Durrës, nis takimi mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i pranishëm edhe Hahn

532
Kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ashtu siç ishte parashikaur, po zhvillojnë ditën e sotme një takim joformal në Durrës. Përveç të zotit të shtëpisë, kryeministrit Edi Rama, në këtë tryezë marrin pjesë edhe homologu ende në detyrë, Isa Mustafa i Kosovës, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ai i Malit të Zi Dushko Markoviç, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, si dhe komisioneri Johannes Hahn si dhe Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Siç u bë e ditur edhe dje, takimi nisi pak pas orës 10:00, për të vijuar më pas me një konferencë të përbashkët për shtyp, rreth mesditës, ku pritet të dalin kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Johannes Hahn.
Në njoftimin e mbërritur nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë thuhet se temat kryesore që do të diskutohen do të jenë tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale. “Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes. Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit”, -citohet në njoftimin e zyrës së shtypit.
Sigal