Edi Rama: Sjellja e administratës si një skuadër rrit mundësitë për sukses

362
Sigal

Dje ka nisur sesioni i parë i trajnimeve me disa nga institucionet e administratës publike që kanë marrëdhënie direkte me sipërmarrjen dhe qytetarët. Administrata publike është një nga prioritetet e integrimit të vendit dhe për këtë qëllim, vëmendja e qeverisë është fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, për krijimin e një administrate etike, profesionale dhe të përkushtuar në shërbim të publikut. Në këtë sesion të parë iu nënshtruan trajnimit drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Inspektorati Qendror Teknik dhe të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha qëndruan për pak në ambientet ku zhvillohej trajnimi dhe dhanë mesazhin se një administratë profesioniste dhe etike do të jetë e aftë t’i përgjigjet sfidave të sotme të zhvillimit dhe integrimit.

Kryeministri Edi Rama theksoi në mesazhin e tij, nevojën e një qasjeje ndryshe në marrëdhënien e administratës me biznesin e qytetarin, ndërsa e konsideroi kualifikimin e vazhdueshëm, një vlerë të shtuar në këtë drejtim dhe besimin në këtë proces, një investim për suksesin. Për Kryeministrin Rama, sjellja e administratës si një skuadër rrit performancën dhe mundësitë për sukses. “Në qoftë se nuk funksionon si skuadër e gjithë administrata, në secilin sektor, nuk ka sukses”. Duke iu referuar një studimi të BE-së, Rama nënvizoi se, “kompanitë e trajnuara apo që investojnë për trajnimin kishin rritur të ardhurat e tyre mbi 40%. Kompanitë që nuk kishin investuar për trajnimin kishin rënë në 22%. Shtetet që trajnojnë më shumë kanë performancë më të lartë. Shtetet që trajnojnë më pak kanë performancë më të ulët. Shtetet që lindin të trajnuar dhe që nuk mendojnë më kurrë se kanë nevojë të trajnohen, rrinë në fund dhe bëjnë sikur janë të parët”.