Edi Rama: Ndëshkim për korrupsionin, marrëdhënie efektive me fqinjët

556
Sigal

“Do ndëshkohet kush e ka shkelur ligjin, në ekonomi kemi mbështetjen e FMN-së”

Edi Rama në ‘Intervistë me Bugajskin’

 Bugajski: Erdhi sërish koha për ‘Intervistën me Bugajskin’ dhe jam shumë i lumtur që të ftuar sonte kemi Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Faleminderit që erdhët! Mirësevini në emision!

Rama: -Faleminderit për ftesën!

Kanë kaluar më pak se dy muaj që kur qeveria juaj mori detyrën. Po ia nis me një pyetje të përgjithshme. Cilat janë prioritet tuaja kyçe në fillesën e mandatit tuaj katër vjeçar dhe cilat janë gjegjësisht objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë? Si do t’i klasifikoni ato?

-Kemi disa emergjenca për t’u marrë. Duhet të merremi me një sasi borxhesh, e cila po trazon së tepërmi ekonominë tonë. Praktikisht, kemi një shkëmb të madh në rrugën tonë. Kësodore, duhet ta pastrojmë. Duhet të merremi me një sektor energjie në krizë të thellë, i cili është përkeqësuar edhe më tej nga konflikti i pavend ndërmjet CEZ-it dhe shtetit shqiptar. Dhe, sigurisht, ne duhet të merremi me një situatë të rënduar të krimit, e cila është e paqëndrueshme. Pra, mbi këto tri prioritete kryesore afatshkurtra, të cilat unë do t’i quaja prioritete emergjence, ne jemi fokusuar tej mase gjatë këtyre ditëve, sigurisht, pa lënë jashtë vëmendjes të gjitha të tjerat, dhe mbi të gjitha nevojën për të rifituar ritmin në mbledhjen e detyrimeve ndaj sistemit doganor dhe të tatimeve. Si dhe për të rifilluar rritjen e të ardhurave mbas një uljeje mjaft dramatike gjatë 9 muajve të parë të këtij viti.

Zhvillimi ekonomik, pa dyshim, është kyç për të ardhmen e Shqipërisë dhe për çdo qeveri që kërkon të ketë sukses.  Ju deklaruat se vendi është në një krizë të thellë ekonomike me një borxh të madh publik! A mund të na qartësoni se sa i madh është borxhi dhe si planifikoni ta ulni atë në vazhdën e vitit të ardhshëm?

-Ne jemi në diskutime intensive me FMN-në dhe Bankën Botërore dhe jemi shumë pranë finalizimit të një programi të ri me FMN-në. Gjë për të cilën jam krenar, sepse s’është se FMN-ja po vjen të shpëtojë Shqipërinë, por është Shqipëria ajo që po kërkon ndihmën e FMN-së, jo për t’u shpëtuar, por për t’u rikthyer në binarët e stabilitetit makroenomik dhe që të fillojë të luftojë një borxh publik që rrezikon të bëhet fund e krye i paqëndrueshëm. Me t’u thënë kjo, ne duhet të merremi, siç e thashë, me një volum borxhesh të prapambetura që nuk është ende krejtësisht i qartë dhe andaj ne kemi pajtuar një kompani auditimi, Deloiçe&Touche, për të na ndihmuar që të kryejmë një auditim të plotë të këtij volumi të borxheve. Njëkohësisht, ne besojmë fort se ne s’mund ta shpiem Shqipërinë më tutje si një qeveri që i ka borxhe komunitetit të biznesit. Pra, fillimisht, ne duhet të lajmë këtë borxh dhe pastaj të kërkojmë përgjegjshmëri nga komuniteti i biznesit, duke qenë kështu të parët shembulli i përgjegjshmërisë. Mandej, ne do të ecim përpara me një program fleksibël të rritjes, me FMN-në dhe BB-në. Unë kam një besim të fortë se vitin e ardhshëm Shqipëria ka për të qenë në një situatë për të rifilluar rritjen. Dhe mbas një numri vitesh me një normë rritjeje në rënie, ne do të kemi një rifillim.

SOM FILLIMI

“Kemi disa emergjenca për t’u marrë. Duhet të merremi me një sasi borxhesh, e cila po trazon së tepërmi ekonominë tonë. Praktikisht, kemi një shkëmb të madh në rrugën tonë. Kësodore, duhet ta pastrojmë. Duhet të merremi me një sektor energjie në krizë të thellë, i cili është përkeqësuar edhe më tej nga konflikti i pavend ndërmjet CEZ-it dhe shtetit shqiptar”

Rama: Kemi mbështetjen e FMN!

