Dy gjyqtarë, “non grata” në SHBA

507
Dy gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan bëjnë pjesë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan. Burime për “Telegraf” thanë se “dy gjyqtarët janë të përfshirë në këtë listë, por pa bërë të ditur emrat e tyre, dy gjyqtarët janë lakuar edhe më parë në shtyp si zyrtarë të drejtësisë që janë përfshirë në afera korruptive, dhe që prej vitit 2014 janë nën hetim nga Prokuroria”. Por sipas të njëjtit burim “nën hetim dhe përgjim janë edhe gjyqtarë të tjerë nga Elbasani”. Duket se deklarata e ambasadorit amerikan Donald Lu, sipas të cilit “qeveria e SHBA-së nuk i ka dhënë vizë dy gjyqtarëve që përfliten si të korruptuar, dhe ka vënë në lëvizje edhe organin e Prokurorisë”. Një gjyqtar nga Elbasani u shpreh për “Telegraf” dje se “bashkohem me deklaratën e zotit Ylli Manjani për nisjen e procedurave për shkarkimin e dy gjyqtarëve që ndodhen në këtë listë, procedurat duhet t’u kalojnë organeve, si Prokuroria apo edhe inspektorateve përkatëse si ai i pasurisë, që t’i shqyrtojnë dhe në fund nëse rezultojnë të vërteta, masa është radikale, përjashtim nga radhët tona”. 

Dy gjyqtarët e përfolur dhe që prej muajsh janë në ‘listën e zezë”, kanë goxha pasuri, të cilat i kanë vënë me rrugë të pista, si ortakëri në biznese të ndryshme si në ndërtim, apo këmbime të ndyra dhe pazare sikurse janë “dhënia e një vendimi pro, dhe marrja e një toke në qendër të Elbasanit, toke në bregdet, dhe deri tek marrja e një vile në Vlorë”. Ndaj dy gjyqtarëve të Elbasanit janë ngritur edhe padi penale e para për “mosdeklarimin e pasurisë”, dhe e dyta “për pastrim parash”. Qysh prej vitit 2014, njëri prej gjyqtarëve i lakuar edhe në media dhe raportet e KLD thuhet se ka transferuar mijëra euro (për të mos thënë mbi 1 milion euro) jashtë shtetit, sapo ndaj tij u verifikua dhe zbulua lidhja me afera të shumta korruptive. Me vendimet e këtyre dy gjyqtarëve (por edhe mjaft të tjerëve) në Elbasan janë mbyllur qindra çështje penale ndaj zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, janë mbyllur qindra çështje penale ndaj elementëve me precedentë kriminalë që kanë patur mbrojtje dhe ortakëri edhe nga politika, janë mbyllur dhjetëra çështje penale për persona që duke patur “prokurën” nga bosët e Rilindjes kanë grabitur dhe po grabisin troje dhe prona të ligjshme duke i hipotekuar sikur ti kishin të tyre. Për këto dhe shumë fakte të tjera, që lidhen me punën e tyre si gjyqtarë, shpallja si persona “non grata” nga SHBA, ndoshta është vetëm hapi i parë që do t’u tregonte organeve shqiptare, se cila duhet të jetë rruga e duhur për të ndëshkuar dhe larguar bashkë me reformën e vonuar njerëzit e korruptuar të drejtësisë. 
Sigal