Edhe pas 70 vitesh, politika shqiptare e ndarë për datën e çlirimit të vendit

82

Festat. Nishani, Rama dhe Meta në Vlorë, flamuri ngrihet nga Godelli dhe Begaj. Opozita zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

 Presidenti dhe pozita festojnë dhe në  Vlorë, opozita vetëm në Tiranë

 Shqipëria festoi dje 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Aktivitete për të kujtuar këtë ditë kombëtare janë organizuar në qytetin bregdetar të Vlorës, aty ku kryeministri i parë i vendit Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Pavarësinë e vendit. Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, Kryeparlamentari Meta dhe ministra të qeverisë morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë, i cili u lartësua nga kampionët e peshëngritjes, Daniel Godelli dhe Romela Begaj.

Sikurse pritej, opozita ka zgjedhur të kujtojë veçmas pavarësinë, duke zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. E gjithë Shqipëria, ashtu si edhe trevat shqiptare e diaspora, vazhdojnë të festojnë ditën e Flamurit. Sheshet e qyteteve janë zbukuruar me simbole kuqezi dhe gjatë ditës rrugët janë mbushur nga qytetarë në kuadër të aktiviteteve të organizuara.

Presidenti Nishani i uron festën Shqiptarëve, dekoron personalitetet e pavarësisë dhe çeli në Krujë, Kuvendin “Historia i flet së ardhmes”. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani uroi dje të gjithë Shqiptarët  për festën e pavarësisë, ndërsa zgjodhi pikërisht ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë për të nderuar personalitetet e shquara të pavarësisë, si Isa Boletini, Mujo Ulqinakun, Ymer Dishnicen, Mustafa Gjinishin, Qemal Stafën, Kryetarin e Konferencës së Pezës, Abaz Kupin, nacionalistët Lepenica dhe Butka. Duke i’ u drejtuar të gjithë shqiptarëve, Nishani u shpreh se kjo ditë është e shënuar për Shtetin Shqiptarë dhe sot më shumë se kurrë, sipas Kreut te Shtetit, duhet t’ i përulemi mundit dhe sakrificës që Ismail Qemali, Isa Boletini dhe personalitetet e tjera të pavarësisë dhanë për Shqipërinë. “Nderojmë personalitete të shquara të rrugës së gjatë të mundimshme të pavarësisë së Shqipërisë, që ruajtën parimet e lirisë, Pavarësisë, personalitete të përkushtuar me mish e me shpirt përmes patriotizmit dhe punës për çështjen kombëtare shqiptare”, tha Nishani. “Besoj që dita e 28 nëntorit është momenti më domethënës që gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh dhe përkatësisht të vlerësojnë përpjekjet shekullore që shqiptarët kanë bërë për të ruajtur identitetin kombëtar”, tha ai. Gjithashtu Presidenti Nishani çeli në Krujë, Kuvendin “Historia i flet së ardhmes”, me rastin e Ditës së Flamurit. Presidenti tha ndër të tjera se 28 Nëntori është një ditë e shënuar për mbarë kombin tonë, pasi në këtë datë në 1912-ën, Shqipëria shpalli Pavarësinë, madje është edhe 28 Nëntori i kohës së Skënderbeut, që e bën dy herë të rëndësishme këtë datë. Z. Nishani foli gjithashtu edhe për Konferencën e Mukes, për të cilën tha se atje u morën vendime të rëndësishme, siç ishte bashkimi i forcave për çlirimin e Atdheut, pa dallime politike. Këto vendime tingëllojnë aktuale edhe sot, kur partitë, pavarësisht dallimeve politike, duhet të bashkohen dhe të eliminojë luftën e grindjet e të jenë të bashkuara për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama uron shqiptarët për 102 vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e djeshme me një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë. Në një postim në rrjetin social ‘facebook’, Rama shkruan “Gëzuar të gjithëve festën e Pavarësisë së Shqipërisë”. Nga qyteti i Vlorës, ku Rama mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, ai deklaroi se reformat nuk do të ndalen por do të thellohen edhe më tej. Duke e krahasuar situatën kur e mori pushtetin e qeverisur nga demokratët deri më 23 qershor, si një trup me kancer ku metastazat janë përhapur shumë thellë, Rama u shpreh se do të bëjë gjithçka për të kaluar nga Shqipëria informale e Lala Gjonit tek ajo moderne e qytetarit. Kryeministri përuroi zyrën e shërbimeve në Policinë e Vlorës me rastin e 102 vjetorit të Pavarësisë. Edi Rama: “Jemi caktuar nga mandati i 23 qershorit jo si një mandat për të hequr PD-në dhe për të sjellë PS e LSI-në në pushtet, jo si një mandat për të ndryshuar fytyrat  ministrave, zv/ministrave apo drejtorëve e drejtuesve të gjithë territorit por për të ndryshuar  rrënjësisht Shqipërinë. Për të kaluar nga Shqipëria informale e Lala Gjonit tek ajo moderne e qytetarit. Tek një Shqipëri normale Europiane që nuk mund t’i lejojë vetes që të tregohet me gisht si një republikë droge në mes të Europës apo siç vazhdon të tregohet se është vendi i dytë më i pasur me burime energjike por që si askush tjetër në Europë vjedh veten e vet ditë natë për turpin e Zotit e të gjithëve ne që ngremë në Vlorë flamurin e Pavarësisë. Jemi këtu për ta respektuar atë amanet dhe për t u bashkuar me çdo qytetar që ka të drejtë të shërbehet në mënyrë transparente dhe në afatin e duhur pavarësisht se është nga qendra e qytetit apo nga fshati më i largët. Kush mendon se mund të ulet ritmi i reformave bën parashikim të gabuar, kush mendon se mund të ulet thellësia e reformave bën gabim do të shkojmë thellë e më thellë, pasi kanceri që kemi trashëguar dhe që i ka shpërndarë metastazat e veta në çdo sektor nuk luftohet me llafe, makijazh, aspirina e penicilina, por me terapi intensive të dhimbshme dhe operacione të thella si e vetmja mënyrë për ta nxjerrë shoqërinë tonë nga agonia në raport me ligjin dhe lëngata në raport me të drejtat e njeriut”, ka përfunduar fjalën e tij kryeministri Rama.

