Edi Rama “liron” AKU-në nga “pengmarrja”, emëron drejtor një ekspert të anti-krimit ekonomik

1322
Drejtori i ri AKU-së, zoti Agim Ismaili deklaron: “Për sigurinë ushqimore nuk ka tolerancë, do të punojmë çdo ditë dhe jo vetëm kur ndodhin ngjarje të rënda në prodhim, treg dhe konsum”
Përparim HALILI
Gjendja e degraduar e shërbimit të kontrollit të (pa)sigurisë ushqimore në vend, për shkak të klientelizmit, nepotizimit, bizneseve ushqimore të zyrtarëve dhe korrupsionit që kishte mbërthyer kupolën drejtuese dhe strukturat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të lënë si “fabrikë pasurimi” për partinë çame, ka detyruar qeverinë “Rama-2” që t’ia heqë PDIU këtë “mëlçi nga qafa”, duke shkarkuar nga detyra drejtorin Dritan Sejko, i cili e mori këtë detyrë në datën 6 shtator 2017, pas shkarkimit me “ceremoni” të paraardhësit të tij, Isuf Shehu, po përfaqësues i partisë çame! Këtë detyrë me rëndësi jetike për popullatën, ku nuk zbatoheshin detyrat e përcaktuar nga ligji, dje, Këshilli i Ministrave ia ka besuar zotit Agim Ismaili, një ekspert i mirënjohur i anti-krimit ekonomik, i cili ka dhënë prova organizimi e drejtimi punësh me bilance pozitive, në veprimtarinë si Zv/drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave të Pista. Me këtë emërim, kryeministri Edi Rama nuk ka bërë zëvendësim mekanik individësh, por ka “liruar” Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), nga “pengmarrja” disa-vjeçare prej drejtorë-sekserëve përfaqësues të PDIU, të cilët emëroheshin si “taksidarë” të krerëve të kësaj partie, për afera korruptive me bizneset, në shkëmbim të shpërfilljes ndaj importeve, prodhimeve, përpunimeve dhe tregtimeve të ushqimeve vrasëse të konsumatorit. Nuk po ndalemi në “CV-në” e abuzimeve të këtyre ish-drejtorëve me “diplomë” partiake si sekserë milionash, mbasi “Telegraf” i ka denoncuar e publikuar skandalet dhe krimet ushqimore të lejuara masivisht edhe nga drejtori i shkarkuar Dritan Sejko! 
Po ndalemi në faktin, që qeveria “Rama-2”, bëri realitet premtimin që deklaroi gjatë fushatës elektorale, për shporrjen e parazitëve dhe grabitqarëve edhe nga zyrat qendrore e rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Me këtë shkarkim, kryeministri shpëtoi sektorin e kontrollit dhe sigurisë ushqimore, nga “kthetrat” e drejtuesve abuzues, analfabetë e të lidhur me krimin ushqimor, deri me importet e produkteve ushqimore me risk dhe rrezik të madh për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve. Me këtë emërim të zotit Agim Ismaili, kryeministri Rama i hapi rrugë zbatimit të ligjit dhe detyrimit për sigurinë ushqimore! Në krye të këtij shërbimi jetik është vendosur, një ekspert i kompletuar, me përvojë në fushën e anti-krimit ekonomik, sektor të cilin e njeh me detaje dhe e ka drejtuar me profesionalizëm e ndershmëri. Drejtori i ri i Autoritetit Kombëtar të ushqimit (AKU), ka një përvojë të madhe në organizimin dhe drejtimin e punëve në sektorin e luftës kundër pastrimit të parave të pista, duke e reformuar si shërbim delikat e me rrezikshmëri, që shtrihej edhe jashtë kufijve të Shqipërisë! Emërimi në këtë detyrë, jep garanci të pritshme, për rikthimin e sigurisë dhe standardeve ushqimore në vendin tonë. Fakti, që ai vjen nga “fronti” i luftës kundër krimit ekonomik, ka qenë siguria për sukses dhe mbarëvajtje punësh edhe këtë detyrë të ngarkuar nga kryeministri Rama. 
Në bisedën që zhvilluam dje në mbrëmje, me drejtorin e ri të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), zotin Agim Ismaili, ai na konfirmoi këtë qëndrim: Tolerancë zero ndaj abuzimit me produktet ushqimore, për të qenë garant të jetës dhe shëndetit të konsumatorëve, duke venë theksin, tek kontrolli i imët për ushqimet e fëmijëve! Garancia që jep drejtori Ismaili, për sigurinë ushqimore është profesionalizmi e derisotëm më shërbimin dhe drejtimin në sektorin e anti-krimit ekonomik, gjë që krijon terren të plotë për zbulimin e krimit ushqimor, i cili është futur dhe do të tentoj të futet në tregun shqiptar, prej importit nga pikat kufitare e doganore (PIK). Këto “porta” nuk do të lihen të hapura nga drejtoritë dhe inspektorët AKU, të cilët kanë detyrim ligjor kontrollin produkteve të importit, që aktualisht përbëjnë mbi 70% të volumit total të tregut shqiptar! Specialistë të fushës të pyetur nga “Telegraf”, shprehin bindjen e plotë, se emërimi në këtë detyrë, i ekspertit të anti-krimit ekonomik-financiar, përbën mundësi të plota për zbulimin e produkteve me etiketa, gjuhë, origjinë, dokumente shoqërimi e të dhëna false. Po kështu, me një ekip profesional e të ndershëm që do të krijoj drejtori Ismaili (siç u shpreh për “Telegraf”), krijohet një mundësi reale, që abuzimi me datat e skadencës së produkteve në tregun vendas e për më tepër, abuzimi me rifutjen në prodhim të produkteve të skaduar të mishit, bulmetrave, bukës, ëmbëlsirave, ujit, perimeve, frutave, zarzavateve, drithërave të bukës, pesticideve, ushqimeve të kafshëve e shpendëve, pijeve familjare etj., me prioritet ushqimet e fëmijëve 0-14 vjeç! Sipas tij, puna e pritshme do të ketë për bazë, kontrollin e përhershëm, të përpiktë e profesional të produkteve në njësitë statike e kalimtare të konsumit publik, si “Bar-Kafe”, restorante, mensa popullore, qendra sociale, kopshte e çerdhe fëmijësh, pika shitjeje pranë shkollave, “Fast-Food”, ushqimi në konvikte e kudo, ku njerëzit “trokasin” për t’u ushqyer! Vlen të evidentohet deklarimi drejtorit të ri të AKU, zotit Agim Ismaili, i cili garanton konsumatorët: “Për sigurinë ushqimore nuk do të ketë tolerancë, për ta rikthyer atë sipas ligjit, do të punojmë çdo ditë dhe jo vetëm kur ndodhin ngjarje të rënda në prodhim, treg e konsum”! Tashmë, duhet të hidhet hapi i parë, vendimtar për mbarëvajtjen e punëve të këtij institucioni: pastrimi i zyrave nga shefat dhe inspektorët klientelistë, sekserë, pazarxhinj, familjarë, analfabetë dhe jashtë profesionit për vendet ku janë emëruar, të cilët kanë instaluar dhe lejuar pasigurinë ushqimore në Shqipëri.
—————————— 
Ja vendimi zyrtar i emërimit
VENDIM 
I Këshillit të Ministrave, datë 4 tetor 2017
PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT (AKU)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të ndryshuar me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I
1. Zoti Dritan Sejko, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), lirohet nga kjo detyrë.
2. Zoti Agim Ismaili emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Sigal