Edi Rama: “P-Jo”, helmeve siriane

656
Sigal

Protesta popullore ka ngjallur faktin që qeveria shqiptare është gati të pranojë demontimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri

“Po”-ja e Shqipërisë për armët kimike nuk do të jepej kurrë pa patur garancitë e nevojshme për të siguruar integritetin e vendit, qoftë në aspektin jetik, mjedisor dhe në aspektin e të ardhmes. Unë i mirëkuptoj me të vërtetë të gjithë ata që protestojnë. Nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proces, jo vetëm nga ana jonë, por mes vendeve me njëri-tjetrin”. “Po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku të jetë e qartë për të gjithë që Shqipëria do të dalë jo vetëm me kokën lart, por e fituar dhe më e pastër seç është sot. Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student, që sot është përfshirë në këtë debat duhet ta dijë se unë kurrë vetë dhe kjo qeveri nuk do të pranonte kurrë që jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cenimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë unë dhe qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që mund të rrezikonte jetën e fëmijëve. Kurrë nuk do të thoshim një po, dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe parlamentit për të kërkuar po-në e tyre pa patur në plan një plan që do të garantonte jo vetëm të gjitha rreziqet e imagjinuara, për shkak të një propagande të mbështetura në një tërësi të pavërtetash, të kthehej në një problem.

 Me “yrra-byrra”, po “rrahim ujë” kot në havan

Astrit Cerma

Shkatërrimi i armëve kimike…Çfarë s’po na dëgjojnë veshët?…Megjithatë, disa “të thëna” sikur nuk “thuhen” nga ata që kërkojnë t’i “thonë të gjitha”..
1- Hera e parë është në historinë e këtij rruzulli që quhet tokë që do të shkatërrohen këto “farë” armësh???…Nëse është “hera e parë” nga i dine ata që “thonë” tërë këto “të thëna” që po na mbushin kaq shumë me “të dhëna”?…
2- Nëse s’është “hera e parë” në cilën “ngastër” tjetër (ose ngastra të tjera) të këtij rruzulli, që quhet tokë janë shkatërruar këto armë kimike?…Nëse, le të na i “thonë e stërthonë” ata që “thonë” edhe “arsyet “përse në ato ngastra-po dhe në ngastrën tonë -jo….
3-Ç’fatkeqësi tragjike i kanë përfshirë ato ngastra (ose ngastër) gjatë dhe pas shkatërrimit të armëve kimike?..
Le t’i thonë këto dhe të tjera të këtij “kallëpi” ata që dinë të thonë me shembuj dhe me fakte konkrete dhe jo me “yrra-byrra”, se kështu më duket mua, po “rrahim ujë” kot në havan..

  Revoltë e fansave të Ramës në Facebook: Përse nuk thua jo?!

 Kryeministri Rama foli dje për herë të parë në publik lidhur me shkatërrimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Por deklarata e Ramës e postuar në faqen e tij të fansave në Facebook nuk është mirëpritur nga simpatizantët e tij. Këta të fundit kanë postuar me qindra komente për të kundërshtuar vendimin e qeverisë “Rama” për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

Komentet e fansave

Pellai Ruopp: Përse nuk thua jo?!

Enrjeta Hyseni: Duhet thëne JO, ashtu si duan shqiptaret dhe jo Amerika!

Mateo Aliraj: Ne jemi si te thuash “KOSHI” i Europës, mbeturinat te ne do të vijnë, me këtë sy na shikojnë shtetet e tjera, vendi ku të hedhin mbetjet e tyre.

Any Joke: Përgjigja e shqiptarëve është “Jo” lëndëve kimike dhe ju këtë e dini. Ndalon mbeturinat dhe na sjell helme. Kishim vërtet shpresë te ju kur ju votuam. Pse duhet të na i shuani ato kaq shpejt?

Di Si: Po thuaj jo, o burrë, se jemi vend i vogël, nuk i hamë dot.

Astrit Duzha: Më mirë një JO në fillim, se sa të bëhen gjithë ato thotë populli.

Niku Cool: Unë jam 26 vjeç, i papunë, nuk kërkoj punë nga ty, as favore, as ndere, sepse nëse jam i zoti, punën do e gjej vetë dhe do e mbaj me forcat e mia. Nga ty kërkoj mos të më ndotësh ambientin, mos më cenosh të ardhmen time dhe të vendit tim. Për interesa politike s’mund ta bësh këtë sepse Shqipëria s’është pronë e jotja e as e ndonjë politikani hajdut, ordiner, matrapaz dhe bukëshkalë… Në fakt, të tërë ju kështu jeni. Unë kam pasur pak besim te ty si politikan dhe në fakt tani jam në pikat e fundit të besimit ndaj teje. Por ta dish mirë zoti Kryeministër, ti dhe çdokush që mendon të luajë me fatin e mëmëdheut tim, se do e paguajë shumë rëndë.

Salih Kelmendi: Kjo është për të ardhur keq që një Kryeministër i Shqipërisë nuk mendon për popullin e tij, por për interesa të tij, si një Kryeministër e pranon këtë katastrofë kur e din se sa e rrezikshme është për të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë rajonin. Si e pranuat, Kryeministër?

Rakip Raskolnikov Jr: Jo thuaja dhe do rrish 16 vjet në pushtet, do të të mbajë populli…

Gani Demiraj: Përgjigja duhet të jetë JO! Nëse të pyesin përse, u thuaj që kam 10 milionë “budallenj”, por ama shqiptarë që nuk kanë ndërmend të marrin përsipër çfarë nuk u takon!

Rama 17 Erion Jakupi: Si ka mundësi që ne jemi akoma në negociata dhe shumë vende i kanë thënë thjesht jo?!?!?!?!

Ariston Luka: Po ta them unë: Po qe se na bien armë kimike këtu, do të humbasësh automatikisht, masivisht vota. S’ka nevojë as me e mendu. Refuzoje automatikisht!

 Ledi Bendo: Besuam kaq shumë te ju. Nuk duam fjalime të gjata, por një përgjigje të shkurtër. JO lëndëve kimike në vend.

Iva Lila: Shumë fjalë të kota, kur mjaftonte një e vetme JO.

Oliver Serani: Bëj referendum meqë Shqipëria është e shqiptarëve. Ju jeni vetëm i deleguari, po sovraniteti është i shqiptarëve. Ndaloje diplomatikisht, m.q.s. është problem internacional, të ndahet proporcionalisht.

Eduard Nebiu: E sheh shumë mirë, të gjithë popullin e ke kundra armëve kimike në Shqipëri! Mos prano se s’do të dojë populli!

Renad Garo: Një “Jo” të madhe të gjitha vendimeve që bien në kundërshtim me interesat dhe me shëndetin e njerëzve!

Edi Cekani: N.q.s. nuk ta ndjen se ç’mendon populli, kujto atë që të la postin…

Enrjeta Hyseni: Nëse thua JO këtë herë Rama, është një provë e madhe që ti i jep vendit tënd. Ty nuk të votoi Amerika, po shqiptarët! Ne të dhamë votën me shumë shpresë, dhe u detyrohesh gjithë shqiptarëve. Ti thuash JO JO JO JO Amerikës!

Ilirjan Zotkaj: Turizmi do rrëzohet fare dhe do humbim më shumë, edhe emigrantët nuk do vijnë më. Kështu që do jetë katastrofë ekonomike, sepse nuk do investohet në ato zona.

Gazmir Koxhaj: Zoti Rama, ju lutemi mos e pranoni demontimin e armëve kimike në këtë atdheun tonë të vogël.

  

Alarmohet Greqia dhe Italia që Shqipëria do të demontojë armët kimike

Shtypi grek i ka dhënë një hapësirë të gjerë temës së shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, që sipas tij, thuajse është konfirmuar.  Një nga gazetat prestigjioze greke, “Kathimerini”, shkruan se lajmi i shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri ka alarmuar Athinën, e cila i frikësohet një degradimi mjedisor të të gjithë rajonit, pavarësisht masave parandaluese që do marrë Tirana dhe Perëndimi. “Kjo mund të arrihet nëpërmjet krijimit të një fronti të përbashkët të vendeve fqinjë të Shqipërisë, i cili të bindë Tiranën të mos pranojë asgjësimin e armëve të rrezikshme të Sirisë, pavarësisht kompensimit financiar të Perëndimit”, shkruan “Kathimerini”, e cila jep edhe alternativat. “Siria ka shkretëtira të pabanuara, sidomos në juglindje, dhe meqenëse bëhet fjalë për armët e veta, territori sirian duhet të ishte zgjedhja e parë për shkatërrimin e tyre. Ndërkaq, nisur nga fakti se Siria nuk ka sigurinë dhe stabilitetin e duhur për të bërë shkatërrimin e armëve, mund të shqyrtohen mundësitë e tjera. SHBA dhe Rusia (ajo që bëri propozimin) mund të gjejnë zona brenda territoreve te tyre për shkatërrimin, duke ndarë përqindjen e këtyre armëve”, thuhet në shkrim.

