Dylgjeri: Tahiri, fuksllëqe ordinere kundër LSI-së

442
Tahiri dhe llogaria Limprecht
Video e publikuar dje, ku duket kandidati për deputet i LSI-së në Lezhë, Viktor Tusha, duke i futur një zarf në xhep një kryeplakut të dhunuar në këtë qark, ka shkaktuar reagime të shumta. Fillimisht Partia Socialiste sulmoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, nëpërmjet ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Shih e shkruaj, thotë populli, se sado të shkruash kur sheh kështu skenash, çdo fjalë është e tepërt…”, do të shkruante Tahiri. Për videon ka reaguar vetë Viktor Tusha, i cili ka hedhur poshtë akuzat e Tahirit, dhe ka sqaruar se ai zarf është pasqyrim i zakonit që kanë të gjithë në Lezhë, se filxhani i kafesë nderohet. ”Zakoni i malësorit, zadrimorit, mirditorit dhe i gjithë shqiptarëve është, që në raste tilla filxhani i kafes nderohet. Unë së bashku me miqtë e Gjovalinit tërë jetën tonë e kemi respektuar dhe do ta respektojmë këtë traditë të bukur. Nëse dikush i ka harruar këto vlera është turpi i tyre. Respekt për këtë familje të nderuar dhe për të gjithë ata që i nderojnë këto vlera!”, u shpreh Tushaj, kryesuesi i listës së LSI-së në Lezhë.

Ndërkohë Ylli Dylgjeri, ish-këshilltar i Fatos Nanos, gjatë kohës së drejtimit të qeverisë, i ka kujtuar Tahirit vitin 2002, kur ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Josef Limpreht, pësoi një atak kardiak dhe humbi jetën në afërsi të Liqeneve të Lurës në Peshkopi. Në atë kohë, përcjellja e trupit të tij u krye nën modelin dhe zakonet e shqiptarëve, e madje u hap dhe një llogari bankare për cilindo shqiptar që kishte dëshirë të “daroviste” siç e ka zakoni në raste mortore.

Reagimi i Dylgjerit
“Një video ku shihet Viktor Tushaj duke futur një zarf në xhepin e Gjovalin Gjinit, kryeplakut të dhunuar në Lezhë, është shpërndarë nga ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “Shih e shkruaj thotë populli, se sado të shkruash kur sheh kështu skenash, çdo fjalë është e tepërt…’’, shkruan ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri. Meqë na këshilloni “shih e shkruaj” Ju zoti Tahiri, edhe Unë pasi e pashë videon, po shkruaj lidhur me ngjarjen.

Në vitet 2000-2004 kam qenë për 4 vite Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Rendit. Në këto vite ndodhën shumë ngjarje për policinë shqiptare. Në këto vite Shqipëria doli nga grupi i shteteve të inkriminuara dhe iu drejtua institucioneve evropiane si një partnere e re. Në këto vite ka shumë ngjarje në jetën e vendit, por ajo që do ju kujtoj është humbja e jetës më 19 Maj 2002, nga një atak kardiak, në afërsi të Liqeneve të Lurës së Peshkopisë, e ambasadorit amerikan zotit Josef Limpreht. Në kushtet e krijuara, për arsye se ambasada e SHBA në Tiranë u ndodh e papërgatitur nga kjo humbje e shpejtë, kishte nevojën edhe për asistencën e administratës së Rendit në ceremonitë për përcjelljen e trupit të diplomatit të lartë. Kështu m’u caktua mua ta drejtoj këtë Protokoll funebër. Autoritetet amerikane në ambasadë dhe ato të asistencës në MR u kujdesën që kjo ceremoni të zhvillohej edhe sipas traditës së vendit tonë. Duke njohur sensibilitetin (ngushëllimet e publikut në Shqipëri shoqërohen me darovitje të paketave të cigareve, pakove të kafesë dhe lekëve në tabaka etj), Ato propozuan që të vijojë kjo traditë duke hapur në Bankë edhe një llogari me emrin ‘Llogaria Limprecht’, për të mundësuar kështu darovitjen e publikut. Kështu u eliminua ‘zarfi i videos’ që Ju po e publikoni si ‘kapje korruptive’ të LSI-së.

Rasti që shohim në video është marrë aprioiri si zarf me lekë, siç doni të aludoni edhe Ju. Ne nuk dimë ç’ka aty në zarf, pavarësisht hamendësimeve. Por dimë që kemi një plagosje të lehtë, dhe shtëpia është hapur për shyqyr që shpëtoi personi. Pra, nuk kemi për fat të mirë vdekje të personit. Kjo mbetet për t’u hetuar dhe këtu duhet edhe shteti edhe solidariteti i Juaj dhe i publikut. Të tjerat janë vetëm fletë-rrufe kineze dhe fuksllëqe ordinere”.
Sigal