Edhe një qytetar me duar në xhepa, Kur i jepet 245 milion euro për 20 km rrugë nga shteti, ndërton edhe në hënë

810
Sigal

Me kushte të tilla, edhe një qytetar që s’ka as një qindarkë në xhep, mund të ndërtojë një rrugë me vlerë mbi 245 milionë euro. Bëhet fjalë për rrugën e shumëpërfolur Thumanë-Kashar, e cila është e gjatë vetëm 20 kilometër dhe do të kushtojë plot 245 milionë euro.

Kjo është një nga rrugët me kostot më të larta, duke kapërcyer edhe tarifat e vendeve të Bashkimit Europian. Nga një llogaritje e thjeshtë, 1 kilometër në këtë rrugë me 4 korsi do të kushtojë plot 12.25 milionë euro. Me këtë tarifë, ne lëm pas shtete si Kroacia, Hungaria e madje Danimarka.

Por përveç kostove tepër të larta që po i shkaktohet buxhetit të shtetit, qeveria po favorizon hapur kompaninë koncesionare, që në rastin konkrret është “Gener 2”. Në një vendim me numër 151, qeveria ka akorduar miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien e koncesionit për projektin.

“Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e bonusit prej 8.5 % të pikëve, që i jepet shoqërisë ‘Gener 2’ për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar” thuhet në VKM. Pra, kjo firmë e cila merr rreth 40% të buxhetit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka shumë gjasa që të fitojë edhe PPP-në për rrugën Thumanë-Kashar.

Dokumentet e siguruara nga Tpz.al tregojnë se “propozimi për ndërtimin e segmentit rrugor Thumanë – Kashar bën pjesë në planin e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës me anë të programit “One Billion Euro”. Por, në këtë projekt, qeveria pritet të jetë si kolateral i bankave, për kredinë që do të marrë koncesionari, në rastin konkrret “Gener 2”.

“Kjo synohet të realizohet duke përfshirë investimin e kapitalit privat. Prioritet për realizimin e këtij projekti është përfshirja e bankave dhe garancia që jep qeveria” thuhet në dokumentin e paraqitur në Agjencinë e Prokurimit Publik.

 “Supozohet që bankat do përfshihen në investimin e këtij projekti si dhe me një interes të ulet. Supozohet që qeveria do dalë garant për marrjen e kredisë nga bankat” vijon dokumenti zyrtar në APP, çka hedh dyshime se, rruga nuk do të ndërtohet nga kapitali privat, por nga ai shtetëror, pasi të gjitha risqet i merr qeveria.

Pra, e thënë më thjeshtë, nëse kompania private nuk shlyen dot kredinë, atëherë kredia duhet të shlyhet nga qeveria! Por përse përdoret një skemë e tillë, kur në fakt të gjitha rreziqet i merr qeveria?!

Si përfundim, qeveria po i jep koncesionarit koston më të lartë për ndërtimin e rrugës, kredinë, bonusin dhe mbështetjen në rast se “Gener 2” fundoset tek bankat e nivelit të dytë. Me pak fjalë, këtë rrugë, me këto kushte, mund ta ndërtonte kushdo./TPZ.AL/

Më poshtë bonusi i Qeverisë për “Gener 2”:

Më poshtë Qeveria vendoset si kolateral për bankat, për “Gener 2”:

Më poshtë shpallja e PPP-së për Rrugën Thumanë-Kashar: