Edi Rama në datën 7 qershor në Venecia, në gusht në Gjermani

446
Sigal

Kryeministri Edi Rama bën të ditur në rrjetin social “Facebook” se, do të jetë i pranishëm në edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare në Binalen e Venecias, Itali, që do të çelet në 7 qershor. “Nesër Pavijoni Shqiptar në Arsenale, hapësira prestigjioze e Bienales ku paraqesim Edi Hilën & Ardian Pacin. Në Arsenale edhe Pavijoni i Kosovës. Shqiptarët të vetmit me dy grupe artistësh”,- shkruan Kryeministri Edi Rama në “Facebook”.

Shqipëria do të marrë pjesë në 7 qershor, në edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare në Binalen e Venecias me pavijonin e saj të titulluar “Potential Monuments of Unrealised Futures” (Monumente të Mundshëm Ardhmërish të Parealizuara).

Rama viziton sërish Gjermaninë

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një tjetër vizitë në Berlin. Së bashku me ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj ata do të marrin pjesë në një forum me investitorët gjermanë, të organizuar nga “Deutsche Bank” (Banka Gjermane) dhe që do të zhvillohet në selinë qendrore të saj. Kryeministrat e vendeve të Ballkanit do të mblidhen në muajin Gusht në Berlin, në një takim të posaçëm për të ardhmen e rajonit dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes këtyre vendeve dhe Bashkimit Europian, një situatë që në këto momente nuk është shumë e favorshme politikisht për zgjerimin, pas fitores së euroskeptikëve në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Takimi do të shërbejë si fillesa e një nisme gjermane për Ballkanin dhe do të ulë në tryezë shefat e qeverive të rajonit me Kancelaren Merkel, e ku – si edhe kryeministrat e tjerë, – Edi Rama me sa duket do të shtrëngojë dorën për herë të dytë me Kancelaren gjermane brenda 6 muajve.