 Bugajski: Nëse ju merrni një borxh nga FMN-ja, me gjasë kjo do të kryhet me disa kushte, dhe shpeshherë kushtet e FMN-së përmbajnë masa kursimi. A parashikoni  diçka të tillë?

Rama: -Nuk parashikojmë diçka të tillë. Ne kemi qenë mjaft të qartë se s’po kërkojmë një program kursimi. Siç thashë, ishim ne ata që trokitëm në portën e FMN-së dhe që u kërkuam atyre të fillojnë të mendojnë për një bashkëpunim. Më duhet të them se ata kanë qenë të jashtëzakonshëm në të kuptuarit e situatës dhe, po ashtu, në të kuptuarit e vizionit tonë se si ne duam të ecim më tutje. Gjithashtu, dua të them se ndihma e BB-së, dhe sidomos e Drejtoreshës së  Përgjithshme Ellen Goldstein ka qenë absolutisht vendimtare. Ne kemi krijuar një ekip mjaft të mirë. Ne po punojmë si ekip. Dhe e fundit, po jo më pak e rëndësishmja, ne si Qeveri dhe unë si Kryeministër kemi një mundësi fantastike për t’u asistuar nga një ‘ekip ëndrrash’ me ekspertët më në zë ndërkombëtarë, si Ricardo Hausmann apo Andres Velasco, apo Erik Berglof, ose Leif Pagrotsky, apo edhe njerëz të tjerë që po tregohen mjaft vendimtarë në të ofruarit e ndihmës së tyre. Harrova të përmendja gjithashtu edhe  ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore të Turqisë, Dyrmysh Jëllmaz, i cili është gjithashtu tej mase i dobishëm në këtë grup që vërtet po na bën të ndihemi jo vetëm të sigurt, por edhe në një pozitë mjaft të mirë përballë sfidës sonë fantastike.

Por, a e lejon vallë situata negative buxhetore që të përmbushni disa prej angazhimeve tuaja elektorale? Me fjalë të tjera, krijim punësimi, rritje të investimeve, e kështu me radhë.

-Kjo është një situatë të cilën ne e trashëguam. Siç e kemi thënë tashmë, jo si pasojë e ndonjë talenti profetik, por si pasojë e përvojës së vendeve të tjera, punët mund të jenë më keq se sa ç’mendohej, dhe vërtet ashtu janë.  Por, në të njëjtën kohë, unë kam një besim të fortë se plani ynë ka për të na ndihmuar pikërisht në drejtimin që ne shpresojmë, për të krijuar vende pune duke rritur ekonominë nëpërmjet një programi që bazohet mbi dhënien e një hapësire më të madhe frymëmarrjeje komunitetit të biznesit, kompanive dhe gjithashtu duke i dhënë fund ngërçit të sektorit bankar, i cili është përplot me likuiditete, por i cili e ka të pamundur të japë hua pikërisht për shkak të këtij rrethi vicioz të shkaktuar nga borxhi që qeveria u ka kompanive. Dhe këtu flas për një shumë të rëndësishme parash. Diku rreth 600 milionë dollarë, e cila është një shumë e madhe për ekonominë dhe buxhetin tonë.

Ju cekët sektorin e biznesit! Sot sapo lexova se Shqipëria ka humbur pesë vende në renditjen e Bankës Botërore ‘Doing Business’, një gjë aspak e mirë për Shqipërinë që dukej se po ngjitej vitet e shkuara. Çfarë duhet bërë për ta ndryshuar këtë, për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse?

-Ky pozicion i ri i bazuar në vlerësimin e vitit 2013 është pjesë e rënies ekonomike. Dhe është një rënie që s’ka nisur në vitin 2013, por në të gjitha aspektet u bë gjithnjë e më tepër i dukshëm dhe gjithnjë më i dëmshëm për ekonominë pikërisht gjatë këtij viti…

Bugajski: Lejomëni t’i kthehem një teme tjetër, e cila ka goxha rëndësi, e lidhur kjo me ndryshimet në administratën publike. Si do t’u përgjigjeni akuzave të opozitës se qeveria juaj në njëfarë mënyre po e politizon procesin, ose po vendos njerëz të rinj e pa përvojë në administratë? Vazhdoj ta dëgjoj këtë që kur mbërrita në Tiranë!