Axhenda e qeverisë për sot, 29 Nëntor 2014

 10:00 – Ceremonia e vendosjes së kurorave në Varrezat e Dëshmorëve

11:30 – Parada Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes

17:00 – Ekspo “Këndvështrime”, në Hollin Protokollar në Kryeministri

18:00 – Festivali i Dritave

19:30 – Pritje në Pallatin e Kongreseve me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit

22:00 – Koncert & Nata e bardhë, Sheshi “Nënë Tereza”

Kreu i opozitës Basha: Duhet kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi 70-vjetorin e çlirimit dhe 102-vjetorin e pavarësisë së vendit, duke zhvilluar gjatë ditës së djeshme homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Shefi i opozitës u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara dëshmorëve të rënë për Atdheun. Homazhe zhvilluan edhe ish-kryeministri Berisha dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, shefi i opozitës theksoi se kjo është një ditë që bashkon shpirtrat e shqiptarëve. Sipas Bashës, shqiptarët duhet të luftojnë fort dhe pa kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë. “Gëzuar këtë ditë të madhe të lirisë, sakrificës. Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në gjithë dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve. Sot është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e tyre. Liria në të gjithë dimensionet e saj, liria si pavarësi, liria nga pushtimi nazifashist, nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb. Të luftojmë fort dhe pa kompromis për ta thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë. Duke e bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë pavarësisë dhe lirisë që festojmë sot”- deklaroi Basha.

Sali Berisha: Nderojmë të rënët e kombit!

