Edi Rama: Koalicioni ka funksionuar, votimin elektronik e vendos OSBE/ODIHR, nuk do shkoj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

571
Nuk hyjmë në një aventurë zgjedhore elektronike që nuk ka siguri, listat e hapura nuk janë praktikë e mirë ndërkombëtare 
Kryeministri Edi Rama duket se ka nevojë të pashmangshme për ta mbajtur të paprekur koalicionin me LSI, mbasi ka nisur deklarata pro këtij koalicioni që gjendet në 5 muajt e fundit të mandatit të parë qeverisës. I pyetur në TV, lidhur me koalicionin qeverisës, tha se, “koalicioni ka funksionuar më së miri dhe do të vazhdojë të funksionojë me korrektesë dhe bashkëveprim të plotë. Shikoj strukturën e plotë dhe nuk i lejoj vetes të humbas në detaje të papërsosura, difektoze apo në detaje të shëmtuara që mund të ketë një tablo e madhe e një pune të madhe për të bërë disa reforma që janë produkt i këtij koalicioni dhe pa këtë koalicion nuk do të ishin bërë dot kurrë siç nuk u bënë në 20 e kusur vite”, tha Rama. Ndërsa për sa i përket votimit elektronik shefi i qeverisë, u shpreh se “Nuk është e vërtetë, kemi thënë se jemi të gatshëm por na duhet opinioni i OSBE/ODIHR. Ai opinion është negativ. Nuk mund të hyjmë në një aventurë që asnjë ekspert nuk na e garanton. Listat e hapura nuk janë një praktikë e mirë ndërkombëtare”. Kryeministri Edi Rama në një intervistë ekskluzive në Tonight Ilva Tare, në Rtv Ora News, tha se nuk do marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë që do të diskutojë për mos arrestimin e Klement Balilit. I pyetur, nëse ka pasur presion për arrestimin e tij, Rama deklaron se “Qeveria nuk pranon presion nga askush. Pyetjes, nëse do të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit të Sigurisë Kombëtare si kryeministër i vendit, Rama iu përgjigj kështu: “Nuk do marr pjesë në Këshillin e Sigurisë, nesër do jem në Kosovë. Nuk mund të jem në atë mbledhje. Nuk do bëj asnjë koment, derisa e ka thirrur kryetari i Kuvendit e Presidenti Absolutisht në shqetësimin për ta vendosur përpara drejtësisë këtë personazh kaq të përfolur dhe këtë eksponent të krimit që është një shqetësim i përbashkët. Ama çdo paragjykim dhe çdo insinuatë që mos kapjen e tij e lidh me mungesë vullneti nga ana e qeverisë, mungesë vendosmërie nga ana e policisë së shtetit është krejtësisht pa vend. Dhe meqë këtij ditëziu ia kanë vendosur nofkën e Eskobarit , atëherë unë e kam kujtuar dhe rikujtoj që fakti që Eskobari e torrollisi një shtet, superfuqi për vite të tëra, fakti që e bëri Amerikën, vendin ku gjeneronte 60 miliardë dollarë çdo vit, nuk do të thotë se Eskobari kishte mbështetje tek Shtëpia e Bardhë apo kishte korruptuar DEA-n. Nuk duhet të hedhim baltë pa dashje mbi policinë e shtetit. 
Sigal