-Sa më pëlqejnë këta njerëz të rinj dhe pa përvojë, dhe s’heq dorë nga ata dhe besoj tek ata.  Unë nuk shoh kurrfarë të mire në të ashtuquajturën përvojë të  dështimeve dhe në qeverisjen dhe menaxhimin e dështuar administrativ. Dhe shoh shumë të mira në sjelljen e të rinjve ambiciozë. Dhe, lejomëni t’jua them shkoqur: Ndoshta është shumë herët, por as 40 ditë nga dita kur u emëruan, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve kanë treguar lidershipin e tyre dhe po flasin me rezultate. Dhe rezultatet janë mjaft inkurajuese. Muaji tetor, si  në dogana ashtu dhe te tatimet, ka qenë jashtëzakonisht i mirë, sigurisht në krahasim me atë që ne kemi arritur, por po ashtu në krahasim me tetorin e 2012-ës. Pra, nuk i besoj as edhe një grimë këtyre dokrrave për mungesë të përvojës.

Rama: Ndëshkim për krimin e korrupsionin

 Bugajski: Lejomëni t’ju pyes specifikisht, sepse në raportin e fundit, Komisioni Evropian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, me mirëkuptimin që Tirana të mos reshtë së luftuari krimin e organizuar dhe korrupsionin. Çfarë ka saktësisht në plan administrata juaj që t’i tregojë BE-së se ju e keni seriozisht?

Rama:– Ne s’do të tregojmë asgjë më tepër e asgjë më pak se sa ajo që ne po bëjmë për vendin tonë, dhe se çfarë po bëjmë ne për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Mendoj se në një pjesë mjaft të ngutshme të rrugëtimit tonë të saponisur, ne kemi treguar udhëheqje, angazhim dhe vullnet të mirë. Operacioni kundër lojërave të paligjshme të fatit ishte një mesazh i qartë për këdo. Dhe ai ka qenë, në vëzhgimin tim, operacioni më i madh policor i kryer ndonjëherë ndaj aktiviteteve të krimit ekonomik. U kemi vënë drynin shumë kazinove, kemi konfiskuar shumë makineri të lojërave të fatit. Sigurisht, puna nuk është kryer akoma. Ne duhet të vijojmë të jemi këmbëngulës, sepse kjo s’është një fushëbetejë e lehtë, por ne jemi të angazhuar dhe do të vijojmë në këtë mënyrë. Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë një punë qartësisht të ndryshme në përforcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin kundër ndërtesave ilegale, kundër rrënimit të bregdetit nëpërmjet ndërtesave që janë jashtë çdo kornize ligjore dhe kundër ndërhyrjeve që mund të dëmtojnë edhe më tutje potencialin turistik të vendit tonë. Ama, ky është vetëm fillimi!

A mund të presim ndonjë hetim, ose gjyqe të mundshme ndaj zyrtarëve të mëparshëm, të cilët konsiderohen se kanë gisht në korrupsion?

– Ne jemi zgjedhur që të qeverisim dhe, sigurisht, ne kemi një ndarje të qartë të pushteteve në marrëdhënie me sistemin gjyqësor. Ndryshe nga Amerika, ne kemi një Prokuror të Përgjithshëm i cili është i pavarur nga ne, por ne pa dyshim që do ta mbështesim Prokurorinë në çdo hap dhe në çdo betejë kundër dyshimeve të arsyeshme për korrupsion. Dhe gjithashtu ne kemi për të nxjerrë përpara drejtësisë cilindo person apo cilëndo procedurë që mund të duket se nuk është në përputhje me ligjin.

Pra, s’ka asnjë imunitet për korrupsionin?

-Kurrsesi!

Më lejoni t’ju pyes sërish mbi çështjen e BE-së, sepse me gjasë ky është objektivi më i lartë i politikës së jashtme. Le të shpresojmë që së shpejti s’ka për të qenë më politikë e jashtme, por politikë e komunitetit të përbashkët. A ndjeni se disa qeveri të BE-së janë akoma skeptike për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë? Kam dëgjuar se disa njerëz thonë që gjermanët janë paksa ngurrues, por edhe disa nga evropianët perëndimorë.