Ndërsa ish-kryeministri i vendit Sali Berisha është shprehur se, “Nderimin më të madh të rënëve të kombit shqiptar! Trimëria, guximi, atdhedashuria, sakrifica dhe heroizmi i tyre bënë shqiptarët të lirë, me dinjitet, një komb me shpresë dhe besim në të ardhmen që meriton. Është e hidhur që edhe pas 24 vitesh liri të rënët e kombit ende nderohen nga neo-bllokmenët jo në ditën e tyre, 28 nëntorin e Pavarësisë dhe çlirimit, por sipas ritit enveristo-serb, pra në ditën e armiqve më të egër të kombit tonë, që falsifikuan ditën e çlirimit dhe e vendosën në ditën e festës së Jugosllavisë, e gjitha kjo në funksion të shndërrimit të Shqipërisë së pavarur në Republikë të 7-të të Jugosllavisë!! Nderim përjetë të gjithë atyre që ranë për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar!! Sb”, ka përfunduar Berisha. Gjithashtu nderim dhe mirënjohje u është rezervuar sot edhe heronjve të kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Homazhe janë zhvilluar pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari  në 59 vjetorin e lindjes. Zoti Basha theksoi se 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës. “28 nëntori është një ditë e madhe historike por është po kështu një ditë kujtese për një ndër heronjtë tanë kombëtarë që na mbush zemrat me krenari e mirënjohje të thellë për veprën e tij, komandantin legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari i cili lindi në 28 nëntor. Kjo simbolikë nuk është e rastësishme. 28 nëntori i pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori i çlirimit të atdheut, 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës, pa pavarësinë e saj, pa dhënien fund të padrejtësisë shekullore të ndarjes, copëtimit dhe robërimit të kombit shqiptar e bash për këtë arsye sot, kremtimi i 28 nëntorit edhe si ditëlindje e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka domethënien e madhe se Shqipërisë e shqiptarëve, Kosovës e trojeve tona kudo nuk i kanë munguar e as nuk do i mungojnë kurrë bijtë e bijat të cilët janë gati të japin gjithçka për pavarësinë, për lirinë e fituar dhe për të zmbrapsur çdo kërcënim ndaj kësaj lirie si dhe për të çuar deri në fund, për të plotësuar pa asnjë rezervë amanetin e një kombi të bashkuar nën idealin e rilindësve, nën  flamurin e Skënderbeut, nën normat dhe standardet e BE.” – deklaroi zoti Basha. Kryebashkiaku Basha vizitoi gjithashtu familjet e dëshmorëve Akil Sakiqi, Bardhyl Salillari dhe heroit të demokracisë, Azem Hajdarit. Ndërsa mesazhi Berishës ishte, “Duke nderuar Adem Jasharin, kryetrimin që Zoti ja dhuroi kombit ditën e festës kombëtare, burrin që shndërroi Prekazin në Krujën e dytë të shqiptarëve. Në fotot e tjera tek Jasharët në Prekaz dhe në kohërat e fillimit me grupin e legjendarëve që bënë Kosovën dhe shqiptarët e lirë. Nderim përjetë kryetrimin legjendar të kombit tonë, heronjve dhe të rënëve që çliruan Kosovën dhe bënë të lirë shqiptarët!! sb

E djathta feston bashkë 28 dhe 29 Nëntorin. Reagojnë Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, Marko Dajti, Rustem Peçi, Muharrem Xhafa e Zyhdi Kroj

Kur kanë kaluar plot 70 vite nga 29 Nëntori 1944, dita e çlirimit të vendit pas një lufte të gjatë që e renditi vendin tonë në kampin e fitimtarëve, ende politika shqiptare vazhdon të jetë e ndarë për datën e çlirimit. Të djathtët, ndonëse zyrtarisht datë çlirimi 29 Nëntori, ata njohin si datë çlirimi 28 Nëntorin, dhe këtë ditë, festojnë dhe çlirimin e vendit, bashkë me shpalljen e Pavarësisë. Kështu ka ndodhur dhe dje. Kreu i opozitës Lulzim Basha, bashkë me aleatët e tjerë të djathtë, në ceremonitë dhe aktivitetet përkatëse, kanë festuar njëherazi 28 dhe 29 Nëntorin. Ndërkohë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, iu është bashkangjitur aktiviteteve zyrtare të ditës së djeshme në Vlorë, duke përkujtuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Por disa krerë të forcave të majta, kanë kontestuar vendimet e Presidentit Nishani, që krahas disa atdhetarëve, sipas tyre, ‘krahas disa patriotëve, ka dekoruar dhe ballistë e kolaboracionistë që kanë bashkëpunuar hapur me pushtuesin e në dëm të Luftës Nacional-Çlirimtare”. Ky fakt, mos njohja nga opozita e sotme e 29 Nëntorit si ditë e çlirimit, siç është përcaktuar dhe zyrtarisht, sipas krerëve të forcave të majta, jo vetëm është shkelje e Kushtetutës, por dhe fyerje për luftën dhe partizanët që dhanë jetën për lirinë, duke e renditur vendin mes fitimtarëve. Ja dhe mendimet e disa krerëve të partive dhe personaliteteve lidhur me përçarjen e politikës shqiptare dhe pas 70 viteve nga dita e çlirimit të vendit….

