Edi Rama: Për bashkinë e re të Elbasanit fillon një epokë e re, një rilindje e vërtetë mjedisore

414
Nisi ndërtimin i pari impiant në vend për trajtimin e mbetjeve urbane. Impianti, investim me vlerë 22 milionë euro, është vendosur në vendgrumbullimin e mbetjeve në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, që ishte kthyer në një rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin për qytetin dhe zonat përreth, ku gjenerohen rreth 120-140 tonë mbetje të ngurta urbane. Kryeministri Edi Rama, inspektoi punimet për impiantin, një premtim i dhënë qytetarëve të Elbasanit që nisi jetësimin. Kryeministri Rama e cilësoi një tumor 20 vjeçar, problematikën e mbetjeve urbane për këtë qytet, por që me këtë projekt vendoset një model i ri në trajtimin të tyre në mbarë vendin. “Unë jam shumë krenar që ky tumor i madh i një kanceri që prej 20 e ca vitesh stërmundon organizmin e gjithë zonës së Elbasanit dhe u kthye në një problem madhor, jetik, për të gjithë banorët e zonës për shkak të një ndotje katastrofike, të gjeneruar nga fusha e tmerrshme e plehrave, është sot në fazën e një operacioni rrënjësor shërues, me një teknologji që futet për herë të parë në Shqipëri. Elbasani, nga zona më problematike, më e ndotur dhe më e kërcënuar në shëndet kthehet në platformën e vendosjes së një modeli të ri të mbledhjes dhe trajtimit të mbeturinave, të cilin ne do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë.” Projekti parasheh avantazhe jo vetëm për Elbasanin, por edhe më gjerë. Nga njëra anë, i jepet zgjidhje një problemi serioz në vend, mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve, por nga trajtimi teknologjik i tyre do të përfitohet edhe energji e gjelbër. Në fazën e shfrytëzimit është parashikuar të prodhohet rreth 17 250 M Ëh energji në vit. Kryeministri theksoi se ndërsa për Elbasanin, ky projekt shënon epokën e rilindjes mjedisore, për vendin përbën hapin e parë në transformimin rrënjësor të marrëdhënieve me mjedisin. Ndërkohë që impianti do të hyjë në punë vitin e ardhshëm, fusha për mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave, për landfillin do të hyjë në punë qysh në verë të këtij viti. Pra, për bashkinë e re të Elbasanit fillon një epokë e re, një rilindje e vërtetë mjedisore.”
Sigal