Sigal

Mosdekretimi i Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga presidenti Ilir Meta nxjerr në pah krizën mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë në Shqipëri. Një krizë e shpallur publike mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë rrezikon të thellohet. Shkaku që del në sipërfaqe është refuzimi i presidentit Ilir Meta për të dekretuar ministër të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajn nga Prishtina, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Kriza institucionale në  Shqipëri dhe marrëveshja Kosovë-Serbi

Kryeministri Rama e quajti të turpshëm refuzimin e Presidentit Meta dhe i kërkoi madje ndjesë Kosovës. Presidenti Meta reagoi duke thënë, se “integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës  janë të paprekshme”.  Të premten,  ( 11.01.) kriza mes presidencës dhe kryeministrisë u  thellua, pothuajse “in extremis” përmes postimeve në rrjetet sociale nga të dyja palët.  Presidenti Meta shkruan (11.01)në median sociale se kryeministri Rama “bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, Në pritjen me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, të enjten ( 10.01.) Rama e quajti refuzimin e dekretimit të Gent Cakajt “avaz të vjetër të Presidentit të Republikës”. I riu 28-vjecar nga Prishtina Gent Cakaj është shndërruar edhe në një “casus belli” për shpërthimin publik të shkakut të krizës institucionale në Shqipëri mes Presidencës dhe Kryeministrisë, pas daljes në pah të refuzimit. Duket se shkaku real është qëndrim i ndryshëm i presidentit Meta dhe Ministrit të jashtëm Bushati, ndaj mundësisë për të normalizuar marrëdhëniet Kosovë- Serbi përmes ndryshimit të kufijve. Presidenti Meta dhe ministri Bushati  nuk e mbështesin këtë opsion, duke qenë kështu në të njëjtën linjë me qëndrimin zyrtar të  Gjermanisë. Kryeministri Rama ka evituar të deklarojë qëndrimin e tij, duke lënë të kuptohet që mund edhe të mos e përjashtojë si opsion.  Si Meta edhe Bushati kanë shprehur në mënyrë konsekuente idenë, se ndryshim i kufijve sjell rreziqe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

 

Fatos Lubonja: Presidenti Meta meriton të përshëndetet

Një akt nga ana e presidentit, që meriton të përshëndetet për dy arsye: Te emërimi i Cakajt shoh dy probleme. Një problem është një përshkallëzim i paparë nga ana e kryeministrit i personalizimit të institucioneve. Të vendosësh një çunak 27 vjeçar është tepër problematike dhe tallëse.  Problemi i dytë, është diçka që kalon përmasat, që është vendosur një ministër i Jashtëm që del e flet për ndryshimin e kufijve. Padyshim është një politikë antievropiane me shumë pasoja. Ky refuzim i Metës, meriton në këtë aspekt një rezistencë që e bën një Shqipëri më normale në këtë anormalitet në rritje.

Dejona Mihali  “Vetvendosje”: Ca pyetje kryeministrit dhe kryetarit të PS-së

A e di gjë pse 23 anëtarë të kryesisë së PS dhe 73 deputetë të PS + qindra kryetarë degësh, nëndegësh dhe mijëra bashkëpunëtorë profesionalë socialistë nuk dalin të reagojnë por del Baton Haxhiu?

Pse je kaq i sigurt në personazhe të errët si Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu dhe vë në dyshim ministrin dhe anëtarin e kryesisë së PS, z. Ditmir Bushati?

Nëse ka diçka të papranueshme në Ministrin e jashtëm aktual a mund t’ia tregosh të gjithë shqiptarëve, me këtë rast dhe socialistëve anëtarë, simpatizantë dhe votues ?

Nëse Ilir Meta është i paditur pse na e propozove dhe pastaj votove për President të Republikës së Shqipërisë?

Nëse je kundër shkëmbimit të territoreve , e thënë shqip, pra kundër ndarjes së Kosovës sipas planit të Vuçiçit a mund ta thuash këtë prerazi pa ekuivoke?

Nëse pretendon se e njeh G. Cakajn atëherë pse nuk ia keni bërë certifikatën e sigurisë nga drejtoria në vartësi tuajën që prej se e kishit këshilltar?

