E papritur, Haradinaj i drejtohet popullit: Jemi të fortë! Sovranitetin do ta mbrojmë me çdo çmim!

537
Sigal

Kryeministri i Kosovës Ramush haradinaj i është drejtuar befas me një thirrje, popullit të Kosovës:

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Jemi bashkë dhe jemi të fortë! Askush nuk do të na ndajë.  Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim.”

Deklarata nga Haradinaj është bërë para pak minutash në Fb dhe ka ardhur në një kohë kur autoritetet e Kosovës i kanë ndaluar hyrjen, Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, lajm i konfirmuar për REL nga Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Sipas këshiltarit, kërkesa e Vulinit është refuzuar “sepse qëllimi i tij është provokimi kundër Kosovës”. “Nuk ka çfarë të kërkojë në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Vulin, derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, tha Zyberaj.

Zyrtari i qeverisë se Kosovës vlerëson se, vet kërkesa për të vizituar Kosovën është provokim, pasi “qeveria e Serbisë e di se çdo lloj vizite në Kosovë është e ndaluar për Ministrin e Mbrojtjes”.

Ende nuk ka ndonjë koment nga qeveria e Serbisë lidhur me këtë rast.

Ndalesa ndaj Vulinit është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe nga ministria e Mbrojtjes e Serbisë. Mediat serbe bëjnë të ditur se, Vulin dhe një delegacion i ushtrisë serbe, kishin në plan të vizitonin Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Institucionet e Kosovës, kohë më parë, kanë përpiluar një listë të personave të padëshiruar nga Serbia të cilëve u është ndaluar hyrja në Kosovë.

Lista që Ministria e Jashtme e Kosovës ka me emrat e personave që nuk mund të hyjnë në Kosovës, fillon me emrin politikanit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës, pasuar nga Lubusha Divkoviç, ish-gjeneral i Armatës serbe, pastaj ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë, deri te kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç e të tjerë.