Edi Rama: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në demontimin e armëve kimike

49

SHBA-të mbeten aleati më strategjik  dhe gëzojnë besnikërinë dhe respektin më të madh  të shqiptarëve

*Kryeministër

Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, shpallën përgatitjen për sulmin ushtarak ndaj Sirisë. Në përputhje të plotë me boshtin strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë, si edhe me programin e ri qeverisës, unë theksova se Shqipëria do të ishte, si gjithnjë, “në krah të Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë”. Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve çoi në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për çarmatosjen pa luftë të regjimit sirian, përmes shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit kriminal të Assad-it. Këtë rezolutë e mbështeti plotësisht dhe Shqipëria, në përputhje të plotë me nderin e me dinjitetin tonë si vend i angazhuar botërisht, për të kontribuar për lirinë, demokracinë, paqen, kudo në botë. Më pas, u kontaktuam drejtpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë. Dhe përgjigja jonë, ashtu si përgjigja e një sërë vendesh të tjera, ishte ajo që imponon historia jonë e këtyre njëzet e tre viteve; boshti strategjik i politikës sonë të jashtme, pa dallime partiake deri dje paradite; detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara. Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtpërdrejtë. Siç është plotësisht e natyrshme, na u kërkua konfidencialitet i plotë sepse procesi i organizimit të operacionit ishte vetëm në fazën e vet më fillestare, atë të vendosjes së kontakteve në parim. Lejomëni të dashur bashkëqytetarë, t’ju pyes lidhur me këtë moment të parë të rrëfimit tim, tërësisht të sinqertë para jush: A mund dhe a duhet t’u thoshte jo në parim Shqipëria Shteteve të Bashkuara, për një përpjekje kaq madhore në shërbim të njerëzimit?  A mund të imagjinohej dhe të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara i kanë hyrë kësaj përpjekjeje, për t’ia hequr armët kimike nga duart një vrasësi dhe pastaj për të vrarë me to Shqipërinë, apo cilindo vend tjetër aleat të përfshirë në këtë përpjekje? A mundet që një mendje normale, sado armiqësore ndaj Amerikës, të shkojë deri në pikën se Shtetet e Bashkuara, do ta udhëhiqnin një operacion të tillë në sytë e gjithë planetit, për të çuar në vendet aleate vdekje e shkatërrim, duke vrarë në radhë të parë trupat e tyre të ekspertëve dhe vetë veten e tyre para tërë ekraneve të botës? Po ju them vetëm se po, kjo është pjesa e vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të vendeve të aleancës euroatlantike. Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Unë jam përpjekur me shumë vullnet e pasion, të marr jo vetëm sigurinë e plotë për moscenimin e asnjë fijeje floku dhe mosmbetjen e asnjë mbetjeje në territorin shqiptar, po njëkohësisht edhe mirëkuptimin që në këtë përpjekje të madhe të fuqive të mëdha, supet e vogla të Shqipërisë të mos ngarkoheshin përtej mundësive të tyre. Më vinte sot përmes dritares thirrja e përsëritur e protestuesve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, dhe lejomëni t’jua them sot, hapur, në sy, se për këtë jam përpjekur tërë këto ditë e net diskutimesh. Këtë u kam përsëritur papushim miqve tanë të mëdhenj amerikanë dhe europianë, duke u thënë: Na ndihmoni t’i tregojmë Europës se ne jemi pjesë e saj dhe jo një kosh plehrash në mes të Europës! Fakti është se tërë atë lumë poshtërues që u derdh nëpër media ndërkombëtare për ne si një vend plehrash, e prodhoi pikërisht e vërteta se duke qenë vërtet e mbushur me plehra, Shqipëria kishte një kosto të caktuar nga publiciteti negativ i një operacioni të tillë Jashtë Shqipërisë. Por as rritja e përgjithshme e tensionit këtu në vend, me ushqimin 24 orë në 24 të një pjese të medias (e cila nuk u mjaftua me pasqyrimin e protestës qytetare, po u bë llogorja e hedhjes së një helmi pabesisht çoroditës për qytetarët) dhe as afati që praktikisht skadon sot për një angazhim se Qeveria e Shqipërisë do konsiderojë rrugën e miratimit ligjor të këtij operacioni, nuk na dhanë më shumë mundësi e kohë për të ezauruar këtë aspekt shumë delikat. E këtu tani, u vjen natyrshëm radha paraardhësit tim, duke e çarë dje, për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, dhe duke e kthyer parlamentin në një skenë skizofrenie politike ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Assad-i;  Dhe ku mbeti pa u thënë vetëm që Assad-i do që të shfarosë sirianët, kurse Presidenti Obama do që të shfarosë shqiptarët.  Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike”.  Të dashur të rinj protestues, Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë, ka qenë e vetmja dallëndyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, dëlirëve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë.  Edhe pse ju ka përfshirë në protestë mbingarkesa në shpirt prej gjithë kësaj propagande histerike, unë ndjehem shumë mirë për ju; ndjehem mirë sidomos për shumë prindër që deri dje i frikeshin protestës ndërsa sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forca speciale e gryka pushkësh në dritaret e kryeministrisë; ndjehem mirë për këtë erë të freskët demokratike që solli 23 Qershori. Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë. E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme. Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju njësoj si për mua, sot mungon.  Dhe prandaj, me besnikërinë e  plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion.