Durrsakët, të pakënaqur me pushtetin lokal

481
Sigal

Qytetarët: Kryetari i Bashkisë nuk ka bërë më të mirën për qytetarët dhe qytetin

Vangjush Dako, Kryetari Bashkisë së Durrësit, ka marrë notën më të ulët nga qytetarët e tij, votuesit e majtë dhe natyrisht edhe ata të djathtë. I ndodhur drejt fundit të mandatit të dytë (duke shpresuar edhe për një mandat të tretë, por Rama e ka vendosur  “JO” ). Dako pothuajse çdo ditë e më tepër, gjendet larg halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve, larg zbatimit të projekteve për qytetin dhe  premtimeve që deklaronte gjatë fushatës së tij elektorale. Durrësi, qyteti me portin më të madh në vend, me numrin më të madh të popullsisë në Shqipëri pas Tiranës, një metropol i dytë, me një  vijë bregdetare që e kanë zili edhe fqinjët tanë, sot ka njëmijë e një halle, e probleme, duke nisur nga infrastruktura rrugore, higjiena e pastërtia e lagjeve, mungesa e investimeve, mungesa e angazhimeve nga stafi Bashkisë, mungesa e vëmendjes nga qeveria, mungesa e projekteve, të cilat  Dako u ka premtuar durrsakëve. Ishte pikërisht ai që trokiste derë më derë dhe u kërkonte votën për të “bërë një Durrës europian”, ishte ai që trokiste derë më derë dhe u merrte firmat durrsakëve në çdo cep të qytetit, ku u premtonte “punë, mirëqenie, legalizime, leje ndërtimi, duke mbajtur derën e Bashkisë të hapur 24 orë non-stop për çdo qytetar pa dallim feje, krahine dhe ideje politike”. Por  këto premtime, duket se u sfumuan shpejt, pasi durrsakët u zhgënjyen kur atyre nuk u hapej dera e bashkisë, kur nuk u pranohej dosja nga Urbanistika, pavarësisht se dorëzonin gjithçka sipas ligjit, kur ata zvarriteshin dhe zvarriten akoma për çdo problem, kur presin jashtë këtij institucioni, dhe në korridoret e tij zyrtarët burokratë, të korruptuar servilë dhe të paaftë. Durrsakët janë të zhgënjyer  nga Dako dhe PS për investimet në qytetin e tyre. Kjo pasi në mandatin e dytë Dako nuk ka kryer  asnjë investim konkret me rëndësi dhe afatgjatë, asnjë projekt nuk po gjen zbatim për të rehabilituar dhe ndërtuar rrugët e lagjeve dhe ato kryesore, tregun e qytetit, kanalizimet që përmbytin qytetin sa here bie shi, ka rritur taksat e tyre, kur  ka premtuar uljen në fushatë, ka degraduar zonën bregdetare,  duke e kthyer atë në lagje qyteti. Bashkia padyshim nën drejtimin e Dakos, nuk ka bërë asgjë për promovimin dhe rigjallërimin e turizmit, kur Durrësi duhej të ishte lider në këtë fushë, pasi zona  bregdetare që mbulon administrativisht ky institucion është parcelizuar nga militantët e PS, miqtë dhe komisionerët e tij në fushatë. Plazhi sot  ngjet me një lagje të banuar dhe jo një zone bregdetare ku duhej të kishte rëndësi të jashtëzakonshme për biznesin vendas dhe të huaj. Tek i pyet qytetarët, votuesit ose jo të Dakos, pa dallime partiake, ata shprehen se: “Durrësi meritonte dhe meriton më shumë, meritonte të ishte në ballë të investimeve në turizmin detar, në thithjen e investimeve, në axhendën e agjencive turistike nga Europa dhe vendet e tjera nga lindja në perëndim të globit, por sot ne gjendemi në fund, në kushte skandaloze, me një plazh që vetëm i tillë nuk quhet, me rrjetin e kanalizimeve krejtësisht të shkatërruar, pa tregun modern që u premtua për fruta-perimet dhe atë industrial, dhe me shumë probleme të tjera sociale”. Edhe 35 ditë kanë mbetur nga hapja zyrtare e sezonit të ri turistik 2014, dhe plazhi i Durrësit ndodhet në një situatë aspak joshëse për pushuesit  vendas dhe turistët e huaj, me higjienë të munguar, kanalizime të amortizuara, objekte betoni fare pranë detit, kolektorë të bllokuar, plazhe publike të cunguar, e shumë probleme të tjera. Bashkia e Durrësit prej vitesh është kthyer në institucion që dirigjohet nga miqtë dhe ortakët e biznesit të betonit, janë ata që vendosin kush merr tenderin, kush punësohet, kush ikën e largohet, kush do të ndërtojë e kujt do t’i prishet objekti. Kjo situatë në Bashkinë e Durrësit, por edhe mjaft problematika të tjera që kanë vënë në dyshim një fitore tjetër të PS në zgjedhjet e ardhshme lokale, e kanë detyruar Ramën të “ngrijë”  kredencialet me Dakon,  dhe të mendojë dhe piketojë  njeriun e duhur për të kandiduar për kryetar Bashkie në Durrës dhe jo vetëm atje. Një tjetër arsye e ftohjes së Ramës me Dakon, është edhe braktisja dhe përbuzja që ky i fundit i ka bërë dhe po vazhdon t’i bëjë selisë lokale të PS, duke kthyer mbrapsht çdo propozim apo sugjerim të kreut të saj dhe kryesisë. Sipas burimeve, nga kjo seli lokale mësohet se, “Dako ka disa muaj që nuk i bindet  kryesisë socialiste dhe nuk shkel atje, duke tentuar ndoshta kalimin tek LSI, në qoftë se Rama nuk e miraton si kandidat për një mandat të tretë për kryetar Bashkie”. Kjo padyshim ka sjellë ftohjen dhe largimin edhe të militantëve socialistë, të cilët duke parë përçarjet ndjehen të zhgënjyer nga gjithçka  bënë që 23 Qershori t’u sillte fitoren. Por situate bëhet edhe më e rëndë kur mendon se, Lefter Koka, njeri i rritur mes durrsakëve, shkon dhe jep tapi pa shpërblyer pronarët e tokës. Durrsakët e vjetër nuk e pranojnë nëpërkëmbjen e qytetit dhe qytetarëve të tyre dhe nuk do pranojnë që çifti Dako-Koka të bëjnë ndërrime të karrigeve, sikurse po bëjnë këto 15 vitet e fundit…