Durrës, Rama: Rend i ri investimesh për të frenuar rrënimin e ekosistemit

537
Sigal

DURRES – Për kryeministrin Edi Rama gjatë këtyre 20 viteve vendi ynë ka pasur një zhvillim të paqëndrueshëm, çka ka sjellë sipas tij pasoja të rënda në pasuritë natyrore. Megjithatë sipas tij vendosja e një rendi të ri investimesh do të japë rezultate konkrete, duke mos lejuar më që investimet të jenë pjesë e zhvillimit të paqëndrueshëm.

Deklaratat kryeministri shqiptar i bëri nga Durrësi ku mori pjesë në konferencën “Smart City”. Duke folur rreth investimeve të kryera në të gjithë vendin, Rama  tha se paqëndrueshmëria e tyre në këto vite ka sjellë pasoja të rënda në pasuritë natyrore veçanërisht në ekosistem. Sipas shefit të qeverisë, pasoja katastrofike ka pasur edhe në dëmet e shkaktuara në shtretërit e lumenjve.

Por shefi i qeverisë, shprehu besimin se vendi është ende në kohë për të frenuar rrënimin e që ka ndodhur deri më tani në ekosistem.

“Çfarë ka ndodhur në 20 vjet kemi patur zhvillim të paqëndrueshëm, pasojat ndihen në të gjitha pasuritë natyrore. Burim rritje në këto vite ka qenë ndërtimi. Kosto e shfrytëzimit të këtij burimi ka sjellë rritje të panoramës tronditëse. Kemi humbur pyje, toka bujqësore, kemi humbur në peizazh dhe sa shumë kemi humbur në ekosistemin e vendit. Dëmi i shkaktuar në shtretërit e lumenjve, pasoja katastrofike. Kemi humbur jo vetëm kohë por dhe pjesë të rëndësishme të potencialit të vendit. Jemi në kohë për frenim të rrënimit. Sistemet inteligjente do jenë pjesë e financimit. Zëri i infrastrukturës dixhitale do të jetë çdo vit e më i madh me buxhet.” theksoi kryeministri Rama

Kjo sipas kryeministrit Rama mund të kryehet përmes vendsojes së një rendi të ri të investimeve, të cilat do të mund të japin rezultate konkrete, dhe siç nënvizoi ai do të mund të frenojnë rrënimin e mëtejshëm të ekosistemit.

“Rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri në investime do na japë rezultate të dukshme. Ta lidhim këtë proces dhe me konstatimin e asaj që kanë sjellë në territor ndryshimet demografike. Qendrat e reja t’i kthejmë në gravitet zhvillimi. Mos lejojmë që investimet të jenë pjesë e zhvillimit të paqëndrueshëm.” tha shefi i qeverisë.

Sipas kryeministrit deri më tani janë miratuar ligje me vetëdijen se nuk do të zbatohen, dhe pikërisht kjo është sfida më e madhe e qeverisë, zbatueshmëria e ligjit.

“Kemi miratuar shumë ligje me vetëdijen se nuk zbatohen. Nuk jane ligjet, po është zbatueshmëria dhe procesi i ndërveprimit sfida jonë e madhe.” u shpreh kryeministri