Edi Rama uron Erdogan për zgjedhjen President i Turqisë

441
Sigal

TIRANË- Kryeministri Edi Rama uroi dje, përmes një bisede telefonike Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Rama bëri të ditur se me Presidentin Erdogan ka folur për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Ndërsa në një mesazh urimi dërguar Presidentit Erdogan, Kryeministri Rama shpreh bindjen se, Presidenti turk do të vijojë të jetë një kontribuues i madh në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona dhe konsolidimin e bashkëpunimit tonë të frytshëm. “Më lejoni që t’ju përcjell urimet e mia më të ngrohta si dhe përgëzimet e bashkëqytetarëve të mi, për fitoren Tuaj në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Shpreh bindjen time se në lartësinë e detyrës Suaj të re, Ju do të vijoni të jeni një kontribuues i madh në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona dhe konsolidimin e bashkëpunimit tonë të frytshëm. Fat të mbarë në vijimin e realizimit me sukses të objektivit madhor për ndërtimin e Turqisë së re”, shkruhet në këtë mesazh. Reçep Tayip Erdogan është zgjedhur si Presidenti i parë i Republikës Turke i votuar drejtpërsëdrejti nga populli. Reçep Tayyip Erdogan, kreu i AKP-së (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim), arriti të marrë 52 % të votave në zgjedhjet e datës 10 gusht, duke u shpallur kryetar i shtetit që në raundin e parë.