Dy ministra dhe 53 zyrtarë, nën hetim

437
Rreth 53 zyrtarë dhe të afërm të tyre janë nën hetim nga agjencitë ligjzbatuese, mes të cilëve edhe dy anëtarë të kabinetit qeveritar. Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se dyshimet janë se personat nën hetim kanë konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës, transaksione të paligjshme, korrupsionit, si dhe parregullsitë në dhënien e koncesioneve dhe pabarazi në tendera. Hetimet mësohet se kanë nisur në bazë të denoncimeve të bëra nga qytetarë, biznesmenë, raportet e institucioneve që kryejnë kontrollet financiare, lëvizjet e ndodhura në disa llogari bankare, etj. Burimet theksojnë se në hetimin e nisur disa muaj më parë janë përdorur edhe mjetet speciale të hetimit, për të provuar disa nga denoncimet e kryera, apo informacionet e mbledhura në rrugë operative etj. Sipas një burimi, ky mund të jetë një nga operacionet më të mëdha të ndërmarra nga Prokuroria në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, ndërsa mund të konsiderohet edhe si një provë për organin e akuzës, për të goditur atë që quhet “krimi i jakave të bardha me kollare”. Nuk dihet nëse nga hetimet që po kryhen do të ndiqen shembujt e ndodhur në Kroaci apo Rumani, kur para drejtësisë janë çuar zyrtarë të lartë të atyre vendeve, por tashmë organi i akuzës mund të realizojë atë çka është paralajmëruar prej dy vitesh, arrestime të zyrtarëve të niveleve të larta. 

Hetimet

Burimet theksojnë se hetimet mund të zbardhin një skemë që mund të çojë në atë që quhet pastrimi i produktit të veprës penale. Kjo për faktin se ka dyshime që me transaksionet e kryera financiare subjektet nën hetim nuk mund të provojnë shumat financiare që posedojnë dhe që kanë lëvizur në kohë të ndryshme në banka të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, apo në ato që quhen llogari off shore. Mësohet se nga hetimet ka dyshime se shumat që llogariten në miliona dollarë mund të jenë investuar në blerjen e trojeve apo janë përdorur në forma të tjera, përfshi këtu edhe ato konçensionare. Burimet shprehen se hetimet po kryhen nga Task Force pranë Prokurorisë, ndërsa ato janë shtrirë në disa qytete të vendit. Nën hetim janë përfshirë zyrtarë të niveleve të ndryshme, ndërsa ka dyshimet se janë të implikuar edhe dy ministra. Po kështu janë nën hetim disa të afërm të zyrtarëve, të cilët dyshohen për transaksione të paligjshme apo atë të pastrimit të produkteve të veprës penale. Një burim i tha “Telegraf” se në hetim janë kërkuar të dhëna nga disa agjenci ligjzabtuese të vendeve partnere, apo verifikim mbi këto të dhëna dhe dyshime. Mësohet se personat e përfshirë nën hetim i përkasin kategorive të ndryshme për sa i takon veprave penale që dyshohet se kanë konsumuar, ndërsa vlerësohet se shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni përbëjnë dy nga veprat penale me intensitetin më të lartë. Sipas burimeve, në këtë hetim janë përfshirë disa agjenci ligjzbatuese, të cilat nisur nga të dhënat e mbledhura apo kontrollet e ushtruara i kanë depozituar në Prokurori. Një burim tha se nuk përjashtohet mundësia që deri në finalizimin e hetimeve, personat në fjalë të mos merren asnjëherë në pyetje, kjo për shkak të ruajtjes deri në fund të procesit hetimor, duke përjashtuar në çdo rast dekonspirimin apo ndërhyrjet e mundshme në proces. 

Paralajmërimet e Kryeprokurorit

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla disa herë ka deklaruar se organi i akuzës ka nën hetim zyrtarë të lartë, përfshi këtu ish-ministra dhe ministra në qeverisjen aktuale, të cilët dyshohet për konsumim të veprave penale. Pak kohë më parë Kryeprokurori ka deklaruar se hetimet duan kohën e tyre dhe se Prokuroria ka mjaft raste në proces hetimi në nivele edhe të larta. Sipas tij, vendimi për arrestimin ose jo të zyrtarëve do të varen nga hetimi që kryhet. Deklaratat e Kryeprokurorit kohë më parë paralajmëronin arrestime të bujshme, por që ato nuk kanë ndodhur. Ndoshta tashmë organi i akuzës mund të godasë fort në arrestimet e zyrtarëve, kohë kur edhe presioni ndërkombëtar për të ndëshkuar korrupsionin dhe veprat e tjera penale në nivele të zyrtarëve të lartë, është rritur ndjeshëm. Rreth dy vite më parë, Kryeprokurori vendosi krijimin e Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të hetonte zyrtarët e lartë të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Ligji dhe kompetencat që ka kjo strukturë i jep të drejtën që të veprojnë kundër pasurive të paligjshme të zyrtarëve, njëlloj sikundër veprohet në rastin e grupeve të strukturuara kriminale. Njësia në fjalë deri më tani ka mundur të çojë përpara drejtësisë një ish-ministër në qeverisjen e PD-së, i cili është arrestuar për shpërdorim detyre, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, prokurorë, gjyqtarë të akuzuar për korrupsion, apo ish-drejtues të pushtetit vendor kryesisht për shpërdorim detyre, fshehje pasurie apo korrupsion. Çështja është që një pjesë e zyrtarëve të arrestuar me urdhër të Prokurorisë kanë fituar pafajësinë në gjykatë, çka ka zbehur disa nga proceset e nisura me shumë bujë në drejtësinë shqiptare. 

Çfarë parashikon Kodi Penal

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike – Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. 

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë- Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet. 

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike-Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet. 
Sigal