Që kur këshilltarët e tu, mandej zëvendësministra, e të propozuar për ministër të jashtëm si Gent Cakaj lejohen të nxjerrin në emisione televizive të Baton Haxhiut për 1 vit rresht komentet e sqarime nga takimet e tua, nga ai me Kancelaren Merkel deri te ato brenda zyrave të këshillit të ministrave e tek kualifikimet e sulmet mbi subjektet politike në Kosovë?

Zef Mazi, diplomat: Jepini fund këtij turpi!

Është shumë zor sot të gjesh një vend që të ketë për ministër të jashtëm një djalosh kaq të ri dhe pa përvojë, ose me përvojë mjerisht minimale.  Parashutimet e menjëhershme janë mjaft të rrezikshme për një shtet serioz. Ky rast ekstrem duhet të bëjë që të reflektohet, të rivendosen ekuilibrat dhe të jepen zgjidhje me një ministër tjetër, në moshë të respektuar, me njohuri, përvojë dhe zgjuarsi politike dhe diplomatike. Mjafton të përmend këtu kryesinë  e radhës të OSBE-se, që ne e marrim vitin e ardhshëm. Cili do jetë ministri i Jashtëm i yni dhe me çfarë bagazhi, moshe dhe përvojë do të vijë ai? Cili rast nuk krijon çekuilibra edhe të përmasave rajonale, vështrime vëngër etj., me cilin ministër kryesia do të shkoje në të gjitha pikat e tensionuara apo konfliktuale të zonës së OSBE dhe do të bisedojë me pushtetarët, me misionet e OSBE-së, me palët në konflikte etj? Sa do të jetë ky ministër në gjendje të japë udhëzime dhe ide, ç’drejtim duhet të marrin teza dhe propozime të caktuara, që ato të jenë të duartrokitura dhe të pranueshme për të gjithë! Me cilin ministër do të bisedojnë homologët e Evropës dhe më gjerë, me cilin ministër do të shkëmbejnë ata mendime të pjekura, të thella në përvojë?

Agim Nesho, diplomat: Presidenti Ilir Meta ka vepruar si burrë shteti.

Unë mendoj që ishte një vendim i drejtë. Meta u tregua si burrë shteti, për arsye sepse gjithmonë e më shumë po shikojmë pushtet personal të pakufizuar dhe të pakontrolluar të kryeministrit Rama. Nga ana politike Meta veproi si një burrë shteti. Akti i mosdekretimit ishte tepër i justifikueshëm në argumentet që jepeshin. Unë mendoj që kjo kandidaturë nuk përbën fare me aspektin që Rama të marri flamurin e patriotizmit ndaj kombit shqiptar. Unë mendoj që ai do ta përdore në marrëveshjen e ardhshme të cilët e kanë për çështjen e kufijve, duke treguar që arritjet nga pala shqiptare janë më të avancuara.

Rexhep Selimi, Ish-komandanti i UÇK-së:  Ramë, zgjodhe për ministre Arsimi mbesën e spiunit të UDB-së

A nuk gjeti Rama person më të mirë se sa mbesën e spiunit të UDB-së Ibush Kllokoqit për Ministre të Arsimit? Sa mirë që nuk është më Rrahman Morina, se ku i dihet, ndoshta do t’iu kishte rekomanduar Ramës nga e njëjta dorë. Po t’i duheshin ministra nga Kosova, Kryeministri ka pasur ku të kërkojë. Ka Kosova patriote e intelektuale të shquar e të respektuar; nga Prekazi Murat Jashari, për shembull.

 

Entela KasiGjuha e Kryeministrit, “thikë pas shpine” për Shqipërinë, Kosovën dhe integrimin evropian

Përse Kryeministri i Shqipërisë në fund të takimit me diplomatët nuk foli shqip? Thënë shqip dhe shkurt ka disa çështje.

Cila është arsyeja e cila e drejton Kryeministrin Rama të dalë tej standardit të komunikimit institucional, e të rrëzohet në sy të botës, duke u veshur me agresivitet dhe fyerje ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës?

Përse Kryeministri i Shqipërisë zgjedh fjalët e osmanishtes kur i drejtohet diplomatëve kundër Institucionit të Presidentit të Republikës?

Pse gjuha e Kryetarit të qeverisë, është konfliktuale? Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standardin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika!