Edi Paloka: Edhe kritizerët e Bashës janë anëtarë të PD dhe të strukturave partiake

517
Jakup B. GJOÇA
Nënkryetari i PD, pohon për “Telegraf” se ka 2 propozime për ndryshimin e statutit dhe platformë për ringritjen e PD
Nënkryetari i PD-së Edi Paloka në intervistën për gazetën “Telegraf”, pranon që deri tani ka nga anëtarët e PD-së 2 propozime për Kuvendin Kombëtar të PD-së që do të mbahet në fundprill, e para, për të ndryshuar statutin e PD dhe e dyta, një platformë për ringritjen e PD-së. Nënkryetari i PD Paloka mohoi se ka një analizë në PD, që analizon gjendjen e PD, nga 23 qershori 2017 e deri tani, por pohon se është analiza që është bërë në çdo degë të PD-së, por nuk është bërë analizë për gjithë PD-në. Gjithashtu, zoti Paloka e quan absurde që t’u dërgohen ftesë për në Kuvendin Kombëtar kritizerëve të kryetarit Basha, pasi ata, siç thotë nënkryetari i PD-së, ata janë anëtarë të PD-së dhe të strukturave e funksionarë të PD-së. 

– Zoti Paloka, a janë depozituar në PD propozime për ndryshimin e statutit të PD-së dhe a ka një platformë nga baza për ringritjen e PD-së?
-Ka 2 propozime. E para, bërë nga 2 anëtarë të Këshillit Kombëtar, për ndryshime në statut, dhe një tjetër, e quajtur platformë për ringritjen e PD, që është firmosur nga një numër anëtarësh, funksionarë të PD, që janë depozituar tashmë pranë grupit të punës. Ndërkohë, gjatë procesit të analizës dhe nga raportet që janë paraqitur nga degët e ndryshme kanë ardhur sigurisht edhe propozime, që kanë të bëjnë me riorganizimin e PD, ide, mendime për funksionimin e PD. Të gjitha këto do të analizohen, do të reflektohen, qoftë në ndryshimet statutore, dhe do të programohen këto, nëse do të jetë nevoja, dhe më vonë, do të shqyrtohen në mbledhjen e Kryesisë nga juristët e PD, që do të sjellin më vonë ndryshime konkrete për statutin e PD-së. 

– Flitet që ka ardhur në Kryesinë e PD-së një analizë e papërfunduar nga degët, se çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të 2017-s. Ju mund të na flisni çfarë përmbajtje ka kjo analizë?
– Analiza ka përfunduar në të gjitha degët e PD-së, janë dërguar shumica e raporteve, nuk kanë ardhur ende vetëm 2 raporte nga degët. Si proces, analiza pas-zgjedhore është i mbyllur. Nuk ka asgjë tjetër, veç thashetheme, sepse kam parë shkrime në disa media, ato janë thashetheme, nuk janë të vërteta, por raportet që janë të depozituara, janë për PD-në, për të gjetur mënyrën më të frytshme të funksionimit të PD-së, nuk janë që të publikohen. Problemet që ka secila degë e PD-së nga tjetra janë të ndryshme, kështu që nuk mund mund të jetë një raport përfundimtar, që mund të japë një konkluzion të përgjithshëm për gjithë PD-së dhe ato do të trajtohen nga PD-ja me specifikat e veta. 

– Në Kuvendin Kombëtar të PD-së, a do të ftohen, a janë të mirëpritur edhe ata anëtarët e Kryesisë të PD-së, ish-deputetë, kritikët e kryetarit të PD-së, që kanë paralajmëruar krijimin e një partie të re? 
– Ata janë anëtarë të PD-së, janë anëtarë të strukturës të PD-së, nuk kanë nevojë të ftohen. Një pjesë janë anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PD, një pjesë janë anëtarë të Këshillit Kombëtar, një pjesë janë anëtarë të Kryesisë. Çfarë ka për të ftuar këtu?

– Ju pohoni që PD-ja është ende e hapur për kritizerët e Bashës?
– PD-ja funksionon në bazë të statutit. Nuk ka nevojë për ftesa speciale. 

– PD-ja a i ka fshirë nga listat e saj të anëtarësisë, kritizerët e saj, sikurse Patozin, Topallin, Imamin, të cilët pretendojnë se do të krijojnë parti-fraksion të PD-së?
– Çfarë lidhje ka, kush i ka fshirë nga lista. Sapo ta thashë më lart. Ata janë anëtarë të PD-së, anëtarë të strukturave partiake të PD-së. Çdo të thotë, që ata janë fshirë nga listat e anëtarësisë së PD-së?!
Sigal