Edhe 100, “Telegraf”!

513
Sigal

Sot, në ditën e madhe të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, edhe 7-vjetori i gazetës “Telegraf”

Ditëlindjet janë gjithnjë ngjarje të gëzueshme dhe shoqërohen me urimin “Edhe 100!”. Domethënë: Rrofsh edhe 100 vjet të tjerë! Ditëlindja e një gazete është një gazim edhe më i madh. Sepse një gazetë është e lidhur me mijëra njerëz njëherësh. Sot, në ditën e madhe të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, gazeta jonë “Telegraf” mbush 7 vjet. Jo rastësisht, në nëntorin e vitit 2005, u zgjodh pikërisht data 28 Nëntor për të nxjerrë numrin e parë të gazetës “Telegraf”. Sepse 28 Nëntori është dita më e madhe për shqiptarët kudo që ndodhen, është dita e Flamurit, e Pavarësisë që sot mbush njëqind vjet dhe që do të festohet brez pas brezi. Është një ditë e shënuar, pasi gjatë këtyre shtatë viteve “Telegraf”-i hyri me dinjitet dhe prestigj në tregun mediatik, duke bërë miq të pandarë në mbarë vendin. Janë shtatë vite pune me sakrifica nga një staf i përkushtuar që i ka dhënë një profil të qartë kësaj gazete që radhitet ndër më të mirat në shtypin shqiptar. Falë qëndrimit të ekuilibruar, atdhetar dhe largpamës, “Telegraf”, ka mundur të tërheqë në faqet e saj firmat më të kualifikuara, politikanët, shkrimtarët dhe intelektualët  më të njohur të vendit. Është meritë e vizionit të pronarit të gazetës, Agim Çirakut dhe drejtorit Ëngjëll Musai, që gazeta ka fituar këtë emër të nderuar që gëzon midis lexuesve të saj të shumtë, qarqeve politike dhe intelektuale të vendit.  Mund të thuhet me plot gojën se, “Telegraf” është bërë një tribunë e mendimit të lirë, mbrojtëse e vlerave më të qenësishme atdhetare dhe kombëtare. Në faqet e “Telegraf”-it kanë gjetur vend dhe jehonë problemet e mprehta të politikës së ditës, shqetësimet e qytetarëve, temat e larmishme të historisë, kulturës, letërsisë dhe traditës. Kjo larmishmëri e ka bërë gazetën “Telegraf” të pëlqyeshme dhe tërheqëse për lexuesit. Në faqet e saj ata gjejnë veten e tyre dhe hallet e përditshme që i shqetësojnë. “Telegraf” ka qenë vendosmërisht në krahun e qytetarëve kur ata janë dhunuar dhe grabitur nga shteti, kur janë vjedhur nga CEZ-i dhe Ujësjellësi, kur janë mashtruar për pensionet dhe rrogat, kur u janë mohuar të drejtat nga pushtet qendror dhe vendor; “Telegraf është ngritur me forcë kundër arbitraritetit të firmave të huaja që kanë hyrë dhe po grabisin këtë vend me bekimin e qeverisë, është kundër korrupsionit kudo që ai është shfaqur dhe shfaqet. “Telegraf” ka ngritur fuqishëm zërin kundër shtrembërimeve historike në emër gjoja të rishikimit dhe rivlerësimit të historisë. Gazeta jonë ka mbrojtur gjuhën standarde si një arritje madhore gjatë shekullit të fundit. Në këtë mënyrë ajo ka denoncuar dhe demaskuar vlerësimet e pështira për figura të dyshimta dhe tradhtarët e këtij vendi, dhe përpjekjet që po bëhen për të zbritur nga piedestalet heronjtë dhe patriotët e vërtetë të këtij vendi, për t’i zëvendësuar me tradhtarët dhe antikombëtarët. Në të gjitha këto aspekte të jetës shoqërore dhe politike të vendit, “Telegraf” është karakterizuar nga një kurajo civile e admirueshme dhe e tillë do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Prandaj dhe sot, në ditën e madhe të Pavarësisë, kësaj gazete i shkon për shtat urimi: Edhe 100, “Telegraf”!