Edi Rama:Ja si do të qeverisim me Metën!

585
Sigal

Dje ishte dita e dytë e Konventës së PS-së, e cila  zbardhi në detaje programin qeverisës dhe jo elektoral, siç do të thoshte Kryetari i PS-së, Edi Rama, në intervistën që zhvilluam para fillimit të punimeve  të Konventës. Aty, nga ora 12:24, Kryetari i PS-së, u fut në sallën e Pallatit të Kongreseve, ku zhvillonte punimet Konventa e PS-së, i pashoqëruar nga askush. Madje, edhe ata deputetë, kandidatë të PS-së dhe punonjës të tjerë të selisë rozë, nuk reaguan me hyrjen e zotit Edi Rama në sallë, por gjithsecili vazhdoi në punën e vet. Edi Rama, i veshur thjesht, me një xhaketë ngjyrë bezhë,  me një këmishë ngjyrë violet në mavi të hapur, pa kravatë, dhe me duar në xhepa, inspektoi skenografinë e sallës. Diku, filloi të “urdhëronte” disa punonjës për ndryshimin e dekorit, sidomos të luleve që ishin vendosur jo në vendin e duhur, sipas Kryetarit të PS-së, Edi Rama. Ishin çaste intime, ku Edi Rama të dukej sikur ishte një prej organizatorëve të skenografisë, teksa bashkëbisedonte me këdo nga punonjësit, ashtu thjesht, në njëjës midis tyre. Bile, një nga punonjësit, i shprehu një mendim tjetër, nga ai “urdhër” që i dha Edi Rama, për të vendosur pranë skenës, në të majtë, një lule të madhe. Mirëpo, Edi Rama, e kundërshtoi, duke i thënë: “Bë atë që të them unë, ku di ti.” Djaloshi, tundi kokën dhe provoi ta ngrinte vazon e madhe. Rama e ndiqte me bisht të syrit, qeshi, kur djaloshi nuk e ngriti dot lulen dhe i bëri me shenjë dy të tjerëve që ta ndihmonin. Kur lulja u vendos aty ku tha Kryetar Rama, ai qeshi, duke thënë: “Bukur, tani, po”. Ndërkohë, Rama kthehet nga vendi, ku ishte ulur Ilir Beqja, në rreshtin e parë, e bisedonte me deputeten Felaj e dy të tjerë. -“Ti, Beqja, na jep një mendim për pamjen e skenës”,- i thotë me të qeshur Rama. Beqja i bëri një shenjë mosdashjeje të shprehej. Atëherë Rama i thotë me një ton ngacmues: “Ti, Beqja mund të japësh ide, mendime për gjithçka, por vetëm për skenografinë nuk mund të thuash asgjë. Dhe e di përse nuk duhet të thuash asnjë gjë? Sepse për skenografinë nuk di, nuk e ke idenë fare. Më mirë rri e shiko, si do ta rregullojmë ne”. Beqja e kundërshtoi dhe atëherë Rama iu kthye: “ Ja na thuaj, ç’ngjyrë ka kjo”- dhe i dëfton me gisht tapetin e shtruar që kishte mbuluar skenën. “Thuaj, ç’ngjyrë ka? Kafe? Blu? Jeshil? E shikon që as ngjyrat nuk i di t’i përcaktosh?- e ngacmoi edhe më tej Rama mikun e vet Ilir Beqja, i cili mundohej t’i thoshte ngjyrën, i ndihmuar edhe nga të tjerë, të cilët qeshnin. “Ja më thuaj, çfarë ngjyre kanë ndenjëset e sallës?”- i tha Rama, për ta ngacmuar edhe më tej. Beqaj i tha ngjyrën e verdhë, ndaj Rama e kundërshtoi me triumfin e fitores së shakasë. “E shikon që nuk e di. Tulipan është ngjyra, jo e verdhë”.

Në momentin e parë, që sapo u përgatita për intervistën, bie zilja e telefonit. U nxitova ta mbyllja, por Rama, duke hedhur shakanë e batutë, më vjen në “ndihmë”, duke më thënë.

– Ke të drejtë ta mbash hapur telefonin, sepse  është “Telegraf”-i, që telegrafikisht lajmëron. Sot është dita e dytë e Konventës Zgjedhore, i kushtohet i gjithi programit, një programi më të detajuar i një force politike që ka pasur këto 20 vjetët e fundit. Nuk është një program elektoral i radhës, është një program qeverisës. Një kontratë qeverisës me popullin. Pala tjetër nuk ka program. I rikthehet gjithmonë vetvetes. Kapet shpesh pa leje në pjesët e kopjuara prej nesh, ndërkohë që ne e kemi shumë të qartë se ç’do të bëjmë që nga dita e parë e qeverisjes.

–  Zoti Rama ç’do të thotë ky sfond i skenës, që tregon një pamje pallati lagjeje?

– Ju e komentoni sipas këndvështrimit tuaj. Ne kemi lindur në politikën shqiptare për ta emancipuar politikën në sjellje, në komunikim, në imazh. Historia e zgjedhjeve në Shqipëri flet vetë për risitë e vazhdueshme që kemi sjellë. Kështu që, edhe kjo skenografi e sotme është një risë dhe besoj që kur të kompletohet me përmbajtjen dhe protagonistët, do të jetë e plotë dhe e këndshme.

– A janë përfshirë te programi ato sugjerime që ju keni marrë gjatë takimeve edhe me grupet e interesit, edhe me qytetarët e thjeshtë?

– Nuk është nga programet e shkruara retorike nga një grup njerëzish, për të paraqitur një platformë  elektorale që ditët pas zgjedhjeve hidhet në kosh. Kemi shkruar me komunitete, me grupe interesi, me vendas e të thuaj, me organizata të shoqërisë civile, me pronarët, mësues, mjek. Është një program që ka autorësinë e shumë njerëzve dhe është pronë e publikut. Ne e kemi ndërtuar qysh në fillim të tillë dhe të tillë  besoj se  do ta kemi më të lehtë ta shfrytëzojmë, që ta bëjmë edhe qeverisjen pronë publike.

Kandidati i LSI-së, Nasip Naço, deklaroi që do të votohet për Ilir Metën, Kryeministër, ndërkohë që, vetë Meta e ka mohuar. Ju ç’mund të thoni në lidhje me këtë?

–  Të jeni të sigurt se, asnjë diversion mbi fjalime apo fjali të thënë mes entuziazmit të fushatës nuk funksionon, aleanca jonë është kompakte PS-ja është forca udhëheqëse e kësaj aleance në kohezion dhe në sintoni të plotë me LSI-ë si pjesë e boshtit, së bashku me aleatët e tjerë  dhe mos kini as merakun më të vogël se kush do të jetë Kryeministri pas fitores. Është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për t’u zgjidhur bazuar mbi çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit. Kështu që në këtë pikë,  më vjen keq po nuk keni çfarë të peshkoni, edhe pse tani Saliu ka mbetur pas ngjalave dhe i duhet të peshkojë  kudo ku sheh mundësi për të peshkuar dhe përgjithësisht, po peshkon në tokë të thatë.

– Cilat janë pikat kryesore të programit tuaj?

– Në mënyrë të përmbledhur, programi ynë për një Rilindje shqiptarë është alternativa e rilindjes, përkundër rrënimit të vazhdueshëm. Është alternativa e punësimit përkundër rritjes së vazhdueshme të papunësisë. Është alternativa e lirisë së konkurrencës dhe e mbështetjes së sipërmarrjeve të vogla e të mëdha, përkundër shkatërrimit të biznesit e mureve të monopoleve klienteliste. Është alternativa e taksimit të ndershëm, që do të sjellë uljen e taksave për 95 % të popullsisë, përkundër taksës së sheshtë që e ka shkatërruar komplet shtresën më të varfër dhe po e mbyt, është alternativa e shërbimeve publike sipas nevojës, e shëndetësisë falas, e arsimit të garantuar edhe për ata që janë të varfër, përkundër shërbimeve të tjera që jepen vetëm sipas xhepit. Është alternativa e rilindjes së fshatit nëpërmjet zhvillimit rural, përkundër braktisjes së fshatit në kushtet e mesjetës, ku por rishfaqen kënetat dhe janë rikthyer parmendat. Është alternativa e një shtëpie të pastër, përkundër një vendi që lëngon mes plehrash dhe importon plehra nga jashtë. Është alternativa e një Shqipërie model suksesi e frymëzimi në rajon, përkundër një Shqipërie që tërhiqet zvarrë sipas tekave të pushtetit, drejt humnerave të nacionalizmit primitiv.

– Çfarë risie ka kjo fushatë elektorale e PS-së?

