Edi Rama: Ja qeveria ime

119

Në 4 vitet e ardhshme, Kryeministri i zgjedhur do të drejtojë një qeveri me 19 ministra dhe 1 zëvendëskryeministër, pa portofol.

 Edi Rama, Kryeministri i ardhshëm, prezantoi strukturën e qeverisë së majtë, e cila parashikon 16 ministri, ndërsa 3 ministra do të kenë zyra në kryeministri por nuk do drejtojnë ministri të veçanta. Në këtë mënyrë, Edi Rama i mbetet besnik premtimit të tij, për të zgjeruar qeverinë, por pa rënduar shpenzimet. “ Qeveria e re do të jetë një strukturë e ndërtuar mbi bazën e një analize mbi strukturën ekzistuese , që përbën një trup me shumë parazitë dhe që kërkon shkurtime. Qeveria është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve të vendit, duke u konsultuar edhe nga strukturat e qeverive të reja në Bashkimin Europian. Do të ketë në fokus përgjegjësi mes sektorëve dhe për të krijuar kushte për një bashkëpunim sa më të mirë mes tyre. Do ristrukturojmë në mënyrë të plotë organikën e kryeministrisë, do të bëjmë shkurtim të kësaj organike, si dhe do të krijojmë një raport të drejtë dhe efikas, mes kabinetit të kryeministrit dhe degëve të ministrive”, u shpreh Rama. Ashtu siç ishte paralajmëruar, Edi Rama, ka vendosur ndarjen e 2 ministrive, atë të Ekonomisë dhe Transportit. Duke e konsideruar si të rëndë, Edi Rama ka ndarë Ministrinë e Ekonomisë, në Ministrin e Sipërmarrjes që do të trajtojë zhvillimin e ekonomisë, tregtisë dhe sipërmarrjes dhe në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë që do mbulojë projektet për zhvillimin në fushën e energjisë dhe pasurive ujore. Ndahet në dy, Ministria e Punëve Publike, Transportit, Telekomunikacionit në një strukturë që do mbulojë posaçërisht Transportin dhe Zhvillimin e Infrastrukturës, me fokus politikën e transportit dhe infrastrukturën dhe një strukturë e re që do mbulojë boshllëkun e mungesës së politikave në zhvillimin urban. Ristrukturimit do i nënshtrohet Ministria e Bujqësisë, e cila do të bëhet Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrisë së Arsimit i bashkohet edhe Sporti e do të bëhet e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Bujqësisë, do të bëhet Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ndërsa Ministria e Punës do të kthehet në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ministria e Kulturës do të jetë një ministër totalisht më vete. Kryeministri i ardhshëm do të ulë në kabinetin e tij 3 ministra që ai i quan Ministrat për Shtetin, ku një ministër do të ngarkohet për Inovacionin e Administratës publike, një për Çështjet vendore, dhe një për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ndërkohë, edhe pse do i nënshtrohen një reforme të thellë, 8 ministri mbeten të pandryshuara, përjashtuar Ministrinë e Shëndetësisë që i shtohet dhe Mbrojtja e Konsumatorit. Në fund të deklaratës së tij, Edi Rama, premtoi se brenda fundit të muajit do të bëhen publike edhe emrat e ministrave, ndërsa pak çaste më vonë, në rrjetin social, shkroi se qeveria e re do të ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit.

Përbërja e qeverisë se re:

Një zv.Kryeministër pa portofol, i cili do të fokusohet në çështje specifike për të çuar përpara prioritetet.

Ministria e Financave nuk ndryshon në kompetenca, por do të ketë reformë të brendshme strukturore.

Ministria e Brendshme nuk ndryshon në kompetenca, por do të ketë reformë të brendshme strukturore.

Ministria e Mbrojtjes nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendshme strukturore.

Ministria e Jashtme nuk ndryshon në kompetenca, por do të ketë reformë të brendshme strukturore.

Ministria e Integrimit Europian, e cila do të marrë një formë të re, në kushtet kur bëhet e domosdoshme për t’i dhënë fund një periudhe të stërgjatë kaosi në funksion të kryerjes së detyrave për agjencinë.