Edhe gazeta “Ta Nea” shkruan për këtë çështje, duke cituar për titull deklaratën e Kryeministrit Rama, sipas të cilit, çdo vendim i qeverisë do të udhëhiqet nga siguria kombëtare. “Ta Nea” jep një pasqyrë të qartë të reagimeve kundërshtuese në Shqipëri dhe thekson deklaratat e protestuesve, të cilët nuk janë kundër SHBA, por kundër armëve kimike.

“Naftemporiki”  shkruan se  pranimi i armëve kimike në Shqipëri pritet të shkaktojnë reagime të ashpra dhe protesta të përditshme kundër armëve kimike në Shqipëri.

Shtypi grek i referohet edhe shtypit italian, i cili ka shprehur shqetësim për aksidentet e mundshme që mund të shkaktojnë pasoja të rënda në një rajon në jug të Italisë, vetëm 70 kilometra nga bregdeti shqiptar.  Sipas raporteve të medias, Shqipëria pritet të marrë rreth 1 600 ton armë kimike, ose rreth 650 kamionë.

Protestohet kundër armëve kimike, thirrje qeverisë e Nishanit: Jo asgjësimit në Shqipëri!

Protesta nën moton ‘Stop Armëve Kimike në Shqipëri” edhe gjatë ditës së djeshme në disa qytete të vendit. Thirrje qeverisë “Mos lejo të hyjnë armët kimike siriane në Shqipëri”. Shumica e qytetarëve u organizuan përmes rrjeteve sociale, si Facebook e “Tvvitter”. Në Tiranë, në sheshin përpara Piramidës, u nis protesta qytetare e radhës: “Jo armëve kimike në Shqipëri!!!”. “Është detyrë e çdo qytetari të vendosë një gur në themelet e barrikadës së vullnetit popullor ku duhet të ndalet qeveria Rama”, thanë organizatorët e protestës. Persona publikë, personalitete të njohur të fushës së artit e medias, intelektualë të ndryshëm, qytetarët të moshave të ndryshme janë sensibilizuar ditën e sotme në kryeqytet dhe kanë protestuar kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.“Qeveria të mos lejojë armët në atdheun tonë… Shqipëria është e shqiptarëve…Nuk duam helme të infektojmë fëmijët…”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve. Fjalën e morën mësues, prindër, gjyshe, studentë të cilët shprehën frikën që ndjejnë ndaj armëve kimike që përflitet se do të sillen në Shqipëri për asgjësim. Protestuesit theksuan se do të mblidhen të enjten para Parlamentit për të protestuar kundër armëve kimike. Protesta për armët kimike është zhvendosur para presidencës. Protestuesit janë ulur në bulevard pranë Presidencës dhe i bëjnë thirrje Presidentit Nishani të mos firmos për armët kimike.

Protestë dhe nga deputetë të opozitës

Ndërkohë një tjetër protestë për armët kimike po zhvillohet në Tiranë, por nga përfaqësues të opozitës. Deputetë të PD-së kanë nisur protestën nga sheshi para Bashkisë së Tiranës dhe kanë marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.Ndërkohë, në Elbasan, organizata “Studentët e rinj për veprim”, drejtues të Këshillit të Qarkut të Elbasanit dhe qytetarë të organizuar kanë protestuar në bulevardin “Aqif Pasha” kundër asgjësimit të armeve kimike në Mjekës të Elbasanit. “Nuk duam të vdesim të helmuar nga armët kimike”, ishin thirrjet e disa prej protestuesve. Ndërkohë dhe në qytetin e Korçës është zhvilluar një tubim, ku qytetarë të shumtë të maskuar me maska i kanë bërë thirrje qeverisë të mos lejojë asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri.