Dy standartet e vettingut/ Kapja e drejtësisë: Opozita i fakton Calaverës, se ONM-ja ka dalë jashtë loje prej vendimeve të KPK-së

438
Sigal

Opozita takohet me shefen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe i jep faktet ku ONM-ja është shpërfillur

Drejtësia po kapet, vettingu zbatohet me dy standarde

Jakup B. GJOÇA

Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) po zhvillon një vizitë në Tiranë dhe ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, me Ministren e Drejtësisë, me përfaqësues të opozitës dhe anëtarë të KLP-së me fokus reformën në drejtësi.

Calaveva asnjë fjalë, pse është shpërfillur ONM në vendimmarrjet e vettingut

Është fakt që ONM-ja në shumicën e herëve, kur është shprehur për gjyqtarët dhe prokurorët, vendimet e saj nuk janë përfillur aspak në vendimmarrjet e komisioneve të vettingut, ndërkohë, që shefja e ONM-së gjatë vizitës dyditore në Tiranë i dha mbështetjen shoqërisë civile, duke e cilësuar si vendimtare në realizimin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Genoveva Calavera shmangu interesin e medias për t’u përgjigjur në lidhje me situatën politike në vend. Zyrtarja e Lartë e Brukselit nuk ka preferuar të flasë mbi situatën politike dhe ecurinë e reformës në drejtësi, 3 muaj para vendimit për hapjen e negociatave. Genoveva Calavera ka zgjedhur që të gjitha shqetësimet e unionit në lidhje me Shqipërinë t’i paraqesë në takimet kokë më kokë me liderët e politikës.

Genoveva Calavera: Çdo qeveri demokratike duhet të dëgjojë kritikat e shoqërisë civile. Autoritetet duhet të hapin rrugë për dialog, për reforma me të gjithë aktorët e shoqërisë civile. Procesi i vettingut nuk do të ishte i mundur pa rolin dhe monitorimin e këtyre aktorëve.

Ja çështjet që opozita i paraqiti shefes së ONM-së për vettingun

Dje Genoveva Calavera u takua me ish-deputetët e opozitës, Silva Caka, Klajda Gjosha, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi, nga ku u përball me një lumë ankesash për Reformën në Drejtësi. Ish-deputetët e opozitës i ankohen zonjës Calavera për mënyrën sesi u zgjodh Arta Marku prokurore e Përgjithshme e përkohshme. Ankesat kanë vijuar me anëtarin e KLP-së, Bujar Sheshi, si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, përfshi çështjen e transferimit të prokurorëve që hetuan ish-ministrin Tahiri. Po ashtu, ish-deputetët e opozitës kanë folur në këtë takim edhe për Donika Prelën, që sipas tyre është kontestuar gjatë vettingut. Për Donika Prelën, ata kanë thënë se dyshohet se i është hequr viza amerikane, fakt që nuk e ka reflektuar në formularin e vettingut. Sipas ish-deputetëve të opozitës, kjo ka ardhur pasi Komisioni i Ligjeve ka adaptuar procedura që nuk ekzistojnë askund për të kapur sistemin. Një tjetër shqetësim drejtuar Calaverës, që ish-deputetët e opozitës kanë ngritur, është gara për kryeinspektor të ILD-së, ku sipas tyre kandidatët Metani, Kokona dhe Gjonçaj kanë lidhje direkt me PS-në. Nuk ka munguar në këtë takim edhe shpalosja nga ish-deputetët e PD-së të biografive të anëtarëve të KLP-së. Deputetët e opozitës i kanë kërkuar shefes së ONM-së që, roli i këtij organizmi në raport me Reformën në Drejtësi duhet ridimensionuar, në mënyrë që të respektohet maksimalisht rëndësia që i është dhënë ONM-së dhe rekomandimet e saj mos të zhvlerësohen. Sipas bashkëbiseduesve të zonjës Calavera, transparenca lidhur me rekomandimet e ONM-së është zero, pasi nuk gjenden të publikuara në faqet e KPK-së, KPA-së apo KP-së.