Edi Rama: Ky përvjetor i gjen socialistët e progresistët të bashkuar

465
Sigal

23 vjetori i PS-së. Kryetari i PS-së falënderon themeluesit dhe Ilir Metën për mbështetjen

Partia Socialiste festoi të enjten në mbrëmje 23- vjetorin e krijimit të saj. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij përshëndetëse e cilësoi këtë përvjetor të rëndësishëm, pasi siç tha ai, i gjen socialistët dhe progresistët e dalë nga e njëjta çati, të bashkuar. “Kemi mbyllur më në fund një kapitull sfilitës ndarjeje dhe kemi hapur një kapitull premtues bashkimi. Prandaj dëshiroj që në këtë ditë të shënuar të vitit për të gjithë ne socialistët dhe progresistët fjalët e rastit t’ia kushtojmë bashkimit”,- deklaroi Kryeministri Rama. Sigurisht, tha Rama, që është në ditë e shënuar për të gjithë ne përderisa sot nuk jemi më që të gjithë në të njëjtën parti. Themeluesit e partisë simotër të Aleancës për Shqipërinë e europiane, vijoi ai, u lindën dhe u rritën politikisht në këtë shtëpi, të madhe të së majtës europiane të shqiptarëve e cila 23 vite më parë u themelua si Partia Socialiste e Shqipërisë. Duke folur për bashkimin, Rama tha se, askush ndër ne nuk mungon sepse nuk është i ftuar dhe çdo i ftuar që është këtu ndjehet në festën e vet. “E kam fjalën ende për të bashkuarit rishtas pas pësimesh dhe mësimesh që na ndihmuan që të gjithëve për të kuptuar si të ndihmojmë Shqipërinë dhe shqiptarët. Më ndihmuan mua vet dhe Ilirin (Meta), kryetarin tjetër të kësaj aleance strategjike të gjejë brenda vetes fuqinë transformuese të përgjegjësisë historike të së majtës, përballë rrënimit ku u rrokullis vendi në duart e paafta të së djathtës edhe për fajin tonë”,- e vijoi Rama fjalën. Falë këtij bashkimi, tha z. Rama, populli ynë, mbarë Shqipëria u çlirua nga makthi i vjedhjes së votës dhe u dynd drejt kutive të votimit, duke e nxjerrë Shqipërinë njëherë e mirë matanë hendekut të zgjedhjeve të manipuluara e kontestuara, që na ndau nga rruga e integrimit real europian për vite me radhë. “Falë këtij bashkimi vendi unë u kthye në normalitetin demokratik të të qenit i qeverisur nga vullneti i shumicës së popullit dhe sot ne përfaqësuesit e zgjedhur të 1 milion shqiptarëve kemi në dorë jo një mandat të zakonshëm qeverisës, por një mandat të cilësuar si konsensus kushtetues për reforma transformuese, njëra ndër to reforma e reformave, ajo territoriale-administrative, e cila nuk u bë dot për 20 vite dhe do të bëhet realitet brenda këtij sesioni të parë kuvendor të këtij mandati qeverisës”,- deklaroi kreu i qeverisë, Rama. Teksa komentoi mungesën e kreut të opozitës, Lulzim Basha, Rama tha se, po të ishte i pranishëm do ngrinte edhe një dolli për të, meqë sot ka 40-vjetorin e lindjes. Rama apeloi t’i jepet fund luftës së ftohtë në politikë, ndërsa u shpreh se ai vetë do të marrë pjesë në festën e PD-së, nëse do të ftohej. “Nëse do na kishin nderuar me pjesëmarrjen do ishim të gëzuar, do ngrinim një dolli edhe për Bashën, ka lindur në një datë të shënuar, por shpresojmë të jemi së bashku vitin tjetër. Ditëlindja ime nuk përkon me ditëlindjen e PD-së, por nëse më ftojnë do shkoj me kënaqësi në festën e tyre, edhe pse s’do kem fatin të ngrihet një dolli për ditëlindjen time. Nuk është shenjë për tu bashkuar me PD por edhe të ndarë nëpër festa modeste nuk shkon më. Nuk shkon më asnjë ndarje demokratike, të jetohet mes nesh si një luftë e ftohtë vëllavrasëse në kohë që synojmë ti bashkohemi BE”,- u shpreh kryeministri. Kryeministri theksoi se, kjo maxhorancë do t’i japë Shqipërisë dinjitet të plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke iu referuar vendimit të pritshëm të BE-së lidhur me statusin kandidat, Rama tha se, statusi do të shihet si shtysa e një fillimi të ri për të futur Shqipërinë në BE. “Uroj nga zemra që statusi do të vijë jo si një medalje për ta varur në qafë një palë dhe për t’i nxjerrë gjuhën palës tjetër, por si shtysa e një fillimi të ri për të futur Shqipërinë në BE”. Sipas kryeministrit, “Shqipëria sot ka filluar të thotë atë që bën, sepse kjo aleancë qeverisëse bën atë që thotë”. Në përfundim, shefi i qeverisë shprehu mirënjohje për të gjithë ata që siç tha ai, “bënë çka mundën që kjo familje e madhe politike të arrinte në këtë ditë”. “Çdo ditë e mbarë për këtë familje është një ditë e mbarë për Shqipërinë tonë të dashur”,- përfundoi Rama.