Edi Rama merr rolin e babait: Ku ndodh që fëmija të thotë o plotëso këto kërkesa, o i vura flakën shtëpisë!

488
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka nisur monologun e tij, në atë që e ka cilësuar dialog me studentët. Pas refuzimit që ata i kanë bërë ftesës së tij, Rama është shfaqur i çuditur sesi ata i kanë thënë jo.

Kryeministri ka marrë dhe rolin e babait, kur thotë se asnjë prej studentëve nuk mund të vendosë ultimatum në shtëpinë e tij.

Pjesë nga reagimi i Ramës:

Është hera e parë e protestave kur qeveria kërkon të flasë, dhe protestuesit thonë jo. Unë besoj shumë fortë që dialogu është shumë i domosdoshëm, është rruga e zgjidhjes. Dua ta sqaroj shumë qartë se qeveria nuk kërkon negociata por dialog, studentëve dua t’iu them që ta kuptojnë këtë dallim kaq të thjeshtë. 

Ne dhe studentët  nuk jemi në konflikt që të kemi se çfarë të negociojmë. Kam 7-8 lista kërkesash në dorë, dhe ne po vazhdojmë ende mbledhjen e tyre dhe në rrjetet sociale. Unë nuk kam dëgjuar në ndonjë rast në histori që protestuesit të mos kërkojnë që të ulen me qeverinë. 

Nuk mund të veprojmë me moton: o bëhet kjo, o bëhet nami! Kush student i thotë nënës ose babait se unë kam këto kërkesa, o mi plotësoni ose ndryshe do i vë flakën shtëpisë! Në asnjë vend nuk ndodh kjo.

Më tej Rama tha se studentët janë duke kryer të njëjtën veprim si opozita e Lulzim Bashës në kohën kur vijonte protestat në çadër. Rama kërkoi me ngulm një përfaqësi studentësh, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të vijë zgjidhja.