Edi Rama: “Monitorët ndërkombëtarë në zgjedhje, janë si spektatorët në një mort!”

481
Sigal

INTERVISTA/ Edi Rama në “Bugajski Hour”  në tv “Albanian Screen”

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka dhënë një intervistë në “Bugajski Hour” dhe ka shprehur kritikë të hapur për rolin që luajnë ndërkombëtarët në  monitorimin e zgjedhjeve.

– Apo ecën Shqipëria përpara apo mbrapa në këtë performancë zgjedhore?

– Do të nxirrja në pah një ndryshim pozitiv. Ka një mori transmetimesh televizive direkte dhe shumë hapësirë që njerëzit të shprehen dhe të dëgjojnë alternativat. Për pjesën tjetër, pra institucionalisht, ne s’jemi as atje, ku kemi qenë, por kemi bërë hapa mbrapa. Sepse kemi humbur institucionin qendror të zgjedhjeve, KQZ-në, të cilën partia qeverisëse e ka shndërruar në një organizatë partiake.  Për pjesën tjetër, nuk shoh ndonjë përmirësim. Them se po përkeqësohet!

–  A do të jetë KQZ-ja në gjendje të përmbushë mandatin, meqenëse nuk ka shtatë anëtarë? Dhe nëse nuk i ka, a do të minonte kjo legjitimitetin e zgjedhjeve?

– Mendoj se standardet s’janë plotësuar akoma, sa i përket pjesës së organizimit. Por le të shpresojmë se, KQZ-ja nuk do të luajë rolin që ne e kemi parë të luajë në të kaluarën, sidomos në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës dy vjet më parë, sepse kjo do të ishte katastrofale dhe pasojat janë të paparashikueshme.

– Pyetja më e madhe që shtrohet në SHBA, në Uashington, është: A do të jenë këto zgjedhje plotësisht legjitime?

– Kjo është një pyetje që bëhet nga gjithkush, përveç Kryeministrit. Pra, kjo është diçka që mbetet për t’u parë dhe është një çështje që çdokush do të duhet t’i përgjigjet kur zgjedhjet të jenë kryer. Pra, kuadri është thyer, por le të shpresojmë se vullneti i popullit nuk do të deformohet sërish dhe zgjedhjet nuk do të preken sërish nga manipulimet dhe nga fshirja e vijës ndarëse ndërmjet pushtetit dhe shtetit.

– A ka shenja se ka manipulime? A i druheni ndonjë mashtrimi, apo ndonjë gjëje të ngjashme?

– Thjesht shpërndarja e mandateve sipas vitit 2009 është një mashtrim më vete. Sulmi brutal mbi KQZ-në që minoi Kushtetutën dhe pavarësinë e këtij Komisioni, dhe transformimi i saj në një organizatë partie, është mashtrim. Ç’është mashtrimi, fundja fundit? Ne nuk kemi përse të presim… shpresojmë që jo… ushtrinë, apo shërbimet sekrete, apo policinë të shkojnë në qendrat e votimit e të rrahë njerëzit, e të mbushë kutitë e votave. E pamë këtë në vitin 1996 në kohën e “Sali Berishës së Parë”. Shpresojmë të mos ndodhë e njëjta gjë në kohën e “Sali Berishës së Dytë”. Por përtej kësaj, them se këto zgjedhje nuk janë ato zgjedhje që një vend anëtar i NATO-s apo një vend kandidat për në BE duhet të ketë.

– Cila është pikëpamja juaj mbi Misionin e ODIHR-it dhe atë të OSBE-së?

– Kam një këndvështrim të përzier. Dhe kjo sepse unë i kam parë ata të dështojnë në vitin 2009. I kam parë ata të bëjnë një punë të jashtëzakonshme në vitin 2011. Pra, s’e di se si funksionon. S’e di përse. Por kam parë dy përvoja të ndryshme. Shpresoj se kësaj here, do të kemi një përvojë të ngjashme me 2011-n, dhe jo me 2009-n. Kam kujtime mjaft të mira nga kreun e Misionit të ODIHR-it, Jonathan Stonestreet. Njeri tejet mbresëlënës, tejet objektiv, tejet i hapur, tejet i fokusuar dhe, ç’është më e rëndësishmja, me një respekt të lartë, jo ndaj disa standardeve të caktuara, por ndaj standardeve.

– A mendoni se ka një numër të mjaftueshëm vëzhguesish në Shqipëri për të mbuluar të gjithë territorin?

– Nuk e di. Por nuk besoj në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

– Nuk besoni?

– Jo! E kam thënë dhe më parë! Është opinioni im personal! Nuk besoj në monitorim në termat e nevojës për të parandaluar atë që mund të ndodhë. Sepse ajo çfarë ka ndodhur më parë ka qenë gjithnjë një fakt i kryer. Një fakt i kryer i shoqëruar me një ndjesi të tmerrshme dobësie nga ana e komunitetit ndërkombëtar përballë asaj që ka ndodhur. Pra, monitorët më duken si spektatorë në një mort. Dhe shpresoj se s’do të ndodhë kështu.

– Njëra prej çështjeve që ka shqetësuar gjithnjë shqiptarët dhe ju në zgjedhjet e kaluara, ka qenë procesi i numërimit. Me fjalë të tjera, a do të jetë ky proces mjaftueshëm i hapur, transparent, i monitoruar e i pranuar nga të dyja palët?

– Mbetet për t’u parë! S’e di! Shpresoj që po! Ne jemi tejet të interesuar që procesi të shkojë sa më mirë dhe duam që gjithçka të ecë në paqe. Gjithçka mund të ndodhë!

– Ç’doni të thoni me gjithçka?

– Gjithçka mund të ndodhë! Kemi parë shumëçka në këtë vend gjatë këtyre njëzet viteve. Uroj që asnjëra prej tyre të mos përsëritet, por e kam të vështirë të shohë Kryeministrin  të pranojë humbjen. Ai ka për të humbur thellë.

– Ç’nënkuptoni me “kapje të shtetit”, për ta shpjeguar?

– Me kapje të shtetit nënkuptoj një model që s’është i prodhuar në Shqipëri. Është i artikuluar si mos më mirë në ish-republikat sovjetike, me një lloj sulltani në krye dhe haremin e biznesit përreth.