Durrës, Prokuroria mbyll hetimet e 24 zyrtarëve të akuzuar për korrupsion

533
Sigal

Abuzimi me faturat e doganës dhe tatimeve, sipas burimit nga Prokuroria “janë shkaktuar dëme me vlera prej 15.5 milionë dollarësh

Prej ditës së premte, organi i akuzës në Durrës ka zbritur një kat më poshtë brenda së njëjtës godinë, në Gjykatën e Faktit, dosjet me hetimet e mbyllura për 24 zyrtarët e akuzuar për korrupsion dhe abuzime me ligjet e paratë e shtetit. Pas dorëzimit të 20 dosjeve të para, muajin që shkoi mbyllja e hetimeve dhe dorëzimi i 24 dosjeve të tjera me emra ish-zyrtarësh dhe zyrtarësh aktualë në bashki, komuna dhe institucione të tjera vendore dhe qendrore është kontingjenti i dytë i tyre. Sipas një burimi nga organi akuzës,  “zyrtarë komunash si Katundi Ri, Sukthi, bashkia Durrës, dhe mjaft  ish-drejtues ndërmarrjesh, akuzohen për shkelje të procedurave me tenderat, dhënien e trojeve për ndërtim të shoqatave dhe fondacioneve të huaja si  në rastin e Komunës Katundi Ri, akuzohen për abuzime  me shpërblime dhe rroga të majme duke shkelur ligjin, natyrisht të gjitha këto kanë qenë në objektin e organit të akuzës”. Prokuroria e Durrësit prej 6 muajsh ka nisur hetimet ndaj 147 ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve akoma në detyrë, duke nisur nga doganierë, tatimorë, kryetarë bashkish dhe komunash, duke zbuluar shkelje flagrante dhe abuzime financiare. Vetëm nga veprimtaria abuzive me faturat e doganë dhe tatimeve, sipas burimit nga Prokuroria “janë shkaktuar dëme me vlera prej 15.5 milion dollarësh, kurse në bashki dhe komuna apo në portin detar, për nënkryetarin e bashkisë Durrës dhe Urbanistikën e bashkisë janë kopsitur akuza  për favorizimin e personave me shkelje ligjore në dosjet e tyre  penale”. Shkeljet dhe abuzimet financiare figurojnë të kryera në vitet 2012 e në vazhdim, madje edhe pas 23 qershorit, por ato janë fashitur sapo KLSH dhe organet kontrolluese kanë nisur gjurmimin dhe zbulimin e skandaleve njëri pas tjetrit. Durrësi në 14 komunat dhe 4 bashkitë e tij në shkallë qarku, ka numrin më të madh të zbulimit të shkeljeve dhe abuzimeve me fondet e shtetit dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë, por deri sot asnjëri prej fajtorëve nuk ka mundur ta shikojë dhe shijojë qeli. Skandalet e zbuluara dhe shkeljet të cilat dalin pothuajse çdo ditë në hetimet, kanë detyruar stafin të njoftojë hap pas hapi linjën eprore në Tiranë dhe dikasteret qendrore, duke njohur si fakt konkret vlerën e stërmadhe të abuzimit që arrin në miliona euro. Sipas hetimeve, ajo ç’ ka dalë dhe deklaruar në dosjet e çdo zyrtari, me atë që pritet, nuk është gjë fare, sepse priten të deklarohen të tjera shifra të grabitura me falsifikime dhe abuzime nga të akuzuarit.

Artur AJAZI