Edi Rama në Pogradec, shlyerja e borxhit për ndërtimin e rrugëve është garantuar

495
Sigal

Kryeministri i vendit, Edi Rama inspektoi ditën e djeshme rrugën turistike të buzë liqenit në qytetin e Pogradecit. Në këtë rrugë kanë rinisur punimet pas bllokimit për një kohë të gjatë, duke u shndërruar në një problem dhe makth për kalimtarët dhe automjetet. Pas kësaj vizite, Kryeministri Rama ka akuzuar ish-opozitën për bllokimin e punimeve në këtë rrugë dhe për planin skandaloz që është vënë në zbatim. “Sot gjatë inspektimit të rrugës turistike të buzë liqenit të Pogradecit, ku puna u bllokua me muaj të tërë nga borxhet e qeverisë së mëparshme dhe ku është vënë në zbatim një tjetër projekt skandaloz i qeverisë së mëparshme, pa asnjë përgjegjshmëri urbane e mjedisore”,-është shprehur Rama në një postim në rrjetin social “Facebook”. Ai ka theksuar se, borxhi ndaj kompanisë së ndërtimit të rrugës do të shlyhet shumë shpejtë. “Tanimë shlyerja e borxhit ndaj kompanisë është garantuar, puna ka rinisur dhe paralelisht do të punohet për përmirësimin sa më të madh të projektit. Duam që kjo rrugë të jetë një tjetër shembull i prekshëm i Shqipërisë së rilindur përmes standardesh të reja sigurie e hijeshie urbane”,-ka përfunduar postimin e tij Kryeministri i vendit Edi Rama.