Edhe “kaubojsit” e qarqeve firmosin “koncesione”

541
Diçka e pazakontë po ndodh edhe me institucionet e shtetit në rrethe. Po ndodh ajo që, duke i konsideruar si çifligje të tyre pronat e shtetit, edhe drejtorët po japin sipas mënyrës së tyre (dhe që shpesh me ironi e quajnë në tavolina si “koncesione”) zyra, oborre, fusha, garazhe dhe objekte të tjera me qira, duke shkelur ligjet e shtetit. Qiraja apo “koncesioni” i drejtorëve lidhet me ofertat dhe aferat korruptive të tyre dhe sekserëve, vartësve apo edhe kolegëve të tyre në bizneset private. Burime tepër të sigurta nga disa rrethe i thanë “Telegraf” se “drejtorët e emëruar, miq dhe farefis të politikanëve dhe qeveritarëve, po japin me qira me kontrata të fshehta dhe të padeklaruara, ambiente, zyra, garazhe, oborre dhe deri korridore të godinave të institucioneve, firmave dhe kompanive private vendase dhe “jabanxhinj” që përkohësisht ndodhen për punë nga qytete të tjera”. Një skandal i paparë, një guxim prej të marri, kur ndodh që një drejtor apo drejtore institucioni arrin dhe jep me qira pjesë të institucionit të shtetit, duke mos u mjaftuar me kaq, por edhe vendet bosh të mbetura i kanë kthyer në parkingje private, ku roja i institucionit, mbledh paratë e dhjetëra makinave që futen nga ora 20.00 deri 06.00. Duke llogaritur vlerën e fitimeve të këtyre drejtuesve të kthyer në “kaubojsa” të institucioneve të shtetit, që ecin dhe punojnë me ligjet e xhunglës në 2016, shqyen sytë. Vlera e fitimit shpesh arrin edhe në afro 2 mijë euro në muaj, dhe kjo e vendosur madje edhe me shkresa të pa protokolluara por thjesht të firmosura nga vartësit e korruptuar dhe drejtuesit. Firmat, kompanitë dhe individët (si p.sh edhe ekspertë kontabël) kanë marrë ambiente dhe zyra me qira, kanë pushtuar oborret e institucioneve, duke parkuar atje madje edhe automjetet e tyre të rënda si betonieret apo fadromat dhe askush nuk guxon të flasë. Askush nuk guxon të kërkojë llogari, askush nuk guxon të denoncojë këto shkelje skandaloze ligjore dhe fitime përrallore të drejtuesve arrogantë, të korruptuar dhe pa moral, që shkrihen në tava mishi të pjekur, në dreka dhe darka të shtrenjta. 
Institucionet e shtetit trajtohen si “lopët”
Prej vitesh institucionet e shtetit po trajtohen si lopët, duke i “mjelë” atyre edhe qindarkën e fundit, duke i mbushur zyrat dhe korridoret me servilë dhe të paaftë, të cilët zbatojnë verbërisht urdhrat e shefit dhe kyçin gojën duke rrezikuar një ditë të bukur, edhe burgun madje. Shkeljet janë të hapura, flagrante dhe në disa raste edhe të denoncuara ilegalisht tek dikasteret e linjës, por deri sot në asnjë rast nuk ka pasur as kontrolle dhe as penalizime, madje ka qenë vetë ndonjë ministër, që i ka forcuar pozitat vartësit të tij në rrethe. Natyrisht asnjë drejtori nuk do t’ia “mbante”, asnjë drejtor nuk do të guxonte të shkelte hapur ligjet e shtetit, të mbushte zyrat, duke i ngjeshur ato me 4 dhe 5 punonjës, për të boshatisur ambiente me qëllim fitimi, në rast se nuk do të kishte lidhje dhe mbështetje me ministrin, politikanin etj. Sipas të njëjtave burime “marrëveshjet” me firmat, kompanitë dhe individët janë bërë me kushtin e vetëm se “ajo përfundon në momentin kur shkarkohet drejtuesi nga detyra”. Por shanset e shkarkimit deri në fund të mandatit qeverisës janë pothuajse zero, derisa gjithçka vazhdon qetë-qetë të ecë sikur të mos ketë ndodhur asgjë e keqe dhe xhepat mbushen me miliona qyl. Mjaft zyrtarë të këtyre institucioneve shprehen se “këto veprime dhe shkelje nuk kanë ndodhur as në 1997, kur shteti ra dhe u shkërmoq, nuk e imagjinojmë se si guxojnë, si nuk kanë frikë nga shteti, ligji, burgu, diskreditimi”. Madje ka punonjës të zyrave që shprehen se “edhe tek portalet denonco-korrupsionin, kemi frikë të flasim dhe shkruajmë, pasi mund të zbulohemi dhe na merr lumi, kështu që më mirë të heshtim dhe të marrim atë rrogë, se mund të mbetemi edhe pa punë fare një ditë”. Kjo ndoshta është vetëm një pjesë e realitetit të turpshëm që ndodh në institucionet e shtetit edhe në rrethe, atje ku vëmendja dhe kontrolli i dikastereve shpesh është konvertuar në “mbrojtje ligjore për korrupsionin e vartësve të bindur”, që u mbushin atyre xhepat çdo muaj. 
Nga Alma JONUZI
Sigal