Edi Rama shpall qeverinë e re

56
Rama shpall qeverinë e vogël, gratë marrin gjysmën e posteve

Kryeministri kthen në ekzekutiv disa ministra të larguar, ndërsa surprizon me emrin e zv/kryeministres. Mbetet jashtë Saimir Tahiri
Edi Rama i dha fund përgatitjeve për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re, duke shpallur listën e ministrave, me të cilët do të nisë mandatin e dytë. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri nënvizoi se qeveria e re do të ketë 11 ministri dhe 2 ministra shteti, për dy prioritete themelore të këtij mandati. Përbërja e saj do të jenë 50% burra dhe 50% gra. Kryeministri përmendi edhe 10 tiparet e qeverisë së tij të ardhshme, duke nisur me atë që e cilësoi ”besnikëria ndaj interesave të vendit dhe ndaj çdo njeriu të zakonshëm dhe çdo familje të zakonshme të këtij vendi”. Rama tha se do të sulmohen njëkohësisht, në të gjithë frontin e punës, me të gjitha forcat legjislative dhe ekzekutive, duke kryer operacione intensive në çdo zonë të infektuar të organizmit shtetëror. “Reformim sistemesh, ristrukturim mekanizmash, rivlerësim burimesh njerëzore”, tha Rama. Ai premtoi se do të bëhen “largime në bllok drejtuesish, drejtorësh apo shkrirje të plota strukture shtetërore si drejtoritë e të ashtuquajturës bujqësisë, apo bordet e famshme të kullimit, ose e famshmja “policia gri”, e cila do të shkrihet që në mbledhjen e parë të qeverisë, sepse arsyeja e ekzistencës së e këtyre strukturave, e plot të tjerave ka vdekur me kohë”.

Postin e numrit dy të qeverisë, Rama ia ka besuar deputetes së Shkodrës, Senida Mesi, me një karrierë relativisht të gjatë në sektorin bankar. Në qeveri janë rikthyer Fatmir Xhafaj, Arben Ahmetaj, Blendi Klosi, Ogerta Manastirliu e Olta Xhaçka, ndërsa nuk kanë munguar edhe surprizat si ministrja e re e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Jashtë ekzekutivit ka mbetur Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm. “Kjo është qeveria me të cilën do ta nisim mandatin e ri. A do ta përfundojmë mandatin me këtë qeveri? Këtë do ta tregojnë vetëm pasqyrat periodike të rezultateve të çdo ministri dhe ministreje”, tha Rama. Sipas tij, filozofia, “ekipi, fillon dhe mbaron mandatin”, mbaroi së funksionuari bashkë me mandatin që mbyllëm. 

Gjithashtu, kryeministri Rama konfirmoi si propozim të Partisë Socialiste emërimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Taulant Ballës si drejtues të grupit parlamentar të PS-së. Krahas ndryshimit të strukturës së qeverisë, pritet të ketë ndryshime edhe në komisionet e përhershme parlamentare.
Tiparet e qeverisë, sipas kryeministrit:
1 – Besnikëria ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.
2 – Vullneti i palëkundur politik për reformat.
3 – Qasja frontale ndaj problemeve të trashëguara të organizmit shtetëror që pengojnë shtetbërjen dhe rritjen ekonomike.
4 – Gatishmëria e vazhdueshme për dialog me opozitën, por pa e lënë asnjë punë të sotme për nesër, që do të thotë se do të adaptojmë një sjellje proaktive ndaj opozitës.
5 – Mandati duhet të karakterizohet nga operacionet jokonvencionale në luftën për zhvillimin ekonomik dhe kundër korrupsionit. 
6 – Ulja e vazhdueshme e peshës së administratës në jetën e përditshme të qytetarëve dhe të kompanive dhe të bizneseve. 
7 – Afrimi këmbëngulës i komuniteteve, i grupeve të interesit në politikëbërje.
8 – Aftësia vetëkritike si cilësi e procesit qeverisës.
9 – Disiplina shembullore në zbatimin e strategjisë së komunikimit publik. 
10 – Dinjiteti në përfaqësimin e Shqipërisë dhe popullit, kombit shqiptar, në arenën ndërkombëtare.
Qeveria e re
1 – Edi Rama, kryeministër
2 – Senida Mesi, zv/kryeministre
3 – Pandeli Majko, ministër Shteti për shqiptarët jashtë kufijve
4 – Sonila Qato, ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrësve
5 – Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm
6 – Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm
7 – Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes
8 – Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë 
9 – Arben Ahmetaj, ministër i Financave, Ekonomisë dhe Punës
10 – Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
11 – Niko Peleshi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
12 – Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit
13 – Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
14 – Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social
15 – Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
Premtimet e Ramës
Stop emërimeve në emrin e flamurit të partisë, që partisë vetëm ia fëlliqin flamurin dhe emrin.
Stop emërimeve përmes lidhjesh të shkurtra të çfarëdolloj natyre, që janë sabotimi më i rëndë që mund t‘i bëhet projektit politik që shqiptarët votuan masivisht. 
Stop emërimeve që nuk dalin nga procedura konkurruese reale, transparente, gjithëpërfshirëse, për çdo nivel të lartë drejtues dhe për çdo zyrë, ku është ngrënë 27 vjet haku i popullit.
Stop lidhjeve të shkurtra të korridoreve të pushtetit që anashkalojnë konsultimet e skuadrave të deputetëve, që anashkalojnë opinionet kolegjiale në ndihmë të vendimmarrjeve të ekzekutivit për administratën.
Premtimet e Ramës
Stop emërimeve në emrin e flamurit të partisë, që partisë vetëm ia fëlliqin flamurin dhe emrin.
Stop emërimeve përmes lidhjesh të shkurtra të çfarëdolloj natyre, që janë sabotimi më i rëndë që mund t‘i bëhet projektit politik që shqiptarët votuan masivisht. 
Stop emërimeve që nuk dalin nga procedura konkurruese reale, transparente, gjithëpërfshirëse, për çdo nivel të lartë drejtues dhe për çdo zyrë, ku është ngrënë 27 vjet haku i popullit.
Stop lidhjeve të shkurtra të korridoreve të pushtetit që anashkalojnë konsultimet e skuadrave të deputetëve, që anashkalojnë opinionet kolegjiale në ndihmë të vendimmarrjeve të ekzekutivit për administratën.