Edi Rama takim me investitorët turq: Denonconi çdo rast, kur u kërkohet ‘bakshish’!

416
Sigal

Kryeministri Edi Rama ishte dje i pranishëm në forumin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të investitorëve shqiptaro-turq, të cilëve u garantoi mbështetje për sipërmarrjet në vendin tonë. “Jemi në dispozicionin tuaj, nuk jemi të pagabueshëm, nuk dimë shumë gjëra, jemi të vetëdijshëm për këtë, por ju ftojmë të na mësoni ato që dini. Ne ju konsiderojmë Ambasadorë të vendit tonë dhe promovues në sytë e sipërmarrjes turke”,- u shpreh Rama gjatë këtij takimi. Pas ftesës për investim në vend, Rama u kërkoi investitorëve të shtetit turk të denoncojnë çdo rast kur u kërkohet ‘bakshish’.

“E kemi një fjalë të përbashkët, bakshish. Nuk e dimë nëse kjo fjalë e kishim ne dhe e morët ju apo e kishit ju dhe e morëm ne, por ju garantoj se asnjë nga ju nuk do t’i nënshtrohet presionit për bakshish. Këtë e kuptoni mirë se çfarë është, e keni ndjerë në Shqipëri dhe të denonconi tek ministrat e Financës, Ekonomisë, çdo lloj presioni. Nëse një sipërmarrës denoncon një përfaqësues të shtetit që e vendos nën presion, përfaqësuesi i shtetit përgjigjet moralisht dhe ligjërisht dhe nuk do jetë më sipërmarrës i shtetit”-tha Kryeministri. Duke folur në forumin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të investitorëve shqiptaro-turq, Rama theksoi rëndësinë e mosabuzimit me rimbursimin e TVSH-së, duke u shprehur para investitorëve turq se ky rimbursim do të bëhet automatikisht. Teksa vlerësoi marrëdhëniet e mira Shqipëri-Turqi, shefi i qeverisë shqiptare shtoi se, këto marrëdhënie do të vlerësohen më tej, duke theksuar se, ekonomia turke është një shembull i mirë për tu jetësuar në vendin tonë. Sipas Ramës, marrëdhëniet me Turqinë janë historike dhe të shtrira në vite.