Durrësi irritohet. Drejtorët katapultohen nga Tirana

860
Sigal

Qytetarët e Durrësit i japin votat Rilindjes, ndërsa Qeveria u bën peshqesh drejtorët nga Tirana

PS-së së Durrësit i shterojnë burimet njerëzore apo Rama nuk i konsideron të aftë për të drejtuar?!

Në dy ditët e fundit në Durrës ka pasur dy lëvizje të rëndësishme drejtorësh në dy drejtori rajonale me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit që u ofrohet qytetarëve. Dy ditë më parë, DurrësLajm njoftoi se u prezantua në Durrës drejtori rajonal i ASHK-së (Agjencia Shtetërore e Kadastrës), një institucion i krijuar vetëm pak muaj më parë. ASHK do të mbledhë tashmë në një drejtoritë e ALUIZNI-t dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Drejtori i ri është Liridon Pula, nga Tirana. Po dje, DurrësLajm njoftoi se ishte shkarkuar nga ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, drejtori i AKU-së Durrës Martin Jorgaqi, ndërsa dje u mësua emri i drejtorit të ri të komanduar Ardit Tabaku, që ka punuar më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së në Tiranë.

Katapultohen njerëz nga Tirana si drejtorë në Durrës

Brenda dy ditësh katapultohen në Durrës dy drejtorë nga Tirana, në dy drejtori mjaft të rëndësishme. Të gjithë qytetarët e Durrësit i njohin problematikat e mbartura prej shumë vitesh në zyrat e ALUIZNI-t dhe Hipotekës, që tashmë pritet t’u japë “zgjidhje” ASHK dhe njëkohësisht, sidomos kohët e fundit, siguria ushqimore që duhet të mbikqyrë AKU është temë dite për shumë qytetarë, pasi lidhet drejtpërdrejt me produktet që ata konsumojnë. Një sektor strategjik është dhe porti i Durrësit, i cili prej disa muajsh drejtohet nga Agron Tare, i emëruar në ditët e para të punës së ministres Belinda Balluku, edhe ky nga Tirana. Në vitet e qeverisë Rama 1 dhe 2 vetëm për rreth një vit e gjysmë është drejtuar porti i Durrësit nga drejtorë durrsakë (Artjan Qirici, që nuk e lanë as të ngrohte karriken, dhe Afrim Bakaj, aftësitë e të cilit jo pak persona i vunë në dyshim kur u caktua për të drejtuar portin, por të paktën ishte një figurë mjaft e njohur në elektoratin socialist). Pa dashur të dyshoj aspak për aftësitë profesionale të dy drejtorëve të rinj, pasi secili prej tyre është i panjohur për qytetarët, ajo që perceptohej sot nga shumë socialistë durrsakë dhe drejtues të kësaj partie në nivel lokal ishte fakti se pse duhet të përjashtohen burimet njerëzore të PS-së së Durrësit dhe drejtorët të katapultohen nga Tirana. Madje shumë prej tyre me ironi shpreheshin: Aman na thoni disa emra drejtorësh durrsakë që kanë mbetur, sepse po na i sjellin të gjithë nga Tirana…

Rilindja e do Durrësin vetëm për votat

Në zgjedhjet e 2017-ës, PS-ja e qarkut të Durrësit do të çonte në Kuvend plot 8 deputetë, një rezultat historik ky, por saktë-saktë vetëm dy janë tamam nga Durrësi (Roland Xhelilaj dhe Klodiana Spahiu). 3 vende e para në listë ishin nga Tirana (pavarësisht se Milva Ikonomi është vajzë Durrësi), dy ishin nga Shijaku dhe një nga Kruja. Në zgjedhjet lokale të 2015-ës, PS-ja e Durrësit me Dakon në krye arriti sërish një rezultat historik me një diferencë shumë të thellë kundrejt rivales Grida Duma, rreth 13 mijë vota më shumë. Këto shifra në zgjedhje dhe realiteti i drejtorëve të katapultuar nga Tirana mund të përkthehen: PS e Durrësit është e zonja të mbledhë vota dhe të maksimizojë rezultatin, por nga ana tjetër i mungojnë kuadrot për të drejtuar institucionet. Është njësoj si të thuash se është e mirë të bëjë punën e hamallit, por nuk ka aftësitë të menaxhojë burimet njerëzore të saj dhe të nxjerrë drejtorë të kualifikuar. Gjithsesi, e gjithë kjo mund të shihet edhe në një këndvështrim tjetër. Kryeministri Rama dhe ministrat e tij nuk po e marrin aspak për bazë mendimin e elektoratit socialist në Durrës dhe strukturave drejtuese të degës lokale dhe po emërojnë apo komandojnë në qytetin bregdetar rilindësit kryeqytetas. Për t’u gjetur një vend të privilegjuar pune rilindësve nga Tirana, po evitohen dhe lihen mënjanë shumë socialist durrsakë, që e kanë mbështetur PS-në në kohët e mira dhe të vështira të saj.

Pakënaqësia e qytetarëve durrsakë ndaj kryeministrit Rama

Adrian Çela, drejtor i përgjithshëm i OSHEE-së apo Edison Konomi drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (të dy të emëruar në Tiranë prej kohësh) janë shumë pak për të qetësuar zemëratën e socialistëve durrsakë. Shumë prej socialistëve të orëve të parë, por edhe qytetarëve të vjetër të Durrësit emërimet e kohëve të fundit po u kujtojnë kohët e kaluara, para viteve ’90, kur sekretarë të parë në qytetin bregdetar vinin kuadro nga rrethet dhe asnjëherë figura të evidentuara dhe me reputacion në qytetin bregdetar. Në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit, që Rama shprehet i vendosur t’i zhvillojë pavarësisht mospërfshirjes së opozitës në proces, shmangia e figurave të njohura në mesin e elektoratit të majtë në Durrës po krijon një pakënaqësi të madhe mes socialistëve durrsakë. Ata që dinë ta bëjnë mirë ndarjen mes Rilindjes dhe Partisë Socialiste dhe që vazhdojnë ta quajnë veten socialist ndihen të harruar dhe të lënë mënjanë. Madje dhe përfolja e një emri si më e favorizuara mes kandidateve në garë për kryebashkiakun e ardhshëm të Durrësit, pavarësisht lidhjeve të hershme me qytetin bregdetar, por që jetën dhe karrierën e ka ngritur prej vitesh në kryeqytet, nuk është pritur mirë. Me këtë valë emërimesh të drejtorëve nga Tirana, socialistët durrsakë shpresojnë të paktën që kryebashkiaku i ardhshëm të mos u sillet “pako postare” nga kryeqyteti dhe t’u thuhet ta votojnë sepse është kandidatura më e mirë… M.B./DurresLajm