Edi Rama: Pastërtia e plazheve, sfida jonë

545
Sigal

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se, kthimi i pastërtisë plazheve të vendit mbetet sfida kryesore e qeverisë për zhvillimin e turizmit. Duke marrë fjalën në takimin e organizuar mbi masat e marra në mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik, kryeministri përcolli mesazhe të forta për domosdoshmërinë e një natyre të pastër, si kusht për nxitjen e turizmit. “Na duhet të fitojmë sfidën e një vendi mesdhetar europian që nuk mund të bashkëjetojë me plehrat, të një vendi që ofron hotele, por me pirgje plehrash sapo del nga hoteli. Na duhet t’i kthejmë plazheve pastërtinë, t’i pastrojmë nga plehrat dhe mbeturinat dhe për këtë duhet bashkëpunim, se sikur gjithë NATO të vijë këtu me forcat e saj e ka të pamundur ta mbajë pastër vijën tonë bregdetare”,- u shpreh Rama. Duke vlerësuar angazhimin e ministrisë së Turizmit për të rritur sensibilizimin në këtë drejtim, kryeministri u shpreh optimist për një bilanc pozitiv gjatë këtij sezoni veror. “Jam shpresëplotë se nga ky sezon do të mund të bëjmë një bilanc pozitiv. Nëse të gjithë bashkë do e fitojmë sfidën me plehrat, duke kontribuar në luftën për pastrimin, duke mos bërë pis, e cila është një arsye që na mbulon të gjithëve me turp. Shqipëria mund të jetë e varfër, mund të ketë halle, por nuk mund të jetë pis aty ku shfaqet me gjithë forcën mrekullia që zoti ka bërë për të, tek natyra dhe bregdeti i saj”,- u shpreh sot Rama.

Ai theksoi se sezoni i ri veror do të konsiderohet nga qeveria si një qasje dhe cilësi e re ndaj turizmit në vend. Ai tha se, punë në këtë drejtim ka nisur me pastrimin dhe çlirimin nga plehrat të të gjithë territorit, ku pritet të vijnë turistë.