-Ka dy gjëra! E para, qartësisht ka njëfarë ngurrimi në gjirin e BE-së, jo domosdoshmërisht ndaj Shqipërisë, por ndaj zgjerimit në përgjithësi. Dhe fatkeqësisht s’ka më shumë hapësirë për zgjerim, dhe kështu ky frustrim që ka të bëjë me opinione publike ngurruese, me zgjedhje  në një vend apo në një tjetër, si dhe me njëfarë sensi cinizmi. Ne duhet t’u përgjigjemi këtyre. Ne jemi pjesë e këtij grupi të vogël. Por në anën tjetër, le ta themi qartë. Integrimi evropian s’është një qëllim në vetvete. Është një instrument për t’u rritur, për t’u modernizuar dhe për t’u bërë pjesë e Evropës duke e sendërtuar Evropën këtu. Pra, më e rëndësishmja s’është ajo që do të thuhet në Bruksel. Më e rëndësishmja është ajo që do të bëhet këtu. Dhe nëse ajo që do të bëhet këtu ka për të qenë arsye për të bërë të mundur që në Bruksel gjërat të thuhen ashtu siç duam ne, atëherë kjo është ajo që ne duam…

Rama: Fqinjësi e marrëdhënie me fqinjët

 Bugajski: Do të doja t’i ktheheshim Kosovës pak më vonë, sidomos pas zgjedhjeve lokale. Por më lejoni t’ju pyes sërish për politikën këtu në Shqipëri! Them se polarizimi politik ekziston në të gjitha shoqëritë. Ne e kemi parë këtë si mos më qartë kohët e fundit në SHBA me mbylljen e qeverisë. Problemi në Shqipëri ka qenë bllokimi politik. A ka ndryshuar diçka që kur ju morët detyrën? Pra, a i keni zgjatur dorën opozitës, a ju ka zgjatur dorën juve opozita? A ka një konsensus kombëtar?

Rama: -Le të flasim sinqerisht! Ne s’jemi zgjedhur që të kënaqim opozitën! Ne jemi zgjedhur që të udhëheqim. Por, në të njëjtën kohë, ne jemi mëse të gatshëm që të dëgjojmë dhe të udhëheqim. Dhe ne jemi mëse të gatshëm të dëgjojmë jo vetëm njerëzit apo shoqërinë civile, por fillimisht opozitën. Pra, ajo që kemi bërë dhe do të bëjmë është që t’u krijojmë atyre kushtet që të na thonë, jo nëpërmjet ekranit, por nëpërmjet dialogut se ç’mendojnë ata, se ç’propozojnë, dhe të kemi një shkëmbim mjaft të hapur të pikëpamjeve. Sigurisht, ne mund të mos ndryshojmë pikëpamjet tona, por fundja fundit ne s’jemi zgjedhur që të kënaqim ata. Njëkohësisht, ne jemi zgjedhur që të ndryshojmë modelin e qeverisjes, dhe unë jam mjaft i angazhuar që të mos lejoj që për shkak të arrogancës së pushtetit, opozitës t’i ndodhë ajo që na ndodhi ne kur ishim në opozitë. Si dhe të mos privojmë opozitën nga asgjë nga e cila ne u privuam kur ishim në opozitë.

Pra, me fjalë të tjera, ju s’do të silleni si qeveria e mëparshme?

–Aspak dhe për asnjë çast!

Pra, a mund të presim që të mos ketë më bojkote parlamentare, që të ketë diskutime të hapura?

-Sigurisht, ne s’do ta bojkotojmë Parlamentin, por nëse opozita do ta bëjë këtë, kjo ka për të qenë zgjedhja e opozitës dhe unë s’mund të flas ne emër të tyre. E kam thënë në të kaluarën se kur ka një arsye të qartë, bojkoti nuk është një mjet anti-demokratik. Por ajo që unë po ashtu mund ta konfirmoj tani,  është se ne s’do të lejojmë që të ekzistojë ndonjë arsye e fortë për bojkotim. Pra, kur vjen puna tek rregullat e lojës, ne do t’i respektojmë ato. Dhe mandej, kur bëhej fjalë për opinione dhe alternativa, kjo s’është diçka që ne lipset të pajtohemi domosdoshmërisht. Përkundrazi! Përmbledhtazi, unë besoj se cilësia e demokracisë s’qëndron tek fakti se sa biem ne dakord me njëri tjetrin, por në cilën mënyrë ne nuk pajtohemi me njëri-tjetrin…

Më lejoni t’ju pyes specifikisht për Kosovën, ku u mbajtën zgjedhjet lokale, dhe ku pati bojkot nga serbët, të paktën në katër komunat në veri të vendit. Çfarë domethënie bart kjo për Marrëveshjen e Brukselit në afat të gjatë, në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit? A ka për ta nxjerrë nga binarët, apo lipset medoemos një shtytje e re?

