Edi Rama ndryshon emrin e partisë

1176
Sigal

Pas 22 vjetësh, Partia Socialiste e Shqipërisë ka mbyllur ciklin e saj historik dhe është arkivuar në “muzeun” e Gjykatës

Pas 2005-s, kur Edi Rama erdhi në krye të PSSH-së, prioriteti kryesor i tij ishte të bënte ndryshime të atilla, që partia të përfaqësonte tërësisht “Ego”-n e tij. Fillimisht, Kryetari i si, Edi Rama, solli në parti, në emër të rinovimit, gjithë njerëzit më të besuar të tij, pavarësisht se, të rinjtë nuk kishin – deri atë kohë- asgjë të përbashkët me idetë e PSSH-së dhe  kishin kontribut zero në të kaluarën. Njëkohësisht, u spastruan të gjithë drejtuesit kryesorë të PSSH-së që nuk ishin të besuarit e Kryetarit të ri të PSSH-së, duke filluar që nga ish-Kryetari Fatos Nano. Por ndryshimi, ose transformimi i PSSH-së nuk mund të quhet i mbyllur, pa ndryshuar edhe formatin e jashtëm të saj, sikurse janë simbolet e partisë. Kështu, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama pasi i ndryshoi ngjyrën e jashtme selisë,  ka ndryshuar edhe emrin e partisë. Edi Rama, me cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me një padi civile, ku ka kërkuar që të depozitojë vendimin e marrë në Kongresin e Partisë Socialiste, i mbajtur ky kongres në datë 05.11.2011, për të ndryshuar germat nistore të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PSSH) në “PS”. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të datës 20 shkurt 2013, “Edi Rama, i biri i Kristaqit dhe Anetës, datl. 04.07.1964, lindur dhe banues në Tiranë, me adresë Sheshi ”Austria”, ka depozituar si çështje civile ndryshimin e regjistrit të partive politike, më saktë ka kërkuar ndryshimin e siglës së PS.  “Partia Socialiste e Shqipërisë,  është parti e regjistruar në regjistrin e partive politike të mbajtur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në datë 05.11.2011 është mbajtur Kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe ky kongres me vendimin e tij me Nr.4 ka vendosur: Germat nistore të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë “PS”.  Në statutin e Partisë Socialiste të Shqipërisë është pasqyruar në Kreun II, “Dokumentet bazë, simboli”, neni 6 “Simboli, stema, flamuri i Partisë “, pika 7. Në nenin 24, pika 1  të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar se: Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë. Në nenin 26, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar se : Kongresi miraton Programin dhe Statutin e Partisë dhe bën ndryshime dhe përmirësime në to”, thuhet në vendimin e Gjykatës.  Sigurisht Gjykata  e Shkallës së Parë,  bazuar në provat shkresore të administruara në dosje, ka çmuar se kërkesa e Edi Ramës është e drejtë. Për këtë arsye gjykatësja Rezarta Balliu (Vigani) bazuar në në nenet  126, 306 e vijues të K.Pr.Civile, vendosi të pranojë kërkesë dhe të miratojë Depozitimin e vendimit Nr.4 datë 05.11.2011 të Kongresit të Partisë Socialiste, në regjistrin e partive politike: Germat nistore të Partisë Socialiste, janë “PS” . Po ashtu ka vendosur se Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit, pra, Edi Ramës, i cili me 8 mijë lekë ndryshoi emrin e Partisë Socialiste. Kësisoj Edi Rama, i cili ndryshoi ngjyrën mureve të partisë ia arriti të ndryshojë dhe siglën, duke instaluar një diktaturës të shijeve personale në parti.

Gjykata e Tiranës: Ja pse pranuam kërkesën e Ramës

 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë pranon kërkesën e dorëzuar nga kreu socialist Edi Rama për të ndryshuar siglën e pastrisë që ai drejton, nga PSSH në PS.

 Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës

 Pasi bën të ditur shqyrtimin e kërkesës, administrimit të provave shkresore dhe dëgjesës së përfaqësuesve të kërkuesit, gjykata vërejti se kërkuesi, Edi Rama, me cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i është drejtuar gjykatës dhe kërkonte që të depozitonte vendimin e marrë në kongresin e Partisë Socialiste, i mbajtur në datë 5.11.2011. “Kjo kërkesë gjen mbështetje në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, në nenin 14, të tij si dhe në nenin 6 dhe 24, 26 të Statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PSSH). Në nenin 14/2 të ligjit me nr. 8580 datë 17.2.2000 është parashikuar se “kërkesa për ndryshime në regjistrin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve”. Në nenin 30 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë është parashikuar: 1. Kryetari i Partisë Socialiste ka këto kompetenca kryesore: a. është drejtuesi më i lartë politik i partisë, c. përfaqëson PS në marrëdhëniet me partitë e tjera, me organizatat, shoqatat dhe institucionet brenda dhe jashtë vendit”, – thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës. Më tej kjo gjykatë argumentoi: “Në bazë të neneve 36, 41, 59 të K. Pr. Civile, gjykata pasi shqyrtoi nëse çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor civil dhe kompetencën e saj lëndore e tokësore, konstatoi se çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor civil dhe kjo gjykatë është kompetente nga pikëpamja lëndore e tokësore”. Nga ana tjetër, gjykata theksoi në vendimin e saj se pas shqyrtimit gjyqësor rezultoi e provuar se Partia Socialiste e Shqipërisë është parti e regjistruar në regjistrin e partive politike të mbajtur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. “Në datë 5.11.2011 është mbajtur kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe ky kongres me vendimin e tij me nr. 4 ka vendosur: Germat nistore të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë “PS”. Në statutin e Partisë Socialiste të Shqipërisë është pasqyruar në kreun II, “Dokumentet bazë, simboli”, neni 6 “Simboli, stema, flamuri i Partisë”, pika 7. Në nenin 24, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar: Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë. Në nenin 26, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar: Kongresi miraton Programin dhe Statutin e Partisë dhe bën ndryshime dhe përmirësime në to”. Po ashtu gjykata bënte të ditur se vendimi i Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i është paraqitur gjykatës, nëpërmjet kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Gjykata bazuar në provat shkresore të administruara në dosje, çmon se kërkesa e kërkuesit është e drejtë, e bazuar në ligj dhe si e tillë duhet të pranohet”, – pohohej në vendimin e Gjykatës së Tiranës.