SERTVET PËLLUMBI

Në këto 24 vjet politika shqiptare nuk e ka gjetur rrugën e festimit të përbashkët për shumë arsye, por më kryesorja është se kjo klasë politike për mendimin tim nuk ka kuptuar, apo nuk do të kuptojë se çfarë do të thotë demokraci në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Demokraci do të thotë mirëkuptim, bisedime, bashkëpunim, tolerancë,  bashkërendim i forcave për përparimin e vendit. Demokraci nuk do të thotë fyerje, sharje, ofendime, grindje pa fund.  Kjo gjuhë e ashpër e politikës sonë 24 vjeçare nuk do të sjellë (ashtu siç nuk ka sjellë), një gjuhë të përbashkët për interesin kombëtar, por do të sjellë polarizim të shoqërisë, si në kohën e luftës ku u ndanë në partizanë, ballistë dhe legalistë.  Gjithë kjo gjuhë e acartë ka sjellë pështjellime edhe në histori, ku nuk e di në çfarë bazash hidhet baltë mbi luftën nacional-çlirimtare. Disa pseudo historianë e quajnë luftë civile, disa e quajnë pushtimin nazist si ushtri kalimtare dhe lloj-lloj epitetesh pa bazë. Një gjë dua të theksoj se lufta nacionalçlirimtare ishte një luftë epokale, këtë e dëshmojnë dhe historianë të huaj.  Politika nuk duhet të luajë në kurriz të historisë. Politika nuk duhet të luajë me ata që bënë luftën dhe pasardhësit e tyre. Kjo luftë e politikës me luftën nacionalçlirimtare nuk bëhet kot, në tym. Ajo bëhet me një qëllim të caktuar, bëhet me një ide të caktuar. Kjo luftë dhe përçarje për luftën bëhet për të zhvendosur vëmendjen e popullit nga hallet, shqetësimet, problemet e ditës dhe politika të plotësojë dëshirat e saj. Por, populli do të dijë të vendosë në vend dinjitetin, personalitetin, realitetin dhe historinë e vërtetë. Historinë e bëjnë popujt dhe jo politikanët e përkohshëm.

SABIT BROKAJ

Kjo është një çudi vetëm shqiptare, si puna e dosjeve. Marrin rolin e historianëve ata që s’kanë idenë e historisë. A mund të mohohet lufta nacionalçlirimtare kur një botë e tërë e qytetëruar e ngre në piedestal? A mund të mohohet gjaku i 28 mijë dëshmorëve, kur në çdo 5 maj gjithë bota feston me të madhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, si më të përgjakshmen e gjithë historisë njerëzore? Po ne pse duhet ta nëpërkëmbim këtë luftë? Politika shqiptare duhet të bëhet më e emancipuar, më e demokratizuar, për ti parë problemet në këndvështrimin  e interesit kombëtar dhe jo të politikës së ditës. Historianët të shkruajnë historinë e vërtetë, politikanët të njohin të vërtetat historike që bazohen në shkencën e historisë së pa politizuar. Sot duhet më tepër se kurrë të gjendet gjuha e bashkëpunimit, në emër të interesave kombëtare dhe jo atyre partiake.

MARKO DAJTI

Është për të ardhur keq, por kështu ka ndodhur gjithmonë me shqiptarët, kanë qenë të përçarë dhe i kanë komanduar të huajt.  përjashto luftën dhe vitet e socializmit, që i bashkoi komandanti dhe udhëheqësi legjendar Enver Hoxha. Ne si Grupim i Majtë Komunist, e vlerësojmë luftën e lavdishme Nacional-Çlirimtare dhe njohim si datë ditën e vërtetë të çlirimit, 29 Nëntorin. Datën e çlirimit e vendosën fitimtarët dhe jo partiakët e sotshëm, që në emër të saj, apo duke mos e njohur atë, duan të përfitojnë. Po dita e çlirimit, pra 29 Nëntori,  është e sanksionuar me ligj, dhe duhet zbatuar, do apo nuk do dikush. Për ne si komunistë, nuk është normale që mes të dekoruarve nga Presidenti I Republikës, të ketë dhe kolaboracionistë që bashkëpunuan me fashizmin. Në asnjë vend të Europës ku ka qeveri përparimtare e shtet demokratik, nuk vlerësohen kolaboracionistët. Për ne, lufta ishte dhe mbetet e shenjtë.

RUSTEM PEÇI

Nuk pres që tradhtarët e djeshëm, pinjollët e tyre e të kolaboracionistëve të njohin luftën e lavdishme Nacional-Çlirimtare, trimërinë dhe heroizmin e reparteve partizane të drejtuara nga Komandanti Enver Hoxha. Nuk pres pra që pinjollët të festojnë çlirimin më 29 Nëntor, pasi etërit e tyre ishin në një front me gjermanët përballë partizanëve dhe ja mbathën nga Shqipëria së bashku me humbësit. Opozita e sotme nuk mund të bëj politikë me luftën, pasi atë nuk e lidh gjë me ‘të, pasi ajo është vënë në shërbim të pinjollëve të fashizmit e të tradhtarëve të vendit që ishin në një pozicion me armikun kur bijtë dhe bijat më të mirë të Shqipërisë, dhanë jetën për liri. Për ne, Organizatën e Veteranëve, lufta është e shenjtë, e askush nuk mund të hedhë baltë mbi ‘të.

MUHARREM XHAFA

Partia Komuniste dhe Enver Hoxha drejtuan luftën, çliruan vendin dhe Shqipëria ishte aleate me fitimtarët në këtë luftë. Për sa i takon opozitës së sotme, ajo këtë avaz ka pasur dhe kur ishte në pushtet. Nuk ka ndonjë gjë të keqe të festosh njëherazi 28 Nëntorin, ditën e Flamurit dhe 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të vendit por të këmbëngulësh se ‘u çliruam më 28 Nëntor’,  siç vepron opozita, është pak të thuash se janë simpatizantë të kolaboracionistëve, por është fashizëm. Por për ne komunistët, është e pafalshme që Presidenti i Republikës që merr urdhër nga partiaku Berisha, të dekorojë në prag të këtyre ngjarjeve të shënuara kolaboracionistë… Askush në botë nuk i ka dekoruar ata që bashkëpunuan e luftuan në një front me fashizmin. Nuk mund të luhet me datat që janë fiksuar me gjakun e bijve dhe bijave shqiptare, nuk mund të bëjnë historinë apo ta rishkruajnë atë, ata që tradhtuan, bashkëpunuan me fashizmin, pinjollët e tyre, apo grupime e parti të tjera që I kanë shitur e vazhdojnë ti shesin interesat e vendit tek të huajt.

ZYHDI KROJ

Si president Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e në Lirim,

Dua të theksoj se mosnjohja e luftës e ditës së çlirimit, 29 Nëntori, nuk ka të bëjë me faktin historik, gjë që është i pakontestueshëm, por bijtë e kolaboracionistëve duan të hedhin baltë mbi këtë luftë të lavdishme, duan që kolaboracionistëve, etërve të tyre, tu heqin damkën e turpit si bashkëpunëtorë të pushtuesve, e në mos, të paktën të ‘harrohen’ nga brezat që vijnë. Por kjo nuk ka për të ndodhur. Le të mos e njohin 29 Nëntorin si ditë të çlirimit të vendit, se nuk i prishin punë askujt. Por dhe me këtë revansh, ku mbështeten dhe nga segmente me pushtet, ata nuk mund të arrijnë të bëjnë të zezën të bardhë e të bardhën të zezë.