– E shikoni që fushata jonë është e mirëpritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, nuk i kemi patur në fushata e shkuara gjithë këto energji të mëdha, pozitive dhe këtë entuziazëm të madh kudo që shkoj dhe kur flas për sheshet e mbushura, se sheshet i mbush edhe qeveria, unë flas për faktin e thjeshtë. Ne pritemi, mbështetemi inkurajohemi, nxitemi nga qytetarë që ngrihen mbi muret e presioneve, shantazheve, kërcënimeve, që vijnë njerëz të lirë nëpër takimet tona, ndërkohë që, qeveria i mbush sheshet me robëri e pushtetit që merren me lista, që vihen në rresht, u caktohen kuadrate, këtu kuadrati i shërbimit shëndetësor, këtu kuadrati i Drejtorisë Arsimore, aty kuadrati i agjencisë së tatimeve, aty kuadrati i sekserëve dhe praktikisht janë dy botë të ndryshme që ballafaqohen me njëra-tjetrën. Ne jemi shumë të kënaqur që në këtë 23 Qershor do t’i çlirojmë robërit, që i mban pas pushteti, duke i kërcënuar me bukën e gojës dhe do t’i japim vendit liri për çdo individ, lirinë për sipërmarrjet, lirinë për media, lirinë për çdo familje e për çdo komunitet. Pas 23 Qershorit, të votojnë për kë të duan, do të jenë të lirë të zgjedhin për kë të duan një njësitë vendore, do të jenë të lirë dhe do të mbështeten në funksion të mbështetjes të gjithë vendit dhe jo në funksion të përkatësive politike të familjeve.

– Palët politike, edhe PD-ja edhe PS-ja sikur janë ambientuar me funksionimin e KQZ-së me 4 anëtarë.

– Dëgjo, kjo është një pyetje e përsëritur përditë. Përditë është e njëjta përgjigje. Në qoftë se duan ta mbajnë KQZ-në si një organizatë partie, le ta mbajnë. Aty e kanë. Ta mbajnë bashkë me përgjegjësinë që do të mbajnë para popullit, nëse KQZ-ja do të funksionojë si një organizatë partie.

A mund të pretendohet që do të jenë legjitime zgjedhjet, nëse ato do të zhvillohen me këtë KQZ gjysmake?

Nuk mund të ketë zgjedhje normale me Saliun. Ne këtë e dimë. Populli shqiptar këtë e di dhe zgjedhjet normale në Shqipëri, me standarde ndërkombëtare, do t’ja sjellim ne, pasi të fitojmë në 23 Qershor. Edhe me këtë anormalitet, nuk e ndal asgjë  fitoren  për të hapur rrugën e Rilindjes dhe nuk e shpëton asgjë kastën  që ka rrënuar Shqipërinë.

Për 3 ligjet, edhe ju, edhe PD-ja, edhe zoti Meta jeni shprehur se doni t’i votoni.

– Jo. Nuk është dakord PD-ja që të votohen 3 ligjet, sepse po të ishte dakord, le të vijë  t’i votojë 3 ligjet. Ka një propozim të bërë nga Kryetari iLSI-së, që ne e kemi mbështetur. Në qoftë se duan këta që të marrim statusin e kandidatit vërtet, që sipas kalendarit, trajtohet dhe merret në fund të vitit dhe në qoftë se vërtet  marrja e statusit kandidat varet nga këto 3 ligjet, sipas tyre, sepse sipas nesh, nuk varte nga këto 3 ligje, urdhëro t’i votojmë e të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri.

– Përse të hynë në fuqi në shtator?

– Kjo në mënyrë që në muajt e verës, kur të kenë humbur dhe të jenë duke ngritur pantallonat duke ikur, të mos mbushin gjykata me “derdederë, mercenarë e bejlerë”, siç thoshte Noli, se e kemi pjesë të programit edhe frymëzimin nga të mëdhenjtë e këtij vendi.

– Sa shqetësues është fakti që fjalën e fundit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, do ta ketë zoti Bateli? Mos parashikoni ndonjë skenar si në 2009-n?

Procedura e zgjedhjeve do të jetë ajo që do të jetë. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, sido që të jetë procedura. Kjo është arsyeja që ne i jemi fokusuar këtyre zgjedhjeve, jemi fokusuar te programi, te promovimi i skuadrës sonë kombëtare. Kemi skuadrën më të mirë kombëtare, të të gjitha kohërave. Këtë do ta shikoni të materializuar në vlerësimin që do t’i bëjë publiku dhe nuk kemi fare nge të merremi me historitë e Saliut, që janë po ato. I njëjti banalitet, e njëjta rrugë drejt qorrsokakut, e njëjta mënyrë e kapjes nga të katër anët e procesit zgjedhor, me qëllim për ta çuar në drejtimin e vet, por këtë radhë këto janë manovra në dëm të atyre.