Ministria e Drejtësisë nuk ndryshon në kompetenca, por do të ketë reformë të brendshme strukturore.

Ministria e Ekonomisë do të ndahet në dy ministri, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, që do të mbulojë sektorët e zhvillimit  dhe në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, që do të mbulojë me përparësi e fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar rajonal dhe të gjithë pjesën që kanë të bëjnë me hidrokarburet dhe industrinë e lehtë.

Ministria e Punëve Publike, Transportit, Telekomunikacionit  do të ndahet në dy ministri, në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me fokus politikën e transportit dhe infrastrukturën dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që do mbulojë boshllëkun e mungesës së politikave në zhvillimin urban.

Ministria e Bujqësisë do të kthehet në Ministrinë e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Ministria e Arsimit do të bashkohet me Ministrinë e Sportit dhe do të quhet Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ministria e Shëndetësisë nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendshme strukturore, dhe do të quhet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Ministria e Kulturës, pa shtesat e tjera, që do fokusohet te kultura dhe trashëgimia e saj.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Ministria e Mjedisit me kompetenca ekskluzive për mjedisin.

Ministrat e Shtetit:

Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Do të ketë një Ministër për Çështjet Vendore, që do mbulojë gjithë fushën e mbetur bosh pa koordinim mes pushtetit vendor e qeverisë, por edhe çështje të komuniteteve, në raport me pushtetin vendor.

“Komitetet që do të drejtohen nga kryeministri do të shkurtohen në mënyrë drastike  dhe do jenë komitete të mirëfillta pune për prioritetet dhe koordinimin e energjive për zhvillimin e vendit. Në fillim të muajit të ardhshëm do të paraqesim edhe përbërjen nominale të qeverisë së re. Do të ketë shkurtim drastik të komiteteve ndërministrore dhe reduktim të numrit të tyre në funksion të rritjes së fuqisë koordinative të këtyre komiteteve”, përfundoi Rama

Flasin për “Telegraf” Leskaj, Xhaferri, Keta, Starova, Kati

 Valentina Leskaj: Reformim dhe ulje shpenzimesh

Për mua kjo ndarje është mjaft e rëndësishme dhe do të shtojë  efikasitetin e punës së këtij kabineti”. Kështu u shpreh dje, deputetja e qarkut të Vlorës, Valentina Leskaj, e cila shprehu vlerësimin e saj të lartë për mënyrën e kompozimit të kabinetit socialist. Midis të tjerave, ajo veçoi dy aspekte kryesore të cilat janë: “reduktimi i shpenzimeve dhe reformimi i përgjithshëm i ministrive”. Për pikën e parë, Leskaj u shpreh se: “Kjo qeveri do të jetë një qeveri me shpenzime të vogla, sepse për reduktimin e shpenzimeve nuk ka rëndësi numri i ministrive, por menaxhimi i tyre i përpiktë”. Nga ana tjetër, në lidhje me reformat, Leskaj u shpreh se “organizimi për reformimin e ministrive gjithshtu do të funksionojë, shumë mirë, jo vetëm në ato ministri që janë ndarë, por edhe në ato ministri që do të vijojnë të jenë, ashtu siç kanë qenë më parë”.  Dhe në fund Leskaj tha: “Jam e sigurtë se me këtë ndarje të re, do të garntohet rritja e eficencës dhe reformimi i gjithanshëm i tyre.”

 Ferdinant Xhaferri: Qeveri për vende të reja zyre

“Unë mendoj se nuk ka asnjë rëndësi mënyra, se si ekspozohet ndarja e posteve ministrore, apo ndarja e ministrive. Rëndësi ka mënyra se si do të funksionojë qeveria dhe produkti që do të nxjerrë gjatë mandatit të saj”. Kështu u shpreh dje, për “Telegraf”, ish ministri i Kulturës dhe ish deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri, i cili vuri në dukje, se në radhë të parë ndarja e Ministrisë së Kulturës, nuk është aspak efikase. “Kjo ndarje është një blof”, u shpreh Xhaferri. Gjithashtu, ai nënvizoi se “gjatë paraqitjes së platformës së tij, Rama nuk ka pasur parasysh, produktivitetit e qeverisjes, por ai ka si qëllim hapjen e vendeve të punës për njerëzit e stafit të tij”. Dhe kjo gjë, sipas Xhaferrit, nënkupton që në fillim dështimn e planit qeverisës e cila asnjëherë nuk mund të ketë efikasitetin e duhur”.

