Edi Rama përçan socialistët e Vlorës

663
Sigal

Reagojnë socialistët, në një mbledhje, ku Rama nuk la shumë hapësirë për të shprehur kundërshtimin e tyre

Një rrugë e dy punë. Bashkë me prezantimin e programit të PSSH “për një Rilindje Kombëtare”, kryetari i PSSH, Edi Rama i ka imponuar Asamblesë së PS së rrethit Vlorë, edhe kryetarin e emëruar prej tij, Xhevahir Çeloaliaj. Ndërsa në pikën e parë të rendit të mbledhjes, socialistët e Vlorës kanë dëgjuar programin, i cili do t’i nxjerrë sipas tyre, fitues në zgjedhjet e 2013, në pikën e dytë, atë të prezantimit të kryetarit të emëruar nga kryesia e përgjithshme e PSSH, reagimet nga salla kanë qenë kundër. Fillimisht Kastriot Labaj, Ferhat Kosova e më pas Dallëndyshe  Ganaj, kanë qenë kundër emërimit të kryetarit të PS së rrethit. Ata e kanë akuzuar kryetarin Rama se, ka shkelur statutin e partisë, në kushtet kur kryetari i PS së rrethit duhej votuar në asamble e jo të emërohej si është votuar në rastin konkret. asambleja e rrethit kishte përzgjedhur 11 kandidatura për postin e kryetarit të PS së rrethit, të cilat janë dërguar lart në kryesi për përzgjedhjen e kandidaturave që do të votoheshin përfundimisht në asamble. Por ndërsa pritej që kryesia të vepronte sipas statutit, ka ndodhur që me këmbënguljen e Ramës e me kundërshtimin e dy deputetëve të Vlorës, Arben Isaraj e Arben Malaj, të përzgjidhej vetëm një kandidaturë, ajo e xhevahir Çeloaliaj. Ferhat Kosova, një socialist i vjetër në Vlorë, anëtarë i asamblesë së rrethit, i ka kujtuar Ramës se është shkelur statute i partisë dhe ka kërkuar që kryetari i PS së rrethit të zgjidhej me votim, ashtu si ka ndodhur historikisht në këtë parti. Ai e ka akuzuar Ramën se, po zgjidhte një mikun e tij në krye të partisë e jo një njeri që të votohej në parti. kryetarja e komanduar e PS së rrethit, Dallëndyshe Ganaj, e komanduar pas largimit nga partia e kryetarit të PS së rrethit, Kujtim Sulçe, i cili iu bashkua muaj më parë LSI, ka kërkuar nga ana e saj që në PS të respektohen njerëzit me kontribute e jo njerëz që kanë aderuar vitet e fundit në këtë parti. Midis Ramës e diskutantëve kundërshtarë në sallë, ka patur vazhdimisht ndërprerje të fjalës së njëri-tjetrit , duke pretenduar gjithsecili se kishte të drejtë në argumentet që jepte. Në kulmin e debatit të nisur, kryetari Rama ka deklaruar se emërimi i Çeloaliaj është një vendim i kryesisë dhe ka deklaruar mbledhjen të mbyllur, duke shkaktuar ilaritet në sallë. Gjatë seancës së pyetjeve e diskutimeve nga salla, ka rënë në sy fakti që shpeshherë kryetari. Rama ju ka ndërprerë fjalën socialistëve apo nuk ju ka kthyer përgjigje pyetjeve. Ndër të tjera Rama ka theksuar se është në dorën e komisionierëve mosvjedhja e votës, si dhe ka kërkuar bashkim, punë në grup, sa më pak përçarje brenda radhëve të partisë. Mbledhja ka zgjatur për rreth 2 orë dhe në fund të saj socialistët e rrethit do të kenë një kryetar të ri, i cili do të ketë një rol të vështirë për ti bashkuar socialistët kundër tij. Nëse do të votohej në asamble, kishte gjasa që kryetari i emëruar pa votim nga kryesia, të mos i fitonte votat e duhura për të qenë kryetar dhe ndoshta këtë pritshmëri e dinte dhe Rama, ndaj dhe e emëroi pa e future asamblenë në proces votimi. Pas takimit, shumë socialistë, anëtarë asambleje e kryetar organizatash kanë deklaruar se nuk do ta njohin kryetarin e emëruar me forcë nga Rama. Xhevahir Çeloaliaj ka punuar për shumë vite si ekspert i kriminalistikës në policinë e Vlorës, gjatë qeverisjes së PS dhe aktualisht e kryen këtë profesion si privat. Ai ka qenë kandidat brenda PS së Orikumit për kandidaturën e postit të kryetarit të bashkisë Orikum, por në vend të tij u përzgjodh kandidatura e kryetarit aktual të bashkisë.

FATMIR TOÇI: “U RESPEKTUA STATUTI I PARTISË”

Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, e quan gjithçka normale atë që ka ngjarë dje në PS-në e qarkut të Vlorës. “U respektua maksimalisht statute i Partisë Socialiste”, tha Toçi për “Telegraf”. Çeloaliaj u komandua  si kryetar i PS-së për Vlorën deri në zgjedhjet e ardhshme, të cilat ne parashikojmë t’i fitojmë bindshëm. Zoti Çeloaliaj është një figurë me integritet dhe në mendojmë se nuk është përdorur asnjë lloj diktati në përzgjedhjen e figurës së tij për të udhëhequr fitoren e PS-së në Vlorë në 2013-n, përfundoi deputeti Toçi.