A ka vërtetë një kontratë me shumat që flitet, midis PS-së e Toni Bler?

– E para punës, njëherë, ngutje e madhe, ngutje kohe, ngutje e lodhur, për të bërë krahasime të pranisë midis Toni Bler dhe grupit të tij, për organizimin e qeverisë për procesin qeverisës, me praninë e një grupi lobistësh, që paguhen me taksat e popullit shqiptar, për të disinformuar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një pushteti të korruptuar. Së dyti, mos bëni krahasime, sepse të jeni të sigurt që vullneti i Toni Bler për të ndihmuar Shqipërinë, për të ndihmuar  qeverinë e re të Shqipërisë, nuk ka çmim, për nga të mirat që do të sjellë. Ndërkohë, që ne do të realizojmë një kontratë, që nuk do të rëndojë hiç fare në Buxhetin e Shtetit e të publikut. Për momentin, kemi një marrëveshje, të bazuar në dëshirën e të dy palëve për të punuar për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme dhe Bler është një nga miqtë më të mëdhenj të Shqipërisë dhe të shqiptarëve edhe në Kosovë. Kështu që, kur merret nëpër gojë edhe Toni Bler, nuk dinë ç’të bëjnë, janë për ata, ditët e fundit.

– PS-ja dhe LSI-ja kanë divergjenca në programet elektorale të deritanishme. P.sh, në politikën fiskale, në privatizimet e koncensioneve.

– Kjo  nuk është e vërtetë. PS-ja dhe LSI-ja kanë vullnetin që të realizojnë një program të përbashkët qeverisës. Nuk kemi ato divergjenca që do t’i jepnin palës tjetrës, që të dëftonte me gisht divergjencat.

– Zoti Meta, një javë para se të bashkoheshit,  deklaroi se ishte kundër politikës së taksës progresive.

– Nuk ju ka mbetur gjë tjetër, veçse t’i referoheni arkivave. Por arkivat janë për historinë, janë për analistët e historisë, nuk janë për aktualitetin politik. Politika nuk është shkenca e së shkuarës. Është arti i realizimit të qëllimeve të së ardhmes, përmes krijimit të kushteve e mundësive me të tashmen. Kështu që, ne jemi këtu sot e flasim për sot. Nuk kemi asnjë divergjencë. Zero. Dhe të jeni të sigurt se bashkimi PS-LSIështë një bashkim i vullnetit, për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës dhe siç thoshte një presidenti i madh amerikan, ne nuk mund të themi se, nuk do të bëjmë më kurrë gabime, por ama, ju betohemi, që do bëjmë gabime të reja. Nuk do bëjmë më gabime të vjetra.

– Përsa i përket votës së emigrantëve, ju fillimisht keni kërkuar që ata të kenë të drejtën të votojnë. Ndërsa tani, që kryeministri është “pro” përse mohoni?

– Përsa i përket votës së emigrantëve dhe do të japim me hollësi të gjitha detajet e programit, edhe për të drejtën e votës së emigrantit.

Mbyllen punimet dy ditore të Konventës së PS-së

 Punimet e ditës së dytë të Konventës Kombëtare të PS-së u karakterizuan nga prezantimi i programit qeverisës të PS-së dhe jo elektoral.  Kryesocialisti Edi Rama në mbyllje të Konventës të PS-së që zhvilloi punimet përgjatë dy ditëve (19-20 maj) në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, iu drejtua në mënyrë të veçantë njerëzve të thjeshtë, që nuk merren me politikë, pasi sipas tij, ky është dhe thelbi i ‘betejës’ së socialistëve. Rama, theksoi, “pas një muaji vendoset e ardhmja e vendit”. Kreu i PS-së, deklaroi se 23 Qershori është ‘betejë’, mes dy të kundërtave. Mes politikës e përkushtuar për pushtet dhe politikës për njerëzit.

“Kjo nuk është një betejë, mes dy të njëjtave, mes dy anëve të një medaljeje, por beteja e Shqipërisë të së shkuarës dhe të së ardhmes. Betejë mes dy botësh, mes botës politike, e përkushtuar tek zgjatimi për pushtet dhe botës së një politike që dëshiron të shkëputet për t’u bashkuar me botën e politikës për njerëzit. Me një botë që është mes nesh, megjithëse, nuk e kemi prekur në Shqipërinë tonë, që quhet familja e Europës së bashkuar”, nënvizoi Rama.