Edi Rama mbledh qeverinë menjëherë pas sulmit ndaj Metës, ja vendimi që u morr

718
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë menjëherë pas seancës në Kuvend. Është marrë vendimi për emërimin e Sandër Lleshit në postin e Zv/ministrit të Brendshëm.

Vendimi u paralajmërua nga Rama në seancen plenare, ku numri 1 i qeverisë sulmoi presidentin për shkak të mosdekretimit të Lleshit si ministër.

“Kam shumë besim se Sander Lleshi, jo vetëm nuk do të zhgënjejë askënd, por do të japë shtysë të fortë në drejtmin e Punëve të Brendshme. Ai në krye të Punëve të Brendshme, është njeriu i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur si përfaqësues i shumicës së duhur sot dhe nesër i Republikës së Shqipërisë”- tha Rama më herët sot në Kuvend.

Pas vendimit të marrë kryeministri ka postuar dhe një foto ku shtrëngon duart me zëvendësministrin që do të marrë kompetencat e Xhafajt. Sot në Kuvend Rama i la dhe disa ditë kohë presidentit të vendit që të mendojë vendimin e tij për të refuzuar dekretimin e Lleshajt.

“Koha më ka mësuar që të mos e them fjalën e fundit të parën. Ne sot do të vendosim shkarkimin e Fatmir Xhafajt të cilin e falenderoj, do të vendosimpër t’i dhënë dhe pak ditë kohë presidentit që të mendojë edhe njëherë vendimin e tij. Ne do t’i japim edhe disa ditë kohë presidentit që të bluajë në mendjen e tij vendimin që mori”, u shpreh Rama, duke nënkuptuar dhe nismën për shkarkimin e presidentit.

Rama shtoi më tej gjatë fjalës së tij se krisja me Metën nuk ka as qëllime personale dhe as politike, ndërsa ndarja e tyre në qëndrime bëhet vetëm për shkak se presidenti nuk po respekton Kushtetutën e vendit. Po ashtu kreu i qeverisë tha se ishte besimplotë se edhe nga Meta ekziston vullneti që krisja e krijuar prej së shtunës mes dy institucioneve mos të shndërrohet në thyerje.