Edi Rama ende nuk ka publikuar, siç kishte premtuar, kabinetin e vet qeveritar

464
Sigal

PS-LSI ende duke punuar për programin e 300 ditëve të para, të qeverisjes së Majtë

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, ende nuk ka publikuar strukturën qeverisëse, edhe pse e kishte premtuar se kjo do të ndodhte javën e tretë të korrikut. Fundjava e kaluar ishte edhe afati brenda të cilit, dy grupet e punës të Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kishin thënë se do të publikonin draftin e përbashkët me programin e koalicionit të majtë për 300 ditët e para të qeverisjes. Pavarësisht zërave se ky draft tashmë kishte përfunduar dhe i ishte dorëzuar kryetarëve respektivë të të dy partive, burime nga grupi i përbashkët i punës bënë të ditur se stafet ende po punojnë. Ndërkohë, kryesocialisti Rama kishte premtuar se brenda javës së tretë të korrikut do të publikonte edhe strukturën qeverisëse të koalicionit të majtë. Por paraditen e së hënës, në selinë e Partisë Socialiste mbizotëronte heshtja, ndërsa vetë Rama deri pas mesditës, ende nuk ishte kthyer në zyrë që pas pushimeve të fundjavës. Ndoshta kjo ngaqë akoma nuk janë zgjidhur brenda Ramës dhe Metës, të gjitha nyjet e posteve të ministrave që do t’i përkasë njërës dhe tjetrës palë. Kjo javë, e cila është edhe java e fundit e muajit korrik, do të jetë edhe më vendimtarja, qoftë më publikimin e kabinetit të ri qeveritar, por edhe në zbardhjen dhe publikimin e programit të njehsuar të punës së qeverisë së re PS-LSI, për 300 ditët e para të saj.