të përpjekjeve për të ardhur në fuqi. Vërtet, a ndihmohet politika, duke heshtur ndaj mungesës së alternativave dhe mosarritjen e saj që të bindë elektoratin?

– Nëse opozita kritikon, pse duhet të ketë frikë nga kritikat? Asgjë e keqe nuk vjen nga kriticizmi emancipues. Ai që kritikon nuk mund të mos jetë edhe vetë i kritikueshëm. Ç’kuptim ka që nëse kritikohen të metat e një partie (kushdoqoftë kjo parti, e majtë apo e djathtë ) kjo gjë  gjoja nuk e fuqizon akoma më shumë vetë kritikën që partia opozitare bën ndaj  qeverisjes? Ku është emancipimi politik  këtu? Kritika argumentuese nuk është një instrument monopolizues i një kryetari, apo i një grupi njerëzisht, që  kinse paskan kredencialet  e kritikës ndaj  të tjerëve dhe nuk pranojnë kritika ndaj vetes. Një konceptim i tilla i rolit të kritikës tregon një provincionalizëm të habitshëm, një provincionalizëm  me nivelin e mllefeve dhe inateve të vogla, Serioziteti i madh i një partie politike moderne është jo vetëm në substancën e kritikës ndaj të tjerëve, por, pikërisht, sa  me mature dhe mençuri merr parasysh kriticizmin lëvizës, ndaj vetvetes. Nëse  një parti ka frikë se e kritikojnë atëherë pse mëton të kritikojë ?

– Do të ishte bindës për elektoratin e majtë politika e Ramës, që të aleatojë me LSI-në, derisa LSI-ja është pjesë e keqqeverisjes dhe derisa deklaron që do të respektojë marrëveshjen e bashkëqeverisjes?

-Çështja e aleancave edhe me parti me identitete te ndryshme është vetëkuptohet një pjesë e politikës, por jo kryesorja. PS-ja duhet t’i japë më  përparësi fuqizimit të saj konceptual dhe në raport me elektoratin e majtë më masivin në Shqipëri, jo duke e zbehur identitetin e saj, por duke e profilizuar parimisht.

– Cila duhet të jetë reforma kryesore e tërë politikës shqiptare, në tërësinë e saj?

– Nuk mund të ketë parti që mishërohet te lideri. Partitë zgjedhin , një, dy, tre…dhjetë kryetarë, sipas etapave dhe reforma e parë që duhet të bërë në politikën shqiptare, duhet që kryetarët e partive të mos kenë më shumë se dy mandate. Kjo do të jetë një terapi shëndeti.

– Meqë erdhi fjala, në Konventën e LSI-së, a nuk është një hap mbrapa demokratik, zëvendësimi statutor, që kryetari i partisë të mos ketë kufizim 2 mandate, por mund të jetë i përjetshëm?

– Në çdo parti politike, e cila vendos që ai që e drejton partinë të ketë jo kufizim në mandat, nuk ka të ardhme. E them për çdo parti, qoftë të majtë, qoftë të djathtë. Koha e vërteton, që nuk mund të mbijetojnë partitë me kryetarë të përjetshëm.  Është vetë cikli dhe substanca e demokracisë që nuk e lejon këtë gjë.

 – Ngjarjet e fundit, përpjekja e qarqeve shoviniste greke, që të shfrytëzonin homazhet  e tyre në tokën tonë, ndaj të vrarëve të luftës, në shërbim të ambicieve ekspansioniste të pretendimeve territoriale dhe heshtja e mosreagimi me forcë i politikës e diplomacisë shqiptare, a duhet të na ndërgjegjësojnë për rreziqet  të çështjes tonë kombëtare?

– Çështja e nacionalizmit është një element i  politikës shqiptare. Ose, kombëtarizmi, në qoftë se do ta quajmë. Mundet një shtet, që ka disa parti politike, të mos marrë parasysh që ka një komb etnik, që është brenda këtij shteti. Këtë e kanë grekët, e kanë amerikanët, e kanë francezët, e kanë shqiptarët. Dhe nuk mundet që zhduken ndjenjat kombëtare, të cilat janë vlera demokratike, që janë të drejta njerëzore. Unë nuk mund të them që në emër të drejtave të njeriut, të shpall që unë nuk jam shqiptar, kur unë jam shqiptar. Përkundrazi, të them që unë jam shqiptar, është një nga të drejtat e njeriut. Tepria dhe spekulimi që është bërë se gjoja kjo ndjenjë kombëtare është e gabuar, ose e papranueshme, në  një kozmopolitizëm abstrakt, nuk mund ka të bëjë me politikën reale. Politika reale i merr parasysh të gjitha gjërat. Mendoj, që politika greke, me nacionalizmin e saj të sëmurë, është në një fazë primitive ballkanike dhe jo me epokën e sotme të integrimit.

– A nuk lind dyshime vendimi i Gjykatës së Lartë, që anulon vendimin e Gjykatës së Apelit për Naum Dishon, pikërisht një ditë para se grekët të bëjnë homazhe në tokën tonë, për të vrarët e luftës së tyre?

– Padyshim , që këto vendime gjykate të kësaj forma janë klientelizëm politik, nuk kanë të bëjnë me drejtësinë. Por këto nuk janë dhe kaq të rëndësishme, sepse nuk e vendosin këto përfundimisht, në mënyrë juridike, se çfarë duhet të mendojnë shqiptarët për veten e tyre. Duket që kjo gjë më shumë komprometon gjykatën.

– Faleminderit!