Edi Rama: Ngritja e muzeut të Marubëve, akt dinjitoz për krenarinë kombëtare

396
Sigal

Kryeministri Edi Rama vlerësoi dje ngritjen e muzeut të Marubëve në Shkodër “si një akt dinjitoz me vepra, jo me fjalë, për ngritjen e krenarisë kombëtare”. I pranishëm në Kinema Millenium në Shkodër, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mori pjesë në prezantimit publik të fazës së fundit të përzgjedhjes së projekteve fituese për projektin “Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare Marubi”. “Studio që do të bëjë restaurimin do të bëjë të mundur që së shpejti ky thesar dhe dinastia e Marubëve të dalë më në fund nga burgu i harresës dhe lagështirës mbytëse dhe të bëhet pjesë e jetës së qytetarëve të Shkodrës. Dhe pas kësaj do të jenë më të shumtë atë që do e vizitojnë Shkodrën”,-tha Kryeministri Rama. Duke folur mbi gjendjen e Fototekës ‘Marubi’, Rama u shpreh se: “E kam para syve takimin me Luçianon, Drejtorin e Fototekës ‘Marubi’, djalë i ri, energjik, me pasion e vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë të gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari dhe përpjekjet e tij krejt individuale, me një grup njerëzish për të luftuar shiun, lagështirën, për të luftuar që në kushtet e pasigurisë totale Fototeka të mos cenohej. Jam i bindur që drejtori dhe stafi i tij sot janë shumë të lehtësuar dhe mezi presin ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm, në vendin që meriton në zemër të Shkodrës”. Kryeministri përgëzoi edhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, për punën e shkëlqyer dhe mbërritjen në këtë stacion, që ishte parashikuar brenda 300 ditëve. “Ishte nevojshme të arrihej edhe kjo cilësi që mundëm ta shohim sot përmes varianteve të paraqitura. Gjithashtu, e përgëzoj për faktin se ka vënë që në fillim, si më kryesoren, punën për inventarizimin e thesareve tona të lëna rrugëve, të dëmtuara vazhdimisht, të shqyera e grabitura, për të cilat sot nuk kemi inventar. Nuk dimë ekzaktësisht sesa vepra materiale disponojmë në secilën nga fushat e trashëgimisë tonë”,-shtoi më tej Rama.