Edi Rama: Qytetarët le të na gjykojnë ne dhe opozitën pas 4 vitesh!

484
Sigal

Intervista e Kryeministrit dhënë në “Studio e Hapur”, News24

Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Studio e Hapur” në Nevvs24 u shpreh mbi çështje që kanë hapur debate të nxehta në politikën shqiptare. Në këtë interviste me Eni Vasilin, Rama shprehet mbi ekonominë, reformat, punësimin, opozitën, sulmet që kjo e fundit ka drejtuar mbi kryeministrin personalisht, çështjen e drogës, si dhe lidhur me marrëdhënien midis Kryeministrisë dhe Presidencës.

 Ditën e premte opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë që pason atë të së enjtes. Ndryshe nga sa jemi mësuar kemi parë edhe disa deputetë të maxhorancës që bëjnë thirrje për protestë. Si e shihni ju si kryeministër këtë situatë të nxehtë politike?

-Debati në këtë rast është mes partive. Nuk është mes qeverisë dhe opozitës. Opozita ka të drejtën e vet të bëjë çdo zgjedhje të gabuar që dëshiron. Unë kam vetëm keqardhje për opozitën. Për të tjerat debate bëhet mes partive.

Në fakt opozita kërkon dorëheqjen tuaj si Kryeministër, jo si kryetar i PS-së

-Kjo e shton keqardhjen time

Në një nga ligjërimet e fundit politike ju e quajtët opozitën një grup pushtetarësh të bërë tapë nga humbja e 23 Qershorit dhe deklarimet i quajtët gënjeshtra, shpifje…  A nuk është një gjuhë e ashpër për t’ju drejtuar opozitës?

-Besoj se asnjëherë nga ato që ju cituat nuk përkon përveçse me të vërtetën. Janë realisht një grup pushtetarësh të bërë tapë, që pas humbjes dhe që ende janë në avujt e një pijeje që s’ju ka dalë akoma që quhet pushtet i degraduar, si ishte ai para 23 Qershorit dhe për të cilin morën atë që merituan pas 23 Qershorit. Kështu që me shumë keqardhje, po sot që flasim në rrugën tonë drejt Shqipërisë europiane kemi një opozitë që s’ka asgjë evropiane.

Si e shihni veten tashmë të ulur në poltronin e Kryeministrit, në Parlament. Përballë keni ish-kryeministrin Berisha, ish-kryetaren e Kuvendit, kryetari i opozitës mungon, është Kryebashkiak. A ju kujton kjo veten?

-Jo veten nuk e shoh. Ata i shoh dhe i shoh me keqardhje dhe e përsëris, sepse besoj sot janë kushtet për të patur një komoditet që ne nuk e kishim kur ishim në opozitë, sepse hapësira që është sot në Parlament është një hapësirë që shkon përtej edhe rregullores së Parlamentit, sepse mundësia e opozitës për të mbajtur gjithë qëndrimet e saj është e plotë, sepse ekranet që opozita ka në shërbim janë absolutisht të pacenuara nga asnjë lloj zhurmuesi të natyrës politike

Duket sikur nuk po e merrni shumë seriozisht opozitën. Gjithçka, nisi me trafikun e drogës, avionit në Divjakë, ju akuzoi se ju favorizoni trafikun e drogës. Në fillim ju i quajtët qesharake… I quajtët mushkonja… dhe një mushkonjë ra në Divjakë. Kishin të drejtë?

-Unë do të përsëris të njëjtën përgjigje që kam dhënë edhe përpara se të binte një avion në plazhin e Divjakës, kur nga opozita u pretendua që ka një linjë të rregullt ajrore që çdo natë në orën 8 ngrihen avionë nga Divjaka. Dhe e vërteta është që çdo natë në orën 8 ka mushkonja. Ishte një koençidencë që lidhi dy gjërat dhe nuk ka asgjë për të korrigjuar në asgjë nga sa thashë.

Problem është trafiku i drogës. Ju e quani koincidencë atë që ndodhi, ishte ironi, qëndrimi juaj lidhur me avionin në Divjakë?

-Unë s’akuzova askënd për komplot. Unë thashë që e gjitha u shfaq si në një film, sepse ata u hodhën përpjetë dhe thanë që s’e kemi bërë ne, s’e kemi bërë ne. Kjo është punë e tyre. Unë i qëndroj asaj që thashë. Shqipëria e ka patur këtë problem, siç ka patur problem korrupsionin, krimin e organizuar prej shumë vitesh dhe ky problem është agravuar jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit. Kështu që ne nuk kemi bërë asgjë tjetër, përveçse kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë një luftë shumë më të fortë dhe më me shumë rezultat kundër trafikut të drogës, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kështu me radhë. Në harkun kohor përshembull të 3 muajve ne kemi kapur 5-fishin e sasisë së drogës së kapur në 10 muajt e fundit të qeverisjes paraardhëse.

Kjo do të thotë se edhe policitë e tjera po punojnë më shumë?

-Janë rivendosur lidhjet e këputura mes policive. për fat të keq në dy apo tre vitet e fundit deri në 23 qershor lidhjet e bashkëpunimit mes policive, Shqipëria me fqinjët kanë qenë pothuajse inekzistente sepse operacionet e përbashkëta janë dekonspiruar dhe kanë dështuar për faj të palës tonë.

Po indicie kishit, për shkak të letrës që më pas doli edhe nga SHISH?

-Edhe një herë tjetër, indiciet që janë dyshime të arsyeshme siç i konsideron shërbimi sekret, në informacionet e klasifikuara nuk janë të publikueshme dhe as të komentueshme për publikun. Nuk e bën asnjë lloj qeverie në botë, qeveri normale, kuptohet, dhe për më tepër nuk vlejnë si fakte, sepse e vetmja gjë që sjellin kur komentohen dekonspirojnë çfarëdo gjëje që ti bën.

Si e vlerësoni punën e Ministrit të Brendshëm?

-Punën e ministrit të Brendshëm unë e vlerësoj absolutisht, të shkëlqyer, jo shumë të mirë, të shkëlqyer.

Qeveria duhet të hyjë në Lazarat dhe të ndalojë mbjelljen e drogës, thotë zoti Blushi.

-Qeveria do të hyjë në Lazarat, atëherë kur qeveria do të jetë e bindur që është momenti për të hyrë në Lazarat dhe qeveria do të jetë e bindur se është momenti për të hyrë në Lazarat, atëherë kur ekspertët e policisë dhe policia e shtetit të jetë e bindur se është momenti për të ndërhyrë në Lazarat.

A mund të na thoni ndonjë detaj më konkret rreth planit për Lazaratin?

-Unë nuk mund t’ju them asnjë plan për Lazaratin, sepse nuk është kryeministri që bën plane për Lazaratin.

Keni deklaruar se çështjet e korrupsionit janë në tavolinën e kryeprokurorit, a ju është përgjigjur prokuroria?

-Unë pres, ne presim që ta shikojmë prokurorinë të përgjigjet dhe përgjigja e prokurorisë është që nga dosjet që ne kemi depozituar me prova të qarta për korrupsion të kalohet në procese gjyqësore për korrupsion.

Qëndrojmë tek drejtësia, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ditën e djeshme, paralajmëruat reformë në drejtësi, që në fakt do ishte një hap i guximshëm për një qeveri, nëse më lejoni ta quaj kështu, duke patur parasysh faktin që drejtësia është e ndarë nga ekzekutivi, nuk varet nga ju, do t’i shkoni deri në fund deklaratën tuaj zoti Rama?

-Reforma në drejtësi nuk do të thotë që ne të marrin drejtimin e sistemit të drejtësisë. Do të thotë që ne të bëjmë disa ndërhyrje të domosdoshme në legjislacion, që sistemi i drejtësisë të funksionojë më mirë dhe të krijohen kushtet që drejtësia të japë më shumë drejtësi.

Do të synoni që reforma në drejtësi të jetë konsensuale?

-Ne synojmë që çdo gjë të jetë konsensuale, por ne nuk presim me çdo kusht konsensus kur kemi mundësi që gjërat t’i çojmë përpara sepse e kemi detyrim të dëgjojmë por të udhëheqim.

Po marrëdhënia me SHISH zoti Rama është rikuperuar disi pas deklaratës për çështjen e drogës kur u tha që nuk ka evidenca, nuk ka fakte?

-Unë personalisht asnjëherë nuk kam marrë përsipër të bëj komente për SHISH në publik, sepse besoj që detyra ime si kryeministër dhe detyra shumë delikate e SHISH janë të lidhura me njëra-tjetrën në një komunikim sa më rigoroz dhe institucional.

Presidenti i Republikës ankohet prej disa kohësh se maxhoranca po mundohet t’i marrë kompetencat, kemi parasysh disa ligje, cila është marrëdhënia juaj me Presidencën, a është problematik bashkëpunimi?

-Presidenti është akoma më shumë pjesë e asaj që thashë për kulturën time dhe përpjekjen time që në bazë të kësaj kulture të vendosim disa standarde të reja në komunikimin mes institucioneve, kështu që çfarëdo që të kem për presidentin, mos prisni ta them publikisht. Sepse ditën që do ta them publikisht, pastaj gjërat do të kenë shkuar në një pikë që unë nuk do ta uroja kurrë.

Kalojmë tek tematika e qeverisë tuaj, mënyrës si po qeverisni zoti Rama. Ndalemi në një moment të rëndësishëm, që është statusi. Qershori është një muaj vendimtar. Ju keni thënë shpesh herë që jemi edhe më pranë marrjes së statusit, nga e keni marrë këtë garanci?

-Nga rezultatet e qeverisë, nga ta marr tjetër. Dhe nga jehona që rezultatet e qeverisë kanë në BE dhe nga reagimet e miqve dhe partnerëve tanë, me të cilët besoj se Shqipëria ka sot një intensitet kontaktesh që e kishte humbur prej disa vitesh.

Do doja të dija nëse keni ndonjë informacion, ndonjë qëndrim, a mund të jemi dhe ne optimistë, a do ta marrim shkurt statusin në qershor?

-Nuk do t’ja lejoja kurrë vetes të flisja në emër të Gjermanisë, Francës, Holandës dhe me radhë. Ky është një vendim që do të merret në momentin e fundit, dhe pasi të lexohet dokumenti që do të nxjerrë Komisioni Europian.

Unë dua të ndaloj në sektorë problematikë që përmendi FMN. Ca do bëhet, për shembull me CEZ?

-Energjetika është njësoj si me drogën, është një plagë e madhe e trashëguar nuk është një plagë e hapur sot

A keni një plan konkret për CEZ?

Kemi një plan për çdo gjë se nuk do kishim dalë tu thoshim shqiptarëve, na jepni votën. Kemi një plan për energjinë, për luftën kundër krimit të organizuar, për luftën kundër korrupsionit për transformimin e arsimit, kemi plan për transformimin e shërbimit shëndetësor që është ende larg për asaj që njerëzit na kanë votuar.

Çfarë konsideroni sukses dhe dështim në këtë moment të reformës tuaj në shëndetësi deri tani sigurisht?

Reforma në shëndetësi është vetëm në fillimet e saj, kështu që të thuash sukses apo dështim është shumë e parakohshme. Ndërkohë mendoj që sukses në shëndetësi është që sot ne kemi një listë barnash të rimbursueshme shumë më të gjatë se sa lista që ishte dhe njerëzit kanë disa alternativa dhe për barnat plotësisht të ruimbursueshme kemi sot çmime shumë herë më të ulëta se sa kishim deri dje.