E kemi shitur votën për një shishe vodkë, nuk ka për të ndodhur më kurrë

463
Për cilin kandidat do të votojnë romët dhe egjiptianët e Korçës? Për kandidatin e djathtë, rektorin e Universitetit Fan S. Noli”, profesorin Gjergji Mero, apo për kandidatin e majtë, Sotiraq Filo. Kjo është një pyetje e madhe. Ata janë 20 mijë banorë të qytetit të Korçës. Shifra zyrtare nuk disponojmë; ndoshta janë edhe më shumë se kaq. Vota e tyre, nëse votojnë me shumicë për njërin kandidat, munden t’i japin fitoren atij dhe humbjen kandidatit tjetër. Në një farë mënyre vota e romëve dhe egjiptianëve është vendimtare. Por u desh një çerekshekulli demokraci, jo pak, që romët dhe egjiptianët e Korçës të kuptonin sa e vlefshme kishte qenë vota e tyre për jetën e tyre e për të ardhmen e fëmijëve të tyre, por që për 25 vjet me radhë nuk e kishin vlerësuar, sepse nuk e kishin ditur. Këtë të vërtetë të madhe e mësuan në saj të zhgënjimeve të pësuara sa në një proces zgjedhor te një tjetër, ku ata vazhdimisht mbeteshin me gisht në gojë. Kjo i bëri të të kuptonin se shitja e votës shkonte gjithnjë në dëm të tyre dhe në të mirë të klaneve të caktuara që përpiqeshin të përfitonin sa më shumë të ishte e mundur nga ajo që u ofronte pushteti që kishin blerë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur ata vetë e kishin shitur votën e tyre, ashtu si edhe shumë banorë të tjerë të qytetit të Korçës. Por sot, ndryshe nga sa më parë, e kanë vendosur për cilin kandidat do të votojnë për profesorin Gjergji Mero apo për Sotiraq Filon. Shpjegimet e mëposhtme do të na çojnë te përfundimi se cili kandidat është më i afërt dhe më i besueshëm për ta. 
E shitëm votën për një vodkë
Sot, pas 25 vitesh demokraci, janë të shumtë romët dhe egjiptianët që tregojnë se vota e tyre u kishte ikur shpesh nga dora pa e kuptuar as ata vetë. Jo rrallë herë e kishin dhuruar votën për një shtrëngim dore nga kandidati për deputet apo kandidati për kryetar bashkie. Madje konsiderohej ngjarje e rrallë dalja në fotografi me kandidatin, pasi e vlerësonin si “një shenjë besnikërie”, si “një dhënie bese”, që ai do t’i ndihmonte dhe nuk do t’i harronte kurrë për sa kohë të ishte në pushtet. Fotografia e kandidatit vendosej në faqet e murit të shtëpisë, në vendet më të dukshme që mundësisht ta shihnin edhe fqinjët, të njohurit dhe miqtë kur vinin për vizitë, por me përfundimin e fushatës zgjedhore kandidati u kthente kurrizin dhe nuk e shihnin më kurrë as në ditë të mira dhe as në ditë të këqija. Ata kujtojnë gjithashtu se si vota e tyre ishte shitur edhe për një shishe vodkë, pasi paguante kandidati për deputet apo për kryetar bashkie, mjaft që takimi të shndërrohej në një aheng, ku të gjithë të ndiheshin të lumtur. Tashmë që të gjitha këto i përkasin një kohe të shkuar. Duket se nuk ka për të ndodhur më kështu. Shoqatat e romëve dhe të egjiptianëve u kanë parashtruar dy kandidatëve (Filos dhe Meros) problemet dhe hallet e tyre dhe në të njëjtën kohë u kanë kërkuar zgjidhjen e tyre. Dhe ky është një hap i madh përpara. Megjithatë, duke iu referuar përvojës së deritanishme zhgënjimet më të mëdha i kanë pasur me Peleshin dhe Filon, ndërsa me profesorin Mero kanë një përvojë të mirë bashkëpunimi, madje të suksesshëm, që ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve të tyre
Zhgënjimet
Sigurisht, zhgënjimet më të mëdha i kanë me ish-kryebashkiakun Nik Peleshi, sot zëvendëskryeministër i vendit, dhe me krye bashkiakun aktual, Sotiraq Filo, pasi ky i fundit gjatë mandatit të Peleshit, ishte zëvendës i tij. Romët dhe egjiptianët nuk mund të harrojnë dot që këta dy krye bashkiakë dogjën dy projekte madhore për strehimin e romëve dhe egjiptianëve. I pari dështoi sepse institucionet qeveritare nuk miratuan truallin që ishte siguruar nga Bashkia, pasi nuk ishte i përshtatshëm. Dhe nëse projekti do të realizohej, së pari, romëve dhe egjiptianëve do t’u duhej të linin përfundimisht Korçën dhe të shkonin në Mborje-Drenovë dhe, së dyti, shtëpitë e tyre do të ngriheshin mbi traverbangun e minierës, gjë që ishte e papranueshme për ndërtimin e banesave. Këto ishin arsyet. Papërgjegjshmëria e drejtuesve të bashkisë dogji fondet. Projekti i dytë i strehimit, edhe më madhor nga ai i pari, që do të financohej nga Këshilli i Europës, parashikonte ndërtimin e 180 apartamenteve për romët dhe egjiptianët që jetonin në godinat e pazarit të Korçës, me qëllim që t’i hapej rruga restaurimit të pazarit, por ishte përsëri Bashkia e Korçës që nuk e bëri të mundur realizimin e këtij projekti. Tashmë restaurimi i pazarit ka filluar, ndërsa 180 familje ende nuk kanë një banesë dhe nuk dihet çfarë do të ndodhë me ta. Që të gjitha këto i kanë bërë këto dy komunitete të mendohen mirë para se të japin votën
Sigal