-S’do ta shihja kështu. Them se Marrëveshja e Brukselit është historike, por që historia të shkruhet në jetën e përditshme demokratike, kjo nuk është gjë e lehtë, e kështu kjo kërkon kohë. Nga marrëveshja mes dy liderëve… të cilët, shfrytëzoj rastin këtu për të theksuar se janë ngritur përmbi gjithçka dhe kanë bërë një marrëveshje mjaft të rëndësishme… e deri te jeta e përditshme e njerëzve, duhet kohë. Pra, nuk ka për të qenë një shëtitje në kopsht. Ka për të qenë një orvatje, por mendoj se kjo marrëveshje është absolutisht një gur themeli. Padyshim mes Beogradit dhe Prishtinës, por çështja e minoriteteve, e minoriteteve serbe është problem. Do duhet kohë. Do duhet kohë. Por është e sigurt që kufijtë janë përcaktuar qartë një herë e mirë, ndaj integriteti i Kosovës nuk vihet aspak në dyshim, asgjëkund. Diku mund të ketë dyshime, por jo brenda Kosovës apo brenda Shqipërisë. Në anën tjetër kemi një përkushtim të qartë që të dyja vendet duan dhe janë të gatshme të jetojnë si fqinj në paqe. Duhet pak kohë për këto gjëra.

Të flasim tani për Turqinë, me pak fjalë. Cila është domethënia e partneritetit të ri strategjik të deklaruar mes Shqipërisë dhe Turqisë? Gjatë vizitës së ministrit të jashtëm turk, Davutoglu, kur u shpalos edhe partneriteti. Ka plane të tjera për partneritete të ngjashme mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera?

-Jo, për mendimin tim, thjesht deklaruam atë çka ishte e qartë. Pyetja nuk është pse sot po bëhet një deklaratë e fortë e gjërave të qarta. Turqia është partner strategjik. Pyetja duhet të jetë përse kaq vonë? Duhet të jetë e kundërta. Sigurisht që kjo i shtohet pjesës që i mungon trekëndëshit mes Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Arsyet janë fare të qarta. Të treja këto shtete janë anëtare të NATO-s, aktorë shumë të rëndësishëm në rajon. Italia dhe Greqia janë edhe anëtare të BE-së, Turqia po e kërkon anëtarësimin në BE dhe është e përkushtuar ndaj një perspektive të BE-së. Ekonomikisht, të trija vendet janë të përparuara, krahasuar me të tjerat, dhe këtu po shpallim vetëm atë që duket qartë.

Por siç e thatë edhe ju, të gjithë shtetet anëtare të NATO-s janë partnerë strategjikë. Pse kemi një partneritet më specifik këtu?

-Në rajon! Në rajon! Nuk po flasim për partneritetin që mbivendoset apo që po minon partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në, që është korniza kryesore. Po flasim për rajonin dhe këto tre shtete janë partnerët tanë strategjikë. Ne duam të punojmë gjithmonë e më ngushtë me to. Dhe Turqia është shumë e rëndësishme në rrugën e përforcimit të rajonit…

Turqia ka vendosur marrëdhënie të mira me disa vende të Ballkanit, por kohët e fundit, gjatë vizitës së kryeministrit Erdogan në Prizren, ai bëri një deklaratë, për të cilën më vonë tha se u keqinterpretua, se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Kjo u prit shumë keq në Beograd. Sipas mendimit tuaj, ç‘donte të thoshte ai? Ç’nënkuptonte me këtë?

-Them se është një keqkuptim apo një keqinterpretim si deklarata e famshme e Xhon Kenedit në Murin e Berlinit ku ai tha, “Unë jam berlinez”. Ai tha “Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi” me kuptimin që këtu ndihem si në shtëpinë time, kurse ju ndiheni si në shtëpinë tuaj në Turqi. S’kishte fare lidhje me gjeopolitikën apo me…

Neo-otomanizëm?

