Edi Rama-apel publik qeverisë: “Të ulemi në tryezë bashkëbisedimi për Qarkun e Fierit!”

439
Sigal

Ndërsa mbaron afati për plotësimin e tre kushteve të statusit PD-PS nuk gjejnë mirkuptimin për konsensus

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bën apel kryetarit të Partisë Demokratike, atij të LSI, si edhe kryetarëve të PDIU e të PR për një përpjekje të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Fierit dhe hapjen e rrugës për votimin e Rregullores së re të Parlamentit si edhe dy ligjeve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme (edhe pse jo përcaktuese) në rrugën e marrjes së statusit. Edi Rama shpreh publikisht mendimin se një tryezë e partive parlamentare nesër është një mundësi për të zgjidhur problemin e rëndë të qarkut Fier duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë. Kryetari i Partisë Socialiste është i gatshëm të ulet në tryezë së bashku me të gjitha forcat parlamentare qeverisëse dhe opozitare për të adresuar këtë problem në një përpjekje vullnetmirë për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të gjykatës dhe po ashtu miratimit të tre akteve që kërkojnë votën e opozitës. Kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje deri në fund dhe Edi Rama është i gatshëm për ta përmbushur detyrimin e opozitës duke e bërë deri në fund përpjekjen në emër të Partisë Socialiste. Pavarësisht se një numër vendesh anëtare të BE shkojnë shumë përtej këtyre tre akteve në gjykimin e tyre për çka Shqipëria nuk ka përmbushur, opozita shqiptare nuk ngurron të eksplorojë çdo mundësi që së paku këto tre akte të miratohen. Duke nënvizuar se Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë bindjen se çështja e Fierit është një çështje e demokracisë në Shqipëri, dhe po ashtu se integrimi europian nuk është vetëm ligjvënie po edhe zbatim i ligjit, Edi Rama shpreh vullnetin e mirë për t’u ulur në tryezën e dialogut që nesër dhe për të kërkuar rrugën e zgjidhjes së bashku me palën kundërshtare në emër të interesit të vendit. Çështja e Fierit është një çështje e funksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës dhe çështja e miratimit të tre akteve është një çështje e integrimit që s’mund të kuptohet pa funksionimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës. Problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika. Partia Socialiste është gati të japë kontributin e saj deri sekondën e fundit. I takon kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministër i vendit, që ta pranojë ose jo idenë e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë për këtë çështje, në një tryezë të partive parlamentare. E nëse e pranon edhe të caktojë orën dhe vendin e ballafaqimit.

Reagon PD-ja: “Rama, tregon vullnet të pandryshuar për bllokim”

Pas bllokimit prej dy muajsh të votimit në Parlament të tre ligjeve të kërkuara nga KE-ja, si kushte për statusin kandidat të vendit dhe  pasi vendosi  në mbledhjen  e paradites së sotme (djeshme) të Grupit Parlamentar te PS-së, bllokimin ditën e enjte të votimit të këtyre ligjeve, zoti Rama botoi sot (dje) pasdite një deklaratë në të cilën përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e bllokimit të votimit të këtyre ligjeve me forca të tjera parlamentare që kanë qenë dhe janë të gatshme në çdo kohë për votimin e tyre Kështu, në deklaratën e tij, ai lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit,  gjëra këto, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Për më keq, ai kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e qarkut te Fierit, duke iu referuar vendimit të  Gjykatës së Lartë dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj gjykate. Me këtë kërkesë, z. Rama, dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar, për të bllokuar votimin e këtyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë. PD-ja është e gatshme të ulet në çdo tryezë, të diskutojë me PS-në çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament. PD-ja ka ofruar zgjidhje politike dhe kushtetuese për Qarkun e Fierit, mocionin për të gjithë këshilltarët e saj, pikërisht atë akt ligjor të cilin PS-ja me këshilltarët e saj e ka ushtruar:

–         me datë 29/06/2012 në Komunën Dremenas,

–         në dt. 28/08.2012 në prani të ish Kryeministrit Fino në Bashkinë Divjakë,

–         me dt. 26/01.2012 në Komunën Bubullimë, ku ka hequr përfaqësues të shumicës dhe ka zgjedhur z. Alban Mësonjësi, përfaqësues të PS-së për anëtar të Këshillit të Qarkut,

–         me dt.24/08.2012 në Fier Shegan.

 Në çdo vend të lirë demokratik, zbatimi i vendimeve të Gjykatës është një detyrim ligjor kushtetues i Institucionit të Përmbarimit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat funksionojnë vendosmërisht në të gjitha rastet që u kërkohet nga palët e interesuara . Zbatimi i tyre nuk mund të pengohet nga asnjë forcë e vetme politike, apo disa forca të mara së bashku, ndaj edhe kjo nuk mund të jetë çështje e një debati tryezash partiake, por është detyrim madhor kushtetues. Po në këtë kontekst, sot në qytetin e Fierit, Gjykata kishte përcaktuar seancën gjyqësore për gjykimin në themel të çështjes së Qarkut të Fierit. Ishte PS-ja që kërkoi shtyrjen për dy javë të tjera të gjykimit të çështjes për arsye, të cilat i di vetëm z. Rama. Gjatë kësaj periudhe, PD-ja ka bërë çdo gjë për të gjetur zgjidhje ligjore dhe kushtetuese për problemin e Fierit, i cili nuk ka asnjë lidhje me votimin e ligjeve në Parlament, kurse z.Rama çdo ditë ka kërkuar dhe mbrojtur pretekste absurde për bllokimin e këtyre ligjeve të një rëndësie jetike për integrimin e vendit.