 

Majlinda Keta: Prisja ndarjen e Arsimit

Nga ana e saj, pedagogia Majlinda Keta u shpreh se: “Sipas mendimit tim, në klasifikimin e posteve qeveritare dhe në ndarjen ministrore Partia Socialiste duhet të ketë parasysh atë që i duhet dhe nuk ka përse të flasë për shkurtimet ekonomike”. Qysh në fillim ajo, shprehu mospëlqimin, ose mosdakortësinëë e saj, me Ministrinë e Arsimit, ku tani e tutje, do të caktohet edhe sporti. “Unë të them të drejtën, prisja që arsimi të ndahej në dy pjesë, ku njera degë të funksionojë për pjesën e arsimit parauniversitar, në zhdukjen e amnalfabetizmit, afrimin e të gjithë individve, drejt arsimit të detyruar, etj. etj, dhe pjesa tjetër të ndjekë procedurat e mëtejshme”, vuri n ëdukje ajo. Ndër të tjera, Keta theksoi se para arsimit dalin detyra shumë të mëdha, sepse në këto vite duhet nxituar për të paraprirë atë që humbëm në këto 8 vjet, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike”. Por Keta, shtroi si vërejtje të saj, gabimin e bërë me arsimin, i cili mund t’i kushtohjë shtrenjtë shoqërisë sonë, sepse në këto momente, Shqipëria duhet të ketë përgjegjësinë për brezin e ri, që t’i garantohet arsimimi, sipas platformave bashkëkohorë”. Megjihatë, Keta vlerësoi ndarjen e pushtetit vendor, nga procedurat e policisë, apo të rendit publik. Ajo shtroi gjithashtu edhe rëndësinë e strukturimit të administratës publike, sipas modeleve bashkëkohore evropiane.

  Arjan Starova: Dakort me ndarjen e ministrive

Sipas Arjan Starovës, kreut të Partisë Bashkimi Liberal, këtu nuk ka rëndësi nëse ndahen apo bashkohen ministri të ndryshme, por rëndësi ka rezultati ajo që do të dalë nga këto ndarje, apo bashkime. Ai u shpreh: “Mua personalisht, në disa spekte nuk më duket organizimi i keq, përsa i përket ndarjes së Ministrisë së Brendëshme”. Në këtë kontekst, Starova vlerësoi edhe ndarjen e Ministrisë Energjitike, apo kalimin e rinësë dhe sporteve, tek Ministria e Arsimit. “Unë i vlerësoj këto ndarje, por natyrisht, pres produktin që do të dalë që këtej”, tha ai. Midis të tjerave, Starova tha: “Unë vetë, nuk jam njeri që të bëj pargjykime para kohe, prandaj, do të pres çfarë do të dalë nga këto ndarje, pastaj do të shprehem, nëse u bë mirë, apo keq, kjo ndarje”.

  Kozara Kati: Rëndësi ka produkti

 Për mua nuk ka shumë rëndësi se si ndahen ministritë përkatëse, por për mua e rëëndësishme është që çdo drejtues qeverie, të ketë argumentet bindëse për mënyrën, se si dhe përse bëhet kjo ndarje”. Këtë deklaratë e bëri dje, përfaqëuesja e shoqërisë civile, Kozara Kati, e cila vuri në dukje se, e rëndësishme është që çdo qeveri të jetë e aftë të menaxhojë, politikat e vendit të vet, për të mirën e popullatës”. Sipas saj, “nëse qeveria arrin të përballojë me suksess sfidat që e presin në të ardhmen, atëherë kjo ndarje ka qenë e mirë, ndryshe, në rast dështimi, natyrisht, që nuk ka qenë gjetja e duhur”. Pra, për zonjën Kati rëndësi ka përmbajtja e funksionimit dhe jo forma e ndarjes së qeverisë.