-Nuk e besoj! Nuk duhet të merremi më me kapjen e deklaratave apo frazave të marra jashtë kontekstit gjatë një tubimi, në një atmosferë entuziaste para njerëzve që e adhuronin, sepse atje ka edhe një minoritet turk, ndaj e tha në këtë kontekst. Por nuk ka kurrfarë kuptimi tjetër veç këtij dhe unë besoj se sqarimi që u bë ishte pikërisht i duhuri.

Pra deklarata do shfryhet dhe marrëdhënia me Beogradin do kthehet si më parë?

-Nuk mendoj se duhet t’i ushqejmë marrëdhëniet tona me energji negative të shkaktuar nga interpretime aspak bujare të gjërave të thëna në një mënyrë dhe që mund të interpretohen në një mënyrë tjetër, por unë isha i pranishëm dhe nuk e ndjeva që u tha me të keq.

Nuk ishte aspak shprehje shoviniste e ndonjë lloji…

Irridentizmi?

…e ndonjë lloji paternalizmi. Ishte diçka që u tha në entuziazëm e sipër, ku ai donte të theksonte që ndihej si në shtëpi dhe sa shumë ngjashmëri ai gjen … Nuk mendoj…

Atëherë, ju nuk do shqetësoheshit aspak nëse do kishte thënë “Shqipëria është Turqi”?

-Do ishte si… Do ishte njëlloj sikur unë të thoja që Shqipëria është Itali dhe Italia është Shqipëri. Dhe kur unë them se italianët janë shqiptarë të veshur me Versaçe, ç‘kuptim ka kjo?  Nuk do të thotë që po shtirem, që duhet apo që kemi ndërmend që një ditë ta bëjmë Italinë pjesë të Shqipërisë.

Rama: Bashkëpunim me fqinjët

 Bugajski: Po kaloj te Greqia. Me vizitën e ministrit të Jashtëm kohët e fundit dhe atë të presidentit grek, ka ende disa çështje të diskutueshme mes Tiranës dhe Greqisë: heqja e gjendjes së luftës, çështja e kufirit detar, si edhe çështja çame, çështja e komunitetit çam. Si mendoni, ka pasur progres në këto çështje si rrjedhojë e këtyre vizitave?

Rama:- Nuk mendoj se çështjet shënojnë progres për shkak të vizitave, në sensin e arritjes së rezultateve konkrete. Por mendoj se vizitat mund të krijojnë kushtet për të arritur rezultate konkrete. Unë shoh se Greqia po rikthehet në rajon pas disa viteve të zhytur në krizën e tyre dhe e vlerësoj dhe këtë ia thashë edhe presidentit, ia thashë edhe kryeministrit, ia thashë edhe Ministrit të Punëve të Jashtme, e vlerësoj shumë faktin që Greqia po hapet drejt çështjes së Kosovës. Dhe shpresoj që ata do e njohin Kosovën herët e jo vonë, se kështu do u japë atyre një perspektivë tjetër dhe do u japë edhe të tjerëve një perspektivë ndryshe në këto marrëdhënie. Për sa u përket çështjeve mes nesh, duhet të bisedojmë dhe të diskutojmë, por askush nuk ndodhet në pozita të imponojë diçka. Jetojmë në kohëra të reja, ku duhet ta respektojmë njëri-tjetrin. Me respekt të plotë dhe barazi duhet të ulemi, të diskutojmë dhe të zgjidhim problemet.

Mendoni se ka ende pak konkurrencë mes Greqisë dhe Turqisë?

-Nuk e besoj! Nuk e besoj! Mendoj se shumë ngjarje të shkuara duhet t’ia lëmë historisë. Kemi nxënë mësime, kemi ende për të nxënë. S’mund të kemi gjithmonë, para nesh, në momente vendimtare çështje të vjetra që dalin në sipërfaqe, që shkaktojnë përsëri zhurmë dhe që përsëri bëhen arsye për t’u zemëruar për pak kohë, e pastaj të pajtohemi…

Ka ardhur koha për maturi dhe mendoj se këtë po e kuptojnë të gjithë. Ata po bëjnë takimet e qeverive të tyre, takime strategjike. Kanë bërë progres. Pa pasur pak xhelozi, Ballkani s’mund të quhet Ballkan, kudo, me të gjithë…

…Një nga gjërat që ka ndryshuar është se Shqipëria nuk ka më një kryeministër që do ju thoshte se Shqipëria kërkon të bëhet një superfuqi energjie në rajon, e të tjera. Ne nuk kërkojmë të bëhemi superfuqi në asnjë fushë, por padyshim, mendoj se ekziston një potencial për të zhvilluar një plan për sigurinë energjetike, që duhet të jetë rajonal dhe me bashkëpunim ne mund t’u sigurojmë energji shtetasve tanë, energji që mund të kushtojë më pak dhe mund të sigurojmë…

E keni fjalën për gazifikimin?

Në përgjithësi, për vendin tone, të sigurojmë më shumë të ardhura nga eksporti i energjisë. Ekziston një potencial i mirë dhe një perspektivë, por duhet të ndryshojmë qasjen tonë, duke filluar me mënyrën si e kemi trajtuar këtë potencial deri më tani. Jemi vendi i dytë më i pasur me burime ujore dhe kemi potencial shumë të madh hidrik për madhësinë e shtetit tonë dhe e kemi përdorur atë në mënyrë të gabuar. Duhet ta përdorim në mënyrën e duhur dhe TAP-i është një mundësi e shkëlqyer dhe ky plan është një mundësi mjaft e mirë. Gjatë ditëve në vazhdim, unë do shkoj në Kosovë me kabinetin qeveritar dhe do bëjmë një takim mes dy qeverive, takimi i parë mes dy qeverive. Dhe kemi disa plane strategjike për energjinë dhe sigurinë e energjisë.

Do nxirrni një strategji të përbashkët për sigurinë e energjisë?

-Do vendosim së bashku për disa hapa dhe së bashku mund të bëjmë disa gjëra dhe pastaj së bashku t’u drejtohemi të tjerëve, Malit të Zi dhe Serbisë e të tjerë, për të bërë një plan rajonal gjithëpërfshirës dhe kësodore të përfitojmë të gjithë…

Do ju pyes për një organizatë në të cilën jeni anëtar, NATO-ja. Do mbahet një samit i rëndësishëm vitin tjetër në Londër dhe Kryeministri Kameron ka deklaruar se do të jetë një samit historik për të njehsuar të ardhmen e aleancës. Shqipëria është anëtare. Si e shihni ju të ardhmen e NATO-s?

Si anëtarë të NATO-s, ne jemi… Mendoj se legjitimisht, ne jemi afër pikëpamjes dhe vendimmarrjes të SHBA-së. Dhe ndodhemi në këtë organizatë, pikë së pari, për shkak të mbështetjes së SHBA-së dhe jemi tepër krenarë që na konsiderojnë gjithmonë si një nga aleatët më besnikë të SHBA-së.

Keni ndonjë propozim specifik? Si e shihni të ardhmen e NATO-s?

-Në fakt, ka nisur një proces diskutimi dhe diskutimet janë duke filluar, nëse mund ta shpreh kështu, ndaj ne jemi pjesë e diskutimeve dhe sigurisht, do kemi mendimin tonë, por padyshim, jo një mendim i dhënë pa u menduar, por një mendim i krijuar në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë dhe, pikë së pari, me SHBA-në.

Besoj se ju e mbështesni zgjerimin, përfshi edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë?

-Padyshim që e mbështesim zgjerimin, por siç e thashë, në rolin tonë tepër modest, konstruktiv dhe të vetëdijshëm.

Pyetja ime e fundit: ka të bëjë me marrëdhënien Shqipëri-SHBA. Siç e dini, po bëhen disa ndryshime personeli në Departamentin e Shtetit në lidhje jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me rajonin. Shumë shpejt do vijë një ambasador i ri në Tiranë. Sipas mendimit tuaj, a do ketë ndryshime në marrëdhënien Shqipëri-SHBA?

-Sigurisht, kjo nuk është pyetje për mua! Por sa më përket mua, them se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë veç mund të fuqizohen më tej, në sensin që mund të përforcohen nga ato që bëjmë këtu, jo vetëm për t’i mbështetur Shtetet  e Bashkuara në misionet e NATO-s, por edhe në zbatimin e vlerave dhe parimeve që mishëron dhe mbështet shoqëria amerikane…

Në rregull. Arritëm në fund të intervistës dhe faleminderit që ishit i ftuari ynë, Kryeministër!

Faleminderit shumë!