Edi Rama: S’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë për avionin e Divjakës

455
Sigal

 Kryeministri: Opozita do të përfitojë nga hallet e panumërta që kanë njerëzit e këtij vendi

“S’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë”,- kjo ka qenë deklarata e kryeministri Edi Rama, në një dalje për shtyp dje në mbrëmje lidhur me çështjen e debatueshme prej disa ditëve të avionit në Divjakë, të dyshuar për trafik droge. Më tej, Rama u shpreh se: ‘kjo është një shfaqje e shpifur politike që po luhet prej ditësh”. “Çdo shqiptar duhet të jetë i bindur për aftësinë dhe integritetin e ministrit te Brendshëm, Saimir Tahirit”,- shtoi Rama. Gjatë deklaratës së tij, kryeministri Rama vuri në dukje se: “puna e qeverisë së re është në fillimet e saj, njerëzit e këtij vendi që kanë votuar ose jo Partinë Socialiste, do të prekin i ndryshimet e rilindjes, në ekonomi, rend, shëndetësi dhe në drejtësi. “Dua t’ju rrëfej sot drejtpërdrejtë hapur, duke ju parë në sy dhe pa rrumbullakosur asnjë fjali, ju rrëfej çfarë di e kuptoj, po edhe ndjej, teksa një shfaqje e shpifur politike po luhet prej 3 ditësh. Një avion i ulur çuditërisht në rërë nga një profesionist italian, në ditën me diell, pasi fluturon aq sa për t’u pikasur nga njerëz, për t’u fotografuar e filmuar; një makinë e rastisur pikërisht aty plot me drogë. Piloti, një italian që s’kishte kaluar kurrë në atë rrugë, i ndodhur në pyllin e Divjakës. Me një parti në opozitë, që me të dalë titrat në televizione, lëshohet me kuç e me maç kundër meje, kundër Ministrit të Brendshëm, kundër Policisë, kundër interesit kombëtar; pa asnjë skrupull, pa asnjë sens mase, pa asnjë respekt për kohën që i duhet të vërtetës të dalë në shesh”,- tha Rama. “Lëshohen një për të gjithë e të gjithë për një, e tërë lukunia e pushtetit që rrënoi vendin 8 vite më parë, që e la vendin në një situatë të rënduar, me korrupsion e krim që e mbyti vendin. Atyre ua kam thënë vazhdimisht në Parlament se, duan të përfitojnë nga hallet e panumërta që njerëzit e këtij vendi kanë plot”,- u shpreh Rama. “Puna e Qeverisë së re është në fillimet e veta. E dinë se sa më shumë kalon koha, ju njerëzit e këtij vendi, do shihni do prekni do jetoni me ndryshimet e rilindjes, që do të sjellim, për Shqipërinë, në ekonomi, arsim, rend, shëndetësi, drejtësi. Ekonomia ka filluar të japë shenjat e parë të daljes nga agonia”,- tha Rama, duke shtuar se, “e dinë fare mire se nuk mund të thonë me se taksat nuk u ulën për 97% të shqiptarëve. Nuk mund të thonë se, shtëpitë nuk mund të legalizohen falas. Ka nisur të marrë rrugën e duhur çdo gjë, pasi ministria e Brendshme nuk është me streha e bashkëpunimit të shtetit me krimin. Këtë e dinë mirë ata që janë në krye të kësaj shfaqje”.

Policia që ne po kthejmë në krye të detyrës, vijoi kreu i qeverisë, “është një kërcënim i pashoq për burimet e vjetra të të ardhurave nga krimi”. “Do të provojmë me fakte dhe shifra, por dhe me nivelin e qetësisë, mirëqenies dhe dinjitetit vendit po-në në sytë e botës se çfarë investimi të mençur ka bërë populli shqiptar në 23 qershor. Çdo shqiptar të bëjë drejtësi për krime e vjedhje për askënd që nuk do mund të amnistohen”,- tha Rama.

Sipas Kryeministrit Rama, “s’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë që lidh emrin tim me të zeza e të këqija të këtij vendi që e dua me shpirt, dhe ju njerëzi e këtij vendi që me keni bërë nder, duke më vënë në krye të qeverisë së vendit tim. Unë nuk jam i pagabueshëm, por kurrë nuk do mund ë bëj gabimin për të punuar pas shpinës tuaj, nuk jam bërë kryeministër për t’u pasuruar në kurrizin tuaj”. ‘Kush e lidh emrin tim me trafikun e drogës, unë i rezervoj mëshirën time për llumin ku është zhytur mendërisht e psiqikisht. Po kush lidh Shqipërinë e sotme me Kolumbinë e djeshme, meriton përbuzjen e çdo të vdekuri që e deshi e çdo të gjalli që e do Shqipërinë sot”,- tha Rama. Duke folur për akuzat e opozitës, Kryeministri u shpreh se: “i kam dëgjuar disa, shumë ndër ta edhe dashamirës, kur thonë se, unë nuk e mora seriozisht plakun e SHQUP-it kur na tha për avionët e drogës. Çfarë ka këtu për t’u marrë seriozisht dhe për çfarë arsye? Po sot që po flasim ka ndonjë shqiptar që e ka ndjekur gjithë ngjarjen që të mendojë se në Divjakë paska funksionuar një rrugë e trafikut të drogës dhe askush të mos e ketë parë përveç plakut të SHQUP-it. Ky film ishte si një film, se plazhi i Divjakës është një aeroport. Po të ma thoshin përsëri në Parlament nesër pasnesër se në Divjakë ngrihen avionë përnatë, do të përgjigjesha se aty ngrihet një lukuni mushkonjash”. Ne, -u shpreh Kryeministri Rama,- “nuk mund të merrnim seriozisht çmendurinë se, në Divjakë e Gjadër paska linjë të përnatshme. Dyshimet e paprovuara, siç dolën ilegalisht, në një periudhë që përfshin kohën e qeverisë sonë nga strukturat inteligjente datojnë shumë para qeverisjes sonë. Përderisa ngrenë akuza ku ne nuk na shkon as mendja, do të thotë se diçka dinë”. Do t’ju gënjeja, u shpreh Kryeministri, “nëse do t’iu thoja sot se ne i kemi këputur të gjitha fijet e korrupsionin në polici e ushtri, lufta kudër trafikut të drogës është në fazën e tij të parë. Lazarati as nuk u mboll me drogë në vjeshtën tonë në qeveri, as nuk u mbrojt nga qeveria jonë. Droga që u kap është mbjellë rehat në qeverisjen e kaluar”. Kryeministri u shpreh se: “reagimi i shtetit ka ardhur dhe do vijë vetëm duke u forcuar, e rrethi duke u bërë më mbytës për trafikantët e çdo lloji”. “Opozita bën politikë me krimin dhe e frymëzon krimin. Madje, është po aq i interesuar të dëmtojë policinë e shtetit. Kjo quhet luftë interesash të një pushteti të humbur, që jep shpirt e nuk heq dorë. Ju kërkoj të mos ju bëjnë për budallenj njerëz që nuk ju kanë kërkuar aspak ndjesë për të këqijat e problemet që ju kanë shkaktuar”,- tha